Skenari i Serbisë me çështjen e dialogut, analistët ‘zbulojnë’ mënyrën se si Vuçiq mund ta njoh Kosovën

Politika

Skenari i Serbisë me çështjen e dialogut, analistët ‘zbulojnë’ mënyrën se si Vuçiq mund ta njoh Kosovën

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 31 maj 2021 Në ora: 19:51
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë ka hyrë në një fazë finale. Krejt kjo pasi presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq javë më parë tha hapur se është i gatshëm të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti nga mesi i muajit qershor.

E, pas këtyre deklaratave të Vuçiq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dalë në aksion duke bërë ftesa për partitë politike opozitare që janë pjesë e Kuvendi të Kosovës për të biseduar rreth çështjes së dialogut.

Përderisa partia më e madhe opozitare PDK, nuk u përgjigj fare në ftesën e shefit të qeverisë, nga ana tjetër, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe ai i AAK-së, Ramush Haradinaj, njëzëri kanë kërkuar nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, praninë e një përfaqësuesi të Shteteve të Bashkuara në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Mirëpo, edhe pse pati shpresa se po i vie fundi dialogut me Serbinë, këto i ka shuar i pari i Serbisë. Ai ka bërë me dije së fundi se përkundër që pret presion të madh ndërkombëtar për pavarësinë e Kosovës, nuk do ta pranojë në asnjë rrethanë ta bëjë një gjë të tillë.

Njohësit e rrethanave politike e juridike në vend janë të mendimit se qasja e Serbisë karshi Kosovës ka qenë e njëjtë për vite të tëra. Por, janë shprehur se shpresa e vetëm për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë është kushtëzimi i plotë i kësaj të fundit nga faktori ndërkombëtar.

Deklaratat e Vuçiqit

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në mbledhjen e Këshillit Qendror të “SNS” ka deklaruar se ai dhe shteti serb do kenë presione të mëdha nga bashkësia ndërkombëtare, por se kurrë nuk do të nënshkruajë pavarësinë e Kosovës, duke shtuar se presionet do të jenë të jashtëzakonshme këtë verë, shkruan “Bota sot”.

“Duhet të marrim pjesë në dialog me Prishtinën, duam kompromis, por nuk do ju nënshkruaj pranimin e pavarësisë së Kosovës”, tha Vuçiq, duke paralajmëruar probleme edhe presione të mëdha.

“Ne në vitin 2008 kur shqiptarët morën vendimin për krijimin e shtetit të pavarur, reagimi si shtet ishte kurrfarë, ashtu si vetë udhëheqja. Në vitin 2011 kemi vendos kufirin në Jarinje, sot kemi situatë që është tmerrësisht e vështirë për ne. Për 9 vite jemi përpjek dhe realizuam dokumente që janë problem për shqiptarët, prandaj ata nuk duan formimin e Asociacionit. Askush nga perëndimi nuk shqetësohet rreth kësaj. Kur do dilnim nga dialogu do ishim fajtor ndonëse ata janë të vetmit që nuk respektojnë ato që jemi marr vesh”, tha Vuçiq duke bërë me dije se nuk do lëshojnë pe në presione.

Duhanaj: Është faza finale e dialogut, Serbisë i konvenon gjendja në status quo

Image
Analisti politik, Leon Duhanaj

Analisti politik, Leon Duhanaj, në një prononcim dhënë për gazetën “Bota sot”, ka deklaruar se ajo çfarë ka thënë presidenti serb nuk është një gjë e re për Kosovën.

Sipas tij, klasa politike serbe në vazhdimësi kanë bërë veprime të kundërta me atë çfarë do ishte pozitive për mbarëvajtjen e dialogut.

“Për mendimin tim, çështja e dialogut ka hyrë në një fazë të rëndësishme e cila mund edhe të jetë fazë finale. Është mirë që dinamika e dialogut tashmë duket të jetë me e theksuar, e gjithashtu interesimi i komunitetit ndërkombëtarë. Deklaratat e përfaqësuesve politik të Serbisë, nuk janë të reja. Ata në vazhdimësi kanë dhënë deklarata, si dhe kanë bërë veprime të kundërta me atë çfarë do ishte pozitive për mbarëvajtjen e dialogut”, ka thënë Duhanaj.

Madje, Duhanaj paralajmëron krerët e shtetit të Kosovës se pushtetit në Serbi i konvenon të mbahet gjendja në status quo, pasi që, sipas tij, me ketë situatë vendi ynë mbetet peng.

“Pushtetit në Serbi, i konvenon të mbahet gjendja në status quo, sepse me ketë situatë Kosova mbetet peng. Ata e dinë se me status quo, peng mbesin edhe serbët e Kosovës, por kjo nuk u pengon, sepse në fokus nuk është interesi e mirëqenia e tyre, por mirëmbajtja e pushtetit. Serbia nuk e ka nënshkruar e as pranuar as Rambujenë, e as Vjenën. Nga njëra anë ndoshta mund të konkludohet se me ketë qasje po arrin të rikthejnë pushtet në Kosovë, përderisa nga ana tjetër, duhet të themi se Kosova çlirua, përkatësisht Serbia u bombardua si pasojë e qasjes destruktive të politikës serbe. Gjithashtu, Kosova u pavarësua si rezultat i procesit të Vjenës, edhe pse Serbia në fund nuk e njohu e as nuk e pranoj, mirëpo megjithatë pavarësia është realitet”, ka thënë analisti politik.

Mirëpo, ai thekson se Kosova nuk duhet të shqetësohet lidhur me këtë çështje, ndërsa bën thirrje për unitet të plotë kombëtar.

“Për mendimin tim, Kosova nuk duhet të shqetësohet e as të merret fort me deklaratat e politikanëve serb. Ajo çfarë duhet të kemi, është një qasje serioze karshi situatës. Një platformë të çartë të mbështjellë me unitet të plotë kombëtarë. Nuk është normale që brenda shoqërisë tonë të qarkullojnë lloji lloj idesh rreth zgjidhjes së këtij problemi. Ne duhet të tregohemi shumë me të vendosur, në radhë të parë për veten tonë, e pastaj t’ua bëjmë të çartë edhe të tjerëve”, ka deklaruar njohësi i politikës në vend, Leon Duhanaj, për gazetën “Bota sot”.

Burjani: Ideja e Serbisë është prolongimi

Image
Juristi Blerim Burjani

Ndërsa, njëjtë sikurse Duhanaj, shprehet të jetë edhe njohësi i çështjeve juridike në vendin ton.

Juristi Blerim Burjani në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka deklaruar i pari i Serbisë nuk ka thënë asgjë të re, pasi një politik të tillë ai mendon se Serbia e ka ndjekur për vite të tëra.

Burjani ka shpjeguar se ideja e Serbisë në këtë kohë është vetëm prolongimi.

“Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk ka thënë asgjë të re, ai është i përkushtuar që problemin ta lenë të pa përmbyllur me shkuj e lerë më në këtë shekull të arrijë të njohë Kosovën. Ideja e Serbisë është prolongimi i pa fund i zgjidhjes ose një zgjidhje me interesa të tyre, e kjo po bën që problemi të bartet me shumë se 21vjet gati pa zgjidhje”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike.

Në fund, njohësi i çështjeve juridike ka deklaruar se e vetmja zgjidhje që Serbia ta njohë Kosovën është trysnia ndërkombëtare në forma të ndryshme, si politike apo ekonomike.

“Serbia me dëshirë kurrë nuk e pranon Kosovën shtet, por vetëm nëse ushtrohet trysni politike, ekonomike dhe kushtëzohet me kredi apo me gjera tjera, dhe kushtëzohet nga Bashkimi Evropian, në të kundërtën gjasat janë plotësisht negative për ndonjë zgjidhje. Kjo quhet më shumë humbje kohe se sa zgjidhje”, ka përfunduar për gazetën “Bota sot”, njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat