"Njohja nga Greqia, debakël për Serbinë", analistët flasin për hapat e mëdhenj nga Athina drejt Kosovës

Politika

"Njohja nga Greqia, debakël për Serbinë", analistët flasin për hapat e mëdhenj nga Athina drejt Kosovës

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 2 qershor 2021 Në ora: 17:15
Donika Gërvalla

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias, do të vijë në Kosovë për një vizitë zyrtare më 4 qershor.

Greqia është një nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian që ende s’e njohin pavarësinë e Kosovës.

Megjithatë, shteti grek ka thënë se do të ndihmojë Kosovën në përpjekjen e saj për liberalizimin e vizave.

Po ashtu, Greqia dhe Kosova së fundmi kanë thelluar bashkëpunimin në sektorin ekonomik. Ministritë e jashtme të dy vendeve kanë mbajtur forumin e tretë ekonomik Kosovë-Greqi me fokus në sektorin e energjisë gjatë muajit prill.

Por, këto lajme kanë alarmuar Serbinë, ku mediet atje kanë shkruar se NATO, BE dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po përpiqen të ndikojnë në Greqinë për të ndryshuar pozicionin e saj në çështjen e Kosovës.

”Meqenëse ka pasur disa ndryshime në marrëdhënie, unë pres të shoh nëse është vetëm një zyrë tregtare apo diçka më shumë midis Greqisë dhe Kosovës, siç thonë ata. Ne do të shohim se si do të shkojë, kështu që do të informojmë publikun”, kishte thënë Vuçiq.

Njohësit e këtyre çështjeve dha analistët vlerësojnë se në këtë punë kanë ndikuar SHBA-të dhe se pas Greqisë, Kosovën do ta njohin edhe ato 5 vende të cilat nuk e kanë njohur deri më tash.

Blakaj: Njohja e Kosovës nga Greqia, shembull për vendet e tjera si Spanja, Rumania, Qipro dhe Sllovakia që ta njohin Kosovën

Image
Sami Blakaj

Lidhur me këtë temë, njohësi çështjeve për integrime evropiane, Sami Blakaj, në një prononcim për gazetën "Bota sot", ka thënë se presidenti amerikan është i interesuar që të ndërtojë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon e kjo do të bëhet edhe nëse Greqia do të thyente barrierën më të madhe politike me shqiptarët, duke e njohur shtetësinë e Kosovës.

“Ndryshimi i administratës amerikane, duket të ketë ndikuar dukshëm në ndryshimin e qasjes së Greqisë karshi Kosovës dhe subjektivitetit të saj shtetëror. Kreu i Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden është jashtëzakonisht i interesuar që të ndërtojë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon dhe se ky stabilitet rajonal do të avancohej, nëse Greqia do të thyente barrierën më të madhe politike me shqiptarët, duke e njohur shtetësinë e Kosovës”, ka thënë Blakaj.

Sipas tij, Athina e ka të qartë se njohja e Kosovës është në përputhje me pozicionin e SHBA-së.

“Athina zyrtare tanimë e ka të qartë se njohja e Kosovës nga ana e Greqisë është në përputhje me pozicionin e SHBA-së dhe duke e ditur këtë fakt ajo po punon aktivisht për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional me Kosovën”, është shprehur ai.

Blakaj ka shtuar se vizita e ministrit grek në Kosovë është në frymën e bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Edhe vizita e ardhshme e ministrit të jashtëm grek është në frymën e këtij bashkëpunimi dhe se vizitat e shpeshta të diplomatëve grekë në Kosovë përbëjnë treguesin e qartë se Greqia po bën hapa të mëdhenj drejt njohjes shtetërore. Njohja e Kosovës nga ana e Greqisë do të ishte një fitore e madhe diplomatike dhe si e tillë do të shërbente si shembull i mirë edhe për vendet e tjera si Spanja, Rumania, Qipro dhe Sllovakia që ta njohin pavarësinë e Kosovës”, ka deklaruar Sami Blakaj për "Bota sot".

Mehazi: Njohja e Kosovës nga Greqia, debakël për Serbinë

Image
Sulejman Mehazi

Edhe profesori Sulejman Mehazi, për “Bota sot” ka thënë se lëvizjet miqësore diplomatike që kanë nisur në mes Greqisë e Kosovës dhe vizitat për një kohë të shkurtërm janë sinjal për ta njohur Greqia Republikën e Kosovës.

“Lëvizjet miqësore diplomatike që kanë nisur në mes Greqisë e Kosovës vërehen nga Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias, i cili deklaroi se e përkrah liberalizimin e vizave për Kosovën. Ardhja e Nikos Dendias për së dyti herë për një kohë të shkurtër në Kosovë dhe ftesa e Donika Gërvallës nga Ministri i Jashtëm i Greqisë, Dendias, për të vizituar Greqinë na detyrojnë të themi se këto aterime vizitash Greqi-Kosovë e anasjelltas duken mizankena apo skena politike për ta njohur Greqia Republikën e Kosovës, dhe se pas Greqisë të gjitha shtetet evropiane që se kanë njohur Kosovën radhazi do ta njohin një nga një, së pari Greqia, së dyti vëllezërit e Greqisë, Qiproja do ta njohë Kosovën e me pastaj me radhë”, është shprehur Mehazi.

Sipas profesorit, njohja e Kosovës nga Greqia do të jetë një debakël për Serbinë, të cilët janë irrituar pa masë.

"Njohja e Kosovës nga Greqia do jetë një debakël diplomatik e politik për Serbinë, e cila për shkak të takimeve diplomatike Kosovë-Greqi, qeveria e Brnabiqit e kryetari i Serbisë Vuciq janë irituar pa masë. Hidhërimet serbe ndaj Greqisë i ka shprehur edhe Vuçiqi që tha se: "Thellimi i raporteve mes Kosovës dhe Greqisë nuk janë lajm i mirë për Serbinë. Paralajmërimin për njohjen e Kosovës nga Greqia e jep edhe, Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhëniet Etnike i cili deklaroi se: “Greqia po shkon drejt njohjes së Kosovës”. Deklaratat nevrike serbe, vizita e dytë e Ministrit të Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendiad në Prishtinë dhe ftesa e Ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla për të vizituar Athinën tregojnë se Greqia së shpejti do ta njoh Republikën e Kosovës”, ka deklaruar Mehazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat