“Diplomatët analfabet u goditën fortë nga Donika Gërvalla”, ja çfarë do të ndodh tash në diplomaci

Politika

“Diplomatët analfabet u goditën fortë nga Donika Gërvalla”, ja çfarë do të ndodh tash në diplomaci

Nga: N.Sh Më: 2 qershor 2021 Në ora: 21:39
Donika Gërvalla

Disa ditë më parë, Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, së bashku me presidenten Vjosa Osmani kanë shkarkuar mbi 16 ambasadorë e konsuj të Kosovës nëpër vende të ndryshme të botës.

Të gjithë këta, sipas kryediplomates ishin të emëruar politikisht, derisa ka shtuar se, do të bëjë ndryshime të thella në diplomaci.

Pas shkarkimit shumica e diplomatëve e pranuan vendimin, derisa Gjergj Dedaj që ishte ambasador në Maqedoni, kishte kërcënuar se nuk do ta lëshoj postin e tij deri në përfundim të mandatit.

Mirëpo, Dedaj nuk e mbajti premtimin. Ai gjatë ditës së djeshme është larguar nga ambasada në Shkup.

Në lidhje me këtë çështje, ish-zëvendësministri i MPB-së, Hajrullah Tërnava, thotë se, këto shkarkime kanë ndodhur për të vendosur rend dhe rregull në rrjetin diplomatik.

Sipas tij, tash do të emërohen diplomatë të karrierës nëpër ambasada dhe sipas Gërvallës, nuk do të ketë më konsuj politikë në qeverisjen e Kurtit.

“Ministrja e jashtme, Donika Gërvalla është një personalitet me një edukatë patriotike, sepse dihet mirë vajza e kujt është, prandaj edhe jeta ia ka imponua qysh nga fëmijëria e saj për të jetuar jashtë Kosovës, dhe si e tillë është shkolluar në shtetin e Gjermanisë, ku ka kryer fakultetin juridik, dhe ka qenë nonstop aktive për qëllimet që i kanë preokupuar të gjithë shqiptarët. Prandaj ajo me aktivitetet e sajë është e kuptueshme se ka qenë në rrjedha të ndodhive për Kosovën në të gjitha kohërat qysh nga të 90, e sidomos e njeh mirë jetën e ambasadorëve dhe konsullatave që i zhvillojnë aktivitetet e tyre jashtë Kosovës, sidomos mbas çlirimit dhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës”, shprehet Tërnava.

Image
Hajrullah Tërnava

Sipas tij, Donika Gërvalla ka qenë aktive dhe ka pasur kontakte me përfaqësues të ndryshëm të Kosovës, e sidomos i ka përcjellë edhe emërimet e përfaqësuesve diplomatik që e përfaqësojnë Kosovën në shtete të ndryshme.

“Shumicën e atyre përfaqësuesve edhe gjatë aktiviteteve të saja i ka njohur apo ka pasur mjaftë të dhëna për ta, emërimet e tyre që i kanë bërë partitë e ndryshme që e kanë udhëhequr këtë ministri të jashtme, e që i kanë emëruar pa ndonjë kriter të posaçëm, që është dashur qysh me kohë ti kishin parasysh ato kritere: si të shkollimit, të pastërtisë se tyre moralo-politike, familjarizimit-nepotizmit etj, prandaj duke i pasur këto njohuri dhe përvoja nuk e ka pasur të vështirë për ti zbuluar këto skandale të mëdha të emërimeve dhe gradimeve pa kurrfarë kriteresh në Ministrinë e Punëve të jashtme përgjatë mandateve të kaluara”, potencon eksperti i sigurisë.

Ai tutje shprehet se gjatë raportimit para Komisionit të Punëve të Jashtme në Kuvendin e Kosovës, Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka thënë se në Ministri ka gjetur një mal të shkeljes së kritereve.

“Ajo ka thënë se edhe stafi administrativ është avancuar e graduar në nivel diplomatik, kështu që në zyrën e IT-së është vetëm një zonjë që kujdeset për sistemin, Brenda Ministrisë dhe jashtë saj nëpër ambasada, pasi të tjerët janë̈ bërë̈ diplomatë. Sipas ministres Gërvalla, kjo nënkupton që do të ndërtohet shumë me kujdes edhe akademia diplomatike që i ka munguar deri tash Kosovës, e që duhet t’i përgatisë diplomatët seriozisht dhe mbi baza tërësisht profesionale. Tani kur e kemi situatën e tillë kaq të ndërlikuar në këtë ministri, gjërat nuk do të jenë të lehta për një kohë të shkurtër që të reformohen dhe vendosja në binar i kësaj strukture e cila është̈ politizuar skajshmërish, familjarizuar dhe klanizuar për plot 13 vjet të funksionimit të MPJ-së”, potencon ai.

Tërnava shton se një veprim i tillë sikur e ka filluar Gërvalla, do t’i ndihmoj këtij institucioni që njëherë e mirë të spastrohet nga ata që nuk e meritojnë të jenë në marrëdhënie pune në këtë ministri.

“Ky pastrim do të ishte edhe një lloj VETTINGU në rrjetin diplomatik të degraduar të Kosovës, për këto vite nga klientelizmi dhe familjarizimi i interesave të ngushta grupore e politike, që për pasojë është dëmtuar edhe imazhi i shtetit të Kosovës, në shumë vende mike të cilat në të kaluarën kanë lobuar për njohje të reja, e të cilat ka kohë që janë̈ ndaluar. Ka kohë të konsiderueshme që në këtë institucion, në Ministrinë e Jashtme, janë punësuar njerëz pa merita dhe kritere, me të njohshëm, i ka kontribuar situatës në të cilën tani gjendet Kosova, prandaj s’është çudi që ka stagnuar procesi i njohjeve të reja nga shtetet tjera që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, prandaj këto praktika të deritashme duhet shumë ashpër të luftohen, që ky institucion njëherë e përgjithmonë të spastrohet nga ata që se meritojnë të jenë në marrëdhënie pune në këtë institucion kaq të rëndësishëm për shtetin e Kosovës”, përfundon Hajrullah Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat