“Bota sot” ka bërë histori dhe ka mbetur në histori!

Politika

“Bota sot” ka bërë histori dhe ka mbetur në histori!

Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi Më 26 qershor 2021 Në ora: 10:02
Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi

Gazeta "Bota sot" sot mbush 26 vite! Me shumë se një çerek-shekulli. Është ndër pak gazetat në gjuhën shqipe e të përditshme me një jetë kaq të gjatë. Po pse gazeta "Bota sot" qëndron në tregun mediatik kaq gjatë?

Sepse ajo nga dita e parë e deri në fund i qëndroi besnik lexuesit të saj atdhetar e nacionalist! U përpoqën këta që sot janë bërë bashkë me Serbinë e Aleksandër Vuçiq që ta denigrojnë, ta shajnë, ta eliminojnë, madje edhe ta terrorizojnë. Por nuk ia dolën. Sepse idealet janë më të fuqishme dhe kurthet, intrigat, presionet, vrasjet e gazetarëve, çdo arrogancë e çdo kriminel dështon para idealizmës për Atdheun, për kombin, për lirinë dhe dinjitetin njerëzor!

Dje ishte 16 vjetori i vrasjes së gazetarit të shquar të kësaj gazete, Bardhyl Ajeti. U vra një ditë para se të festohej dhjetë vjetori i "Bota sot"! Në fakt qëllimi ishte të vritej vetë gazeta! Kush e vrau Bardhylin, Bekimin e të tjerë gazetarë të kësaj medie prestigjioze, pas çlirimit të Kosovës nga Serbia?! Kush dha urdhër dhe cili ishte qëllimi e shkaku i kësaj tragjedie?! Drejtësia nuk foli deri më sot për këto vrasje! Ndaj dhe Bota sot nuk u ndal së kërkuari drejtësi, edhe të Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë! Duhet të shpresojmë se në atë gjykatë do të provohet e vërteta!

LEXO EDHE: 26 vjet me gazetën “Bota sot”, gazeta e guximit intelektual e qytetar, që ndryshoi botën e shqiptarëve

E vërteta dhe e drejta është parimi themelor i kësaj gazete. Nëse i përmbahesh këtij parimi, do të kesh gjithmonë sukses dhe do të mbetesh në histori. "Bota sot" ka bërë histori dhe ka mbetur në histori si gazetë që përçon idetë dhe ndjenjat kombëtare të shqiptarëve pa hakmarrje, pa nxit urrejtjen e dasinë. Ajo ka qenë dhe mbetet një gazetë e balancuar e në ekuilibër që predikon harmoninë, por që edhe denoncon padrejtësinë! Harmonia dhe respekti qytetar, fetar, politik e social është thelbi i trajtesave të saj!

Janë pikërisht këto tipare që e kanë dalluar gazetën, themeluesin e drejtuesin, zotin Xhevdet Mazrekaj, si dhe stafin e saj nga shumica dërmuese e medieve të shkruar ose vizive e audio, si dhe në portale a të formave tjera në gjuhën shqipe në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi. Mediet shqiptare, fatkeqësisht në shumicë prej tyre, bëjnë kompromise të dhimbshme me parimet, deri me interesat e atdheut e të kombit! Bota sot është modeli i sakrificës në emër të interesave të Kosovës e të shqiptarëve në Ballkan!

Të jesh në mbështetje të së drejtës kombëtare të shqiptarëve është e vështirë si në Prishtinë, edhe në Tiranë. Sepse ky pozicion shoqërohet me bllokime fondesh e reklamash, me izolim financiar dhe diskriminim në shpërndarjen e fondeve publike e donacioneve. Dhe e gjitha kjo bëhet me qëllim që mediat si "Bota sot" të falimentojnë. Por kur përfaqëson shpirtin e popullit, atëherë falimenti është i huaj për një medie të tillë. Vetëm sakrifica është aty, e pranishme.

E ndërkaq të sakrifikosh për vendin tënd, pra për kauzën atdhetare, është krenari dhe kënaqësi e pamasë! E tillë është gazeta "Bota sot", drejtuesi dhe stafi i saj i shkëlqyer!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat