Rreziku nga Serbia për padinë për gjenocid, si duhet të veprojë Kosova?

Politika

Rreziku nga Serbia për padinë për gjenocid, si duhet të veprojë Kosova?

Nga: A.SH Më: 1 korrik 2021 Në ora: 14:41
Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar padi ndaj Serbisë për gjenocidin e bërë gjatë kohës së luftës.

Por, pasi që Kosova nuk është pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, një padi të tillë do të duhet të ngritët nga një vend tjetër i cili është pjesë e kësaj organizate.

E, një gjë të tillë mund ta bënte Shqipëria, ka deklaruar Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu.

Lidhur me këtë, analisti Leon Duhanaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se padia ndaj Serbisë është shumë më komplekse.

“Tematika rreth padisë së mundshme ndaj Serbisë për gjenocid, për mendimin tim, është shumë më komplekse sa që po e trajton Qeveria Kurti dhe disa segmente të opinionit publik. Është e vërtetë që Serbia ka bërë krime të llahtarshme kundër shqiptarëve dhe madje si pasojë e këtyre krimeve kemi ndërhyrjen ushtarake të NATO-s, gjë që vetë ndërhyrja e bazuar mbi aspektin humanitarë flet vetë”, ka thënë ai.

Ai tregon ku qëndron ajo që e bën komplekse këtë çështje.

“Megjithatë, mendoj që tematika e akuzave dhe padive për gjenocid në raport me të drejtën ndërkombëtare, ka disa specifika të cilat e bëjnë shumë me komplekse një gjë të tillë. Arsyeja qëndron në faktin se në raport me ligjet dhe drejtësinë në përgjithësi, e në atë ndërkombëtare në veçanti, rezultati i një procesi të tillë varët shumë për të mos thënë ekskluzivisht nga vullneti politik dhe klima rreth temës së caktuar në marrëdhëniet ndërkombëtare. Nuk duhet të shtrohet pyetja se a do ta bënte Shqipëria një padi formale, sepse Shqipëria është shteti amë i shqiptarëve dhe ka obligim edhe të hyjë në luftë për ta. Por, pyetja duhet të shtrohet; cili kishte me qenë rezultati i një padie të tillë, nëse për ketë nuk ka një lloj konsensusi në mes të disa akterëve të rëndësishëm. Momentumi i tanishëm është tejet i pafavorshëm për një hap të tillë, sepse në rast se do të dëshironim, kishte me qenë një grusht i rëndë për Kosovën dhe shqiptarët në procesin që po kalojmë. Këtë e them sepse momentalisht nuk shoh në horizont vullnet politik për një temë të tillë”, shpjegon Duhanaj.

Ai shprehet skeptik për këtë, duke shtuar se shqiptarët duhet ta kuptojnë një fakt, se drejtësia ndërkombëtare bën aq sa i mundëson vullneti politik ndërkombëtar, por thotë se Kosova duhet të investojë në grumbullimin e fakteve dhe plotësimin e lëndës për një padi të mundshme.

Ai përmend edhe paditë e Kroacisë dhe Bosnjës dhe nga ku Serbia doli pothuajse e pastër duke gjetur rrugë për ta zhvendosur përgjegjësinë penale.

“Jam i bindur se edhe pse Vuçiq deklarohet kinse me kundërshtime kundrejt kësaj teme, në fakt bazuar në klimën ndërkombëtare shpreson që ky hap të ndodhë tani dhe ta shndërrojë në një fitore të madhe për Serbinë, sepse një dështim i tillë kishte me qenë fitore e paparë për propagandën serbe. Serbia e di mirë ketë, pasi që e ka pësuar vetë nismën kundër Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), duke marrë hapa të pakoordinuar apo pa mbështetje ndërkombëtare, ku Kosova e fitoi rastin. Shqiptarët duhet ta kuptojnë një fakt, se drejtësia ndërkombëtare bën aq sa i mundëson vullneti politik ndërkombëtar. Pos kësaj, i kemi edhe rastet e freskëta të padive të Kroacisë dhe Bosnjës dhe nga ku Serbia doli pothuajse e pastër duke gjetur rrugë për ta zhvendosë përgjegjësinë penale. Mendimi im është se Kosova duhet të investojë në grumbullimin e fakteve dhe plotësimin e lëndës për një padi të mundshme në një kohë kur problemi politik i Kosovës të jetë mbyllur. Ndryshe, kam drojë se veç se në rast dështimi do t'i bëjmë një argat të Serbisë”, përfundon Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat