Arsyet/ Ja pse Vuçiq dhe Vulin janë të tmerruar nga Vjosa Osmani

Politika

Arsyet/ Ja pse Vuçiq dhe Vulin janë të tmerruar nga Vjosa Osmani

Nga: P.R Më: 8 korrik 2021 Në ora: 21:08
Foto ilustrim

Ministri i Punëve të Brendshme në Serbi, Aleksandar Vulin, e ka fyer rëndë presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmanin.

Vulin e nxori nga konteksti deklaratën e Osmanit dhënë për “Der Spiegel”, dhe si kundërpërgjigje e ka fyer për fizikun e saj.

“Nëse Osmani do të kishte fytyrë siç e ka barkun, për gënjeshtrat që thotë, gjatë do të përkulej para ‘shtëpisë së verdhë, ka thënë Vulin.

E kjo nuk është hera e parë që zyrtarët serb përdorin fjalë fyese ndaj presidentes Osmani dhe politikanëve tjerë në Kosovë.

Lidhur me fyerjet ndaj Vjosa Osmanit nga Aleksandër Vulin, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

Bytyçi thotë se reagimi nga Vulin erdhi pasi Osmani e akuzoi Serbinë për gjenocid në intervistën dhënë për “Der Spiegel”.

“Në nisje të datës 6 korrik revista prestigjioze gjermane “Der Spiegel” publikoi në faqen e saj online intervistën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. Në këtë intervistë zonja Osmani ka akuzuar Serbinë për gjenocid kundër shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve 1990, sidomos gjatë pranverës së vitit 1999 dhe ka kërkuar që Beogradi të kërkojë ndjesë e të ulet në gjuhë para popullit shqiptar të Kosovës për krimet gjenocidale të saj. Për këtë ka përdorur rastin e ish-kancelarit gjerman të fillimit të viteve 1970, Ëilly Brandt, kur ai u ul në gjunjë, duke u kërkuar falje polakëve për krimet naziste të Luftës së Dytë Botërore”, u shpreh Bytyçi.

Sipas tij, kërkesa e autoriteteve të Kosovës për ndjesën serbe ndaj shqiptarëve, është minimumi që duhet kërkuar dhe realizuar.

Image
Enver Bytyçi

“Nëse nuk ndodh kjo, atëherë konflikti ruhet gjithnjë nën hirin e thëngjijve dhe shpërthen në çdo kohë që do të dalin politikanë të çmendur në Serbi. Në fakt një nga këta të çmendur është ministri i Punëve të Brendshme, Aleksandër Vulin. Ai sot iu përgjigj presidentes së Republikës së Kosovës me një gjuhë vandalësh dhe të njerëzve të rrugës, njësoj si edhe anëtarët e Berretave të Kuqe të Arkanit dhe Sheshelit”, shprehet Bytyçi për “Bota sot”.

Ai shton se ekzistojnë jo vetëm prova konkrete, por edhe dokumente dhe programe e projekte të Serbisë për asgjësimin e elementit shqiptar në Kosovë.

“Në deklaratën e tij Vulin ka fyer rëndë personalitetin njerëzor të presidentes së Republikës së Kosovës, duke vënë shenja ekuivalence ose disekuivalence të organeve të trupit të njeriut. T’i përgjigjesh një psikomanni si Vulin, qenka vërtet shumë e vështirë. Por po përpiqem të analizoj depresionin e tij. Duket qartë se politikanët serbë janë vënë para një alternative, të cilën ata nuk e kishin menduar më parë. Kërkesa për ndjesë e presidentes së Kosovës, po ashtu kryeministrit e më tej e të gjithë politikanëve shqiptarë në Ballkan është një e drejtë legjitime, e pakontestueshme. Se masakrat në Kosovë, si dhe deportimet e shpërnguljet e popullsisë, djegiet e shkatërrimet, përdhunimet dhe aparteidi dhjetëvjeçar, ishin gjenocid me qëllimin spastrimin etnik të shqiptarëve, edhe kjo nuk ka nevojë as për analizë, as për t’u vërtetuar, as për ta provuar. Ekzistojnë jo vetëm prova konkrete, por edhe dokumente dhe programe e projekte të Serbisë për asgjësimin e elementit shqiptar në Kosovë”, nënvizon profesor Bytyçi.

Ai thotë Vulin dhe Vuçiq janë të tmerruar nga këmbëngulja e Vjosa Osmanit.

“Që të gjitha këto përbëjnë akte gjenocidiale të autorizuara nga shteti i Serbisë edhe kjo është shumë lehtë e vërtetueshme bazuar në konceptet dhe nocionet që trajtohen në Kartën e OKB-së dhe dokumentet e tjera ndërkombëtare, së paku nga viti 1948 e këtej. Dhe se Vulin, Vuçiq, Daçiq e të tjerë liderë të sotëm të Serbisë ishin njerëzit që hartuan projektet e genocidit në Kosovë, edhe kjo është e qartë si drita e diellit. Prandaj dhe Vulin, Vuçiq e të tjerët janë të tmerruar nga kërkesa dhe këmbëngulja e Vjosa Osmanit për përulje të qeverisë së sotme serbe për këto vepra barbare”, shprehet Bytyçi.

“Por deklarata e Vulin dëshmon jo vetëm frikën e ankthin nga ndëshkimi kombëtar i Serbisë dhe personal i tyre për shkak të gjenocidit në Kosovë. Ajo deklaratë duhet denoncuar nga institucionet e Kosovës në të gjitha kancelaritë euro-amerikane, me qëllim që të kuptohet se lidershipi i sotëm serb nuk ka asnjë ndryshim nga lidershipi i kohës së Milosheviçit. Jo vetëm si pjesëmarrje fizike, por edhe si mentalitet, ideologji dhe psikologji”, shton profesor Bytyçi.

Sipas tij, deklarata e Vulinit është arsye e mjaftueshme që qeveria e Kosovës dhe kryeministri Kurti të vendosin si kusht në dialog njohjen e gjenocidit, kërkimin e ndjesës dhe përuljen e Beogradit para viktimave të tyre, shqiptarëve.

“E thashë në fillim, kjo është thjesht prologu i dialogut. Vetëm pas këtij akti mund të vijohet më tej në bisedime. Natyrisht, në asnjë rast zoti Kurti nuk duhet të refuzojë takimet për biseda e dialog. Por në çdo rast duhet ta nisë dialogun me kërkesën e përuljes së udhëheqësve serbë para viktimave shqiptare që ata shkaktuan në Kosovë para 22-23 vitesh. Nuk ka asnjë ndërmjetës ndërkombëtar që mund ta kontestojë këtë kërkesë”, deklaron Bytyçi.

Më tej, Bytyçi thekson se disa çështje që Vulin i ngre në reagimin e tij kundër Vjosa Osmanit, nuk do të kenë nevojë për argumente shtesë.

“Psh Shtëpia e Verdhë, trafikimi i organeve, çështja e manastireve të vitit 2004 e të tjera që Vulin përmend në deklaratën e tij do të pësojnë fiasko që minutat e para të takimit të parë të radhës, sepse nuk ka asnjë akuzë, jo më prova e fakte për këto akuza që ngre Beogradi, qëllimisht që ai të baras vlerësojë gjenocidin e tij me disa krime spontane, pa program e pa projekt, madje në zemërim e sipër të shqiptarëve kundër një numri shumë të pakët serbësh, gjë që ndodh në çdo konflikt në botë dhe është e pamundur të parandalohet”.

Për fund, Bytyçi thotë se Aleksandër Vulin duhet të shpallet person non grata në Kosovë.

“Për të mos u akuzuar se Kosova bëhet pengesë e dialogut, duhet që autoritetet e Kosovës të refuzojnë çdo kontakt me Aleksandër Vulin dhe ta shpallin non grata për të hyrë përgjithmonë në Kosovë. Duke marrë këtë vendim, i dëshmon jo vetëm qeverisë, por edhe qytetarëve serbë se Kosova është de facto shtet I pavarur e Sovran, edhe nëse presidenti dhe ministry serb I Punëve të Brendshme e konsiderojnë “të ashtuquajtur shtet të Kosovo-Metohisë“. Veprimet e autoriteteve të Kosovës duhet të bëhen me pikësynimin që të binden serbët se shteti i Kosovës ekziston dhe do të ekzistojë sa të jetë jeta, pavarësisht e njeh apo nuk e njeh Beogradi”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat