Publicisti: 3 nga 4 të arrestuarit e Hagës nuk ishin pjesë e luftës, ja pse po hesht PDK-ja për ftesën për Bregoviçin në Korçë

Politika

Publicisti: 3 nga 4 të arrestuarit e Hagës nuk ishin pjesë e luftës, ja pse po hesht PDK-ja për ftesën për Bregoviçin në Korçë

Nga: A.Zh Më: 11 gusht 2021 Në ora: 17:32
Edi Rama, Goran Bregoviç, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli

Publicisti dhe njohësi i ҫështjeve politike, Idriz Zeqiraj, ka folur për ftesën për këngëtarin boshnjako-serb Goran Bregoviç në “Festën e Birrës” në Korçë.

Ai ka thënë se Bregoviç, gjatë luftës me këngët e tij, ka ushqyer nacionalizmin serbomadh, duke e frymëzuar dhe motivuar për luftë soldateskën millosheviçiane, kundër popujve të tjerë joserbë.

“Arti është i përbotshëm dhe nuk duhet të këtë paragjykime dhe, aq më pak, barriera. Gjuha e këngëve, ritmeve të tyre, janë të kuptueshme, të përjetueshme për të gjithë, pavarësisht popujve, racave, përkatësive fetare. Pra, këngët, me shumëllojshmërinë e meloseve, janë ushqim i shpirtrave njerëzor. Por, rasti i këngëtarit serb, Goran Bregoviçit, bën përjashtim nga përbotshmëria e këngëve dhe e këngëtarëve tjerë normal. Sepse, përgjatë luftës në ish-Jugosllavi, ai, me këngët e tij, ka ushqyer nacionalizmin serbomadh, duke i frymëzuar dhe motivuar për luftë soldateskën millosheviçiane, kundër popujve të tjerë joserbë”, ka thënë Zeqiraj për gazetën “Bota sot”.

Image
Idriz Zeqiraj

Sipas tij, shqiptarët ndihen të fyer dhe të provokuar nga përzgjedhja e Bregoviçit për festën, simbol të kulturës shqiptare.

“Përzgjedhja, pikërisht, e Goran Bregoviçit, është një përdhosje e shenjtërisë të "Festës të Birrës", tradicionale për "Korçën plakë, për Korçën nuse", Korçën - simbol të kulturës shqiptare. Si e tillë, Korça, në veçanti, dhe shqiptarët në përgjithësi, me praninë e këngëtarit kontravers dhe, bindshëm, të kontestuar, Goran Bregoviç, ndjehen të fyer dhe fort të provokuar, duke zbehur dhe vet shkëlqimin e kësaj feste, tashmë, popullore dhe memëzi të pritshme”, është shprehur publicisti.

Zeqiraj ka komentuar edhe heshtjen e partive opozitare në Kosovë, për këtë çështje. Sipas Zeqiraj, Partia Demokratike e Kosovës, po saboton “patriotizmin” dhe po dëshmon se ajo kurrë nuk arriti të tejkalojë konturet e ideologjisë social-komuniste.

“Heshtja e partive opozitare të ekstremit të majtë, në veçanti e PDK-së, e cila "mbahet për patriotizëm", duke pretenduar të jetë edhe "ADN-ja e UÇK-së", por, realisht, është sabotuese e saj, që, asnjëherë nuk arriti të organizojë formacionet ushtarake në luftën e Kosovës, është dëshmi e aleancës të kuqe të PS-së të Edvin Ramës. PDK-ja kurrë nuk arriti të tejkalojë konturet e ideologjisë së mykur social-komuniste. Ajo ishte dhe mbeti rob i kësaj ideologjie, e cila e rreshtoi Shqipërinë, për afro gjysmë shekulli, në kampin armik lindor, të prirë nga Rusia në botë dhe Jugosllavia në Ballkan. Për rrjedhojë, izoloi Shqipërinë, i ngujoi shqiptarët në burg kolektiv, i varfëroi, i maltretoi dhe i poshtëroi keqa ata”, ka theksuar më tej njohësi i çështjeve politike.

Ai ka kritikuar edhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, duke thënë se bashkë me PDK-në, po proklamohen si të djathta, ndërkohë që janë ekstremi i majtë.

“Mashtrueshëm e rrejshëm proklamohen si të djathta, partitë-banda, PDK dhe AAK, të koalicionuara në PAN. Ndërkohë që janë ekstremi i majtë, krejt të panatyrshme për popullin shqiptar, orientimi i të cilit ka qenë pro-perëndimor, i shpërfaqur qysh në shekullin 19-të, i përfaqësuar nga Konica, Fishta, i pasuar nga Mbreti i Shqiptarëve Zogu i Parë dhe plejadën e ndritshme të rilindasve tanë të zëshëm”, ka thënë Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.

Sipas tij, PDK-ja po shtiret se është pro-evropiane dhe pro-amerikane, pasi heshtja për ftesën provokative për Bregoviçin, po dëshmon se ajo është e lidhur ngushtë me Partinë Socialiste të Edi Ramës. Sipas tij, "patriotizmi" i PDK-së me aleatë është "në bisht të lahutës".

“PDK-ja, me aleatët e saj, shtiren se janë pro-evropianë, pro-amerikanë. Por, në fakt, me veprimet e saj, është ngushtësisht e lidhur me PS-në e Ramës dhe është në një linjë me atë, madje, në të gjitha qëndrimet politike. Vazhdë e kësaj ndërvartësie, është edhe heshtja aktuale, e cila flet mjaftueshëm, për rastin e ftesës provokative, për këngëtarin serb Goran Bregoviç. Kjo do të thotë se "patriotizmi" i PDK-së me aleatë, është "në bisht të lahutës"!”, është shprehur ai.

Publicisti më tej ka hedhur akuza ndaj PDK-së, duke përmendur të bëmat e saj për ta “përvetësuar luftën e pabërë nga ajo”.

“Slogani "Liria ka emër", i proklamuar bujshëm, nga PAN-i, sidomos nga PDK-ja, është përpjekje e dështuar e radhës, për ta përvetësuar luftën e pabërë të saj. LPK-ja, krahu puçist, i dominuar nga klani i Drenicës, shkarkoi Kryesinë e hershme, nën akuzën e rëndë të tradhtisë. Pastaj, sulmoi Dr. Rugovën dhe LDK-në e tij, me ngulmimin për ta konvertuar krahun e armatosur FARK, në Shtabin fiktiv të "UÇK-së të LPK-së", e cila mbeti në letër, pa arritur kurrë të organizohet për luftë efektive. Dhe, këtë e pranojnë vetë themeluesit e saj”, ka thënë Zeqiraj.

Ai ka thënë se "Shtabi i UÇK-së i LPK-së", ka pasur vetëm "komandantë" pa ushtarë, duke përmendur këtu edhe ish-presidentin e vendit Hashim Thaçin. Sipas tij, ky Shtab nuk ka shënuar asnjë betejë me formacione ushtarake.

“Hashim Thaçi, me bandën e tij, në koordinim me Tiranën zyrtare social-komuniste dhe disa shtete armike të Kosovës, sabotuan dhe e dështuan hyrjen në luftë të kësaj "UÇK-je" fantomë! Rrjedhimisht, PAN-i mburret e feston betejat ushtarake të FARK-ut, por, nën siglën e "UÇK-së" së tyre! Dihet botërisht, se "Shtabi i UÇK-së të LPK-së", ka pasur vetëm "komandantë" pa ushtarë. Nuk kanë shënuar asnjë betejë me formacione ushtarake, nuk kanë arritur të shmangin asnjë nga 420 masakrat serbo-sllave në Kosovë!”, ka theksuar analisti.

Ai shkon më tej, duke thënë se Slogani "Liria ka emër", që u referohet të katër të arrestuarve në Hagë, është një falsifikim banal. Kjo, pasi sipas tij, tre nga katër të arrestuarit e Hagës, nuk kanë qenë fare pjesë e luftës, por janë shquar për eliminimin fizik të kundërshtarëve politikë dhe rivalëve të mundshëm. Zeqiraj ka theksuar se pikërisht kjo është arsyeja e heshtjes së PDK-së për ftesën për Bregoviçin.

“Slogani "Liria ka emër", që u referohet të 4 (katër) të arrestuarve në Hagë, është një falsifikim banal. Sepse, tre prej tyre nuk janë as themelues të UÇK-së, as drejtues, as komandantë, as oficer, dhe as ushtarë të UÇK-së. Pra, nuk kanë qenë fare pjesë e luftës. Por, janë shquar në luftimin, deri në eliminimin fizik të kundërshtarëve politikë dhe rivalëve të mundshëm, kuadro të LPK-së të hershme. Pikërisht, për këtë heshtë, nuk reagon opozita, PAN-i, i kryesuar nga PDK-ja, për kryetarin Bregoviç, të ftuar zyrtarisht në "Festën e Birrës", në Korçë, edhe pse dihet se ai ka motivuar kriminelët serbë për luftë, kundër shqiptarëve, gjatë luftës në Kosovë”, ka thënë ai.

Publicisti ka shtuar opozita është ende e shokuar nga humbja në zgjedhjet e 14 shkurtit dhe nuk po arrin të pajtohet me rënien e saj.

“Opozita partiake e Kosovës, e refuzuar me përbuzje nga populli, me votën e tij në zgjedhjet qendrore të 14 shkurtit 2021, është e shokuar dhe nuk po arrin të pajtohet me rënien rapide dhe të pashpresë të ringritjes të sërishme. Sepse implikimi inkriminues në vrasjet seriale dhe hajninë industriale zyrtare, tashmë, të dëshmuar, është hendikep për reformim dhe tejkalim të gjendjes, pothuajse, komo të saj!”, ka përfunduar njohësi i çështjeve politike Idriz Zeqiraj.

“Festa e Birrës” në Korçë, do të mbahet më 18-22 gusht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat