Izraeli mund të ia sjell Kosovës disa njohje – kjo e çmend Vuçiqin

Politika

Izraeli mund të ia sjell Kosovës disa njohje – kjo e çmend Vuçiqin

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 12 gusht 2021 Në ora: 08:10
Flamuri i Kosovës dhe ai i Izraelit

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e ri të Izraelit, Isar Herzog.

Presidenti serb gjatë bisedës i ka shprehur zhgënjimin Izraelit për njohjen e Kosovës.

Edhe pse kjo njohje ka ardhur si proces i marrëveshjes së Uashingtonit, e cila është mbajtur mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e ish-presidentit Donald Trump, më 4 shtator të vitit të kaluar.

Gjithashtu sipas raportimeve Vuçiq ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim mes Serbisë dhe Izraelit.

Qarri: Njohja e Kosovës nga Izraeli, fakt i pakthyeshëm

Image
Gani Qarri

 

Analisti politik Gani Qarri, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se ajo çfarë ka shprehur presidenti serb të presidenti izraelit është arsyetim për mos përmbushjen e obligimit që ai dhe shteti serb ka në bazë të marrëveshjes së Uashingtonit, për transferimin e ambasadës së Serbisë në Jerusalem.

“Siç dihet tanimë publikisht nga opinioni vendor dhe diplomacia ndërkombëtar njohja e ndërsjellë në mes të Kosovës dhe Izraelit ishte sponsorizuar nga miku më i madh i Kosovës dhe shqiptarëve kudo në botë, SHBA-të, njohje e cila vinte si pako në kuadër të marrëveshjes për normalizimin ekonomik të arritur më 4 shtator të vitit 2020, në Uashington. Madje marrëveshja e nënshkruar, në prani të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, parashihte hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem si dhe zhvendosjen e ambasadës së Serbisë nga Tel Avivi po ashtu në Jerusalem, marrëveshje të cilën Kosova e ka përmbushur, por jo edhe Serbia megjithëse atë e ka nënshkruar edhe vet presidenti serb Aleksandër Vuçiq, por edhe pse ka kaluar gati një vit, ambasada e Serbisë ende nuk është transferuar në Jerusalem. Kështu që me pretekstin se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli ka qenë zhgënjyese për Serbinë, Vuçiq pikësëpari po përpiqet të arsyetohet para Izraelit për mos përmbushjen e obligimit që ai dhe shteti serb ka në bazë të marrëveshjes së Uashingtonit, për transferimin e ambasadës së Serbisë në Jerusalem”, ka thënë analisti.

Sipas tij, njohja e Kosovës nga Izraeli është fakt i kryer dhe i pakthyeshëm.

Ai shton, se Serbia po kërkon në mënyrë të tërthortë, që Izraeli të mos ndikojë edhe te vendet tjera për njohjen e Kosovës.

“Ndërsa me kërkesën drejtuar Izraelit për respektimin procesit të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i vetëdijshëm se për çnjohjen e Kosovës nga shteti hebraik as që mund të bëhet më fjalë dhe njohja e Kosovës nga Izraeli është akt i pakthyeshëm, ai tani po kërkon në mënyrë të tërthortë, që Izraeli të mos ndikojë edhe te vendet tjera për njohjen e Kosovës. Prandaj, jo vetëm se nuk ka asnjë rrezik për tërheqjen e njohjes nga Izraeli, si shtet i lidhur fort dhe gjithanshëm me SHBA-të, por ekziston mundësia që Izraeli të ndikojë pozitivisht edhe në Vatikan dhe tek shteti grek, për përshpejtimin e njohjes së Kosovës, njohje të cilat mund bëhen referencë mjaft e mirë edhe për shtetet që ende nuk e kanë njohur vendin tonë, që ta bëjnë këtë veprim të rëndësishëm. Ky akt do të forconte edhe më tepër shtetësinë e Kosovës, rritë faktorizimin e saj në botë dhe avancon pranimin e Republikës së Kosovës në OKB, që është edhe synimi më primar i popullit dhe shtetit tonë të pavarur”, përfundon analisti Gani Qarri për “Bota sot”.

Peçani: Kosova fitoi njohjen nga Izraeli, Serbia u dëshpërua

Image
Ruzhdi Peçani

 

Edhe analisti Ruzhdi Peçani, ka thënë se kur Kosova dhe Izraeli kanë vënë marrëdhënie diplomatike, Vuçiq kishte deklaruar se Beogradi s´është aspak i gëzuar.

“Presidenti Serbisë Vuçiq më 10 gusht, me rastin e bisedës telefonike, me Presidentin e Izraelit Isaac Herzog, do kishte shprehur dëshirën, se me udhëheqjen e re Serbia pret të avancoj marrëdhëniet bilaterale me Izraelin. "Presidenti Serbisë Vuçiq kishte thënë se pret nga Presidenti Herzog dhe Izraeli mbështetje të mëtejme për dialogun e Beogradit me Prishtinën, për zgjidhjen e çështjes së ndjeshme të Kosovës si të vetmen mënyrë, për Serbinë,”- ishte komunikata pas bisedës telefonike.

Në ditën kur Kosova dhe Izraeli kanë vënë marrëdhënie diplomatike, Vuçiq kishte deklaruar se Beogradi "s´është aspak i gëzuar" dhe se kjo nuk do ndikoj pozitivisht në marrëdhënien me shtetin e Izraelit”, është shprehur analisti.

Sipas tij, presidenti serb bisedën e vë tek qëllimi i tij, bisedë rreth Kosovës.

“Po cili do ishte qëllimi i Vuçiq me këtë bisedë që bëri?

Biseda si çdo bisedë mes presidentëve fillon me kurtuazi, dhe bisedën e rrëshqet te qëllimi, sipas tij me dina2këri, dhe kjo “…mbështetje për dialogun,…si të vetmen mënyrë për Serbinë,..”.Vuçiq , sikur don të testoj dhe “mati pulsin”, kur thotë për Kosovën - “Kosovë e Metohi”, pra do priste se a do ketë kundër reagim, nga që Izraeli ka njohur Kosovën. Kosova dhe Izraeli kanë lidhur marrëdhënie diplomatike më 1 shkurt 2021 dhe më 14 mars Kosova ka hapur ambasadën në Jerusalem, këtë se si do ketë reaguar Herzog nuk mund ta dinim dhe nuk mund të spekulojmë”, deklaron tutje analisti.

Ai më tej shprehet se, caku i Vuçiq ishte një tentim që sado pak të rehabilitonte raportin me Izraelin

“Mendoj, se caku i Vuçiq ishte një tentim që sado pak të rehabilitonte raportin me Izraelin, po përmes bisedës të “mati” pulsin e Presidentit Isaac Hezog, ngase ky kishte bërë mjaft deklarime që kishin irrituar Qeverinë e Izraelit. Serbia, bazuar në Marrëveshjen e Uashingtonit në shtator 2020, që kishte dy versione–njëri për Serbinë dhe tjetri për Kosovën. Në pikën e fundit Kosova ishte obliguar në njohjen reciproke me Izraelin, gjersa Serbia zotohej se gjerë më 20 shtator të hapi përfaqësinë konsullore dhe më së largu më 1 korrik 2021 të zhvendos ambasadën e sajë në Jerusalem. Qeveria e Izraelit nuk ka harruar këto zotime të dhëna në Uashington, po të freskët ka edhe deklaratën e fundit të Vuçiq më 1 korrik se Serbia do të veproj “në përputhje me të drejtën ndërkombetare, po edhe bazuar në interesat e saja”. Serbia e dinë mirë se sa është “pesha politike” për zhvendosjen e ambasadës në Jerusalem”, ka thënë Peçani.

Analisti mendon se Vuçiq pas kësaj bisede me Presidentin Izraelit Herzog nuk do jetë ndarë i kënaqur me të pritshmen që mund të ketë patur.

"Këto interesa kanë ndryshuar nga momenti kur Izraeli ka njohur pavarësinë e Kosovës. Vendimet për të ardhmen do i marrim duke respektuar miqësinë me Izraelin, por duke respektuar edhe veten”. Këtë ka deklaruar presidenti i Serbisë në ditën kur ka skaduar afati për zhvendosjen e ambasadës në Jerusalem. Shteti Izraelit ka njohuri të bollshme për Presidentin autokrat serb. Kanë njohuri për qëndrimin e tij në trarin luhatës, duke patur pak dashuri me Brukselin, pastaj me rusët, pastaj kinezët dhe se tërë kohën flirtonte me SHBA, para ardhjes së Presidentit Biden. Mendoj se Vuçiq dhe pas kësaj bisede me Presidentin Izraelit Herzog nuk do jetë ndarë i kënaqur me të pritshmen që mund të ketë patur”, potencon ai.

Ai me tutje thotë se, Vuçiq ka pasur edhe pritshmërit për një bashkëpunim ushtarak-ekonomik mes dy vendeve.

“Presidenti Vuçiq kishte theksuar edhe pritshmërinë për një bashkëpunim ushtarak-ekonomik! Dhe absurdi këtu qëndron, se në plan të parë ka vënë atë ushtarak. Çfarë ka menduar dhe si do e kishte marrë këtë presidenti Izraelit? Nëse Vuçiq do ketë menduar se në një të ardhme të afërt do blinte armatim dhe dron të sofistikuar Izraelit, mund ta ketë bërë nga nonshalanca. Kur dihet se shitja e armatimit izraelit të sofistikuar shkon në kohezion me SHBA. Mund të paragjykojmë se si do jetë ndjerë Presidenti serb Vuçiq në pyetjen që mund t´i jetë shtruar nga Herzog: Përse Serbia nuk i është mbajtur përmbushjes së zotimit?”, shpjegon Peçani.

Në fund ai, thotë se Serbisë i dhemb mospërmbushja e zotimit e cila do t´i sjellë “pasoja politike”.

Ai sa i përket njohjes shton se, Izraeli nuk është njëri nga shtetet e ujdhesave Maldive, ku Serbia mund të llogariste edhe në ç´njohje të Kosovës.

“Ajo që i dhemb Serbisë është se mospërmbushja e zotimit do t´i sjelli “pasoja politike”. Dhe këto pasoja kryesisht janë të lidhura ngushtë në raport me Izraelin. Të kujtojmë se shteti Izraelit kishte shpërfaqur zhgënjimin. Se presidenti serb Vuçiq mund të kishte patur qëllimin të nuhasë, se Izraeli mund të ketë dyzime për njohjen e Kosovës, edhe pas lidhjeve të krijuara diplomatike, do ishte një absurd në vete nga një shtet shumë serioz dhe i fuqishëm, si që është Izraeli. Izraeli nuk është njëri nga shtetet e ujdhesave Maldive, ku Serbia mund të llogariste edhe në ç´njohje të Kosovës”, përfundon analisti Ruzhdi Peçani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat