PDK në prag të përçarjes/Ky është parashikimi i një fundi tragjik!

Politika

PDK në prag të përçarjes/Ky është parashikimi i një fundi tragjik!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 13 gusht 2021 Në ora: 17:05
Memli Krasniqi dhe Ramiz Lladrovci

Zgjedhjet lokale mbeten një sfidë tashmë në vete për partitë politike në vend.

17 tetori është data ku do mbahen zgjedhjet lokale e që afrimi i kësaj date ka arritur të sjellë frikën tek partitë duke u munduar të zgjedhin kandidatët më të denjë për komuna.

Për të arritur deri tek vota e qytetarëve kandidatët dhe partitë në përgjithësi po përdorin mënyra të ndryshme, shkruan “Bota sot”.

Mirëpo si duket këto zgjedhje në PDK kanë arritur të sjellin përçarje në PDK.

Së fundmi ata të cilët u gjenden përballë kësaj përçarje janë Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci dhe Driton Ajazi nga iniciativa “Dekada e Re për Drenasin” që do të garojë në zgjedhje për kreun e kësaj komune.

Të dy kanë filluar “luftën” mes vete duke sjellur kështu një destabilizim të përkrahësve në qytetin e Drenasit.

E gjitha filloi kur dega e PDK-së në Drenas e kishte propozuar Driton Ajazin si kandidat për kryetar komune.

Kandidatura e tij nuk u zyrtarizua nga kryetari Memli Krasniqi i cili vendosi që të rikandidojë Ramiz Lladrovcin, kryetarin aktual të kësaj komune.

Ajazi njoftoi se do të garojë për kryetar të Drenasit me sloganin “Dekada e Re për Drenasin”.

Këtë slogan të iniciativës së Ajazit, Ramiz Lladrovci e ka quajtur kopje dhe keqpërdorim të motos së PDK-së.

Debatet mes vete po vazhdojn edhe ditëve në vijim mirëpo se a do të sjellë një përçarje më të madhe në këtë parti mbetët të shihet deri në muajin tetor ku edhe do të mbahen zgjedhjet lokale.

Ndërsa analistët për “Bota sot”, u shprehen që përçarja në mes vete në këtë parti veçse ka filluar mirëpo ata kandidimin e Ajazit e shohin si shenjë të mirë pasi sipas tyre çdo kandidat i ri mund të sjellë ndryshime në vend.

Qarri: Driton Ajazi “befasia” e zgjedhjeve lokale

Image
Gani Qarri

Në lidhje me këtë temë, analisti politik, Gani Qarri në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se Drenica ka kohë që i ka munguar pluralizimi politik dhe demokracia e mirëfilltë, ku ka munguar guximi i partive të tjera mirëpo edhe brenda PDK-së të kenë kandidatë të tjerë për komunë.

Ky mungesë guximi sipas analistët ka ardhur nga “komandatët”.

“Drenica dhe dy qytezat e vogla në përbërjen e saj, si Skënderaj dhe Drenasi të trajtuara si komuna, ku zgjedhjet lokale, mbahen me rregullat e parapara, si në gjithë Kosovën, që nga paslufta e këndej, dominon mënyra komuniste e sundimit dhe kandidimi monist me vetëm një kandidatë nga PDK. Në realitet, në këtë trevë, gjithmonë ka munguar pluralizmi politik, madje ende edhe sot e kësaj dite, mungon demokracia e mirëfilltë dhe sistemi i vërtetë shumë partiak, ku jo vetëm partitë tjera, që nuk kanë guxuar kurrë të shfaqen e përfaqësohen denjësisht, por edhe paraqitja e kandidimit të lirë, të më tepër se 1 apo dy kandidatëve, qoftë edhe të të njëjtës parti, si PDK, që ka qenë e vetmja e cila ka vepruar në rajon, gjithmonë ka munguar, apo ndoshta edhe është "ndaluar" tërësisht prej komandantëve”, u shpreh ai.

Më tej, analisti flet për kandidimin e Ajazit duke e parë kandidimin e tij si një risi për këto zgjedhje, njëkohësisht sfidë për Lladrovcin.

Driton Ajazi “frika” e radhës për PDK-në

Ai thotë se vetëm njoftimi se do të ketë një kandidatë tjetër nga një degë tjetër ka arritur në PDK të sjellë përçarje e nëse ndodh fitorja e tij mund të thellohet ajo.

“Ndaj paraqitja e Driton Ajazit nga Iniciativa “Dekada e re për Drenasin” për të kandiduar për kryetar të Drenasit, në këtë trevë me mendësi konservatore, është risi më vete, ku kandidatë nga partitë tjera ende nuk mund të garojnë lirshëm e në kushte të barabarta dhe vazhdojnë të mbeten të padëshiruar, madje edhe pengohet me çdo mënyrë pjesëmarrja e tyre. Prandaj kandidimi i Driton Ajazit, shihet si befasi dhe thyerje e traditës neokomuniste në këtë trevë, ku paraqitjet kanë mundur të bëhen vetëm me një kandidatë, ndërsa partitë të cilat nuk i kanë udhëheqësit nga Drenica, jo vetëm që nuk kanë pasur shans të kandidojnë, por edhe sot nuk janë të mirëseardhura dhe përveç PDK-së, pothuajse nuk ka as degë të fuqishme dhe plotësisht funksionale, të cilësdo parti tjetër në këtë regjion. Kështu që vetëm njoftimi se edhe nga një iniciativë e re, si ajo për Drenasin, e të mos flasim për paraqitjen e një kandidati nga një degë apo parti tjetër,përveç PDK-së, ka arritur të zgjoi pakënaqësi dhe shkaktoi “përçarje” të madhe mes kësaj Iniciative dhe PDK-së në Drenas, përkatësisht mes Ajazit dhe Lladrovcit”, theksoi analisti.

Nga ana tjetër analisti thotë konkurimi është i lirë për çdo kandidatë dhe se fitorja e tyre bëhet përmes votës së lirë të qytetarëve, kështu nëse arrihet që të ketë pluralizëm në këtë komunë atëhere pa dyshim që do të ketë përçarje në PDK, pasi sipas tij PDK që nga koha e Thaçit dhe Veselit kanë udhëhequr në Drenicë.

“Nëse vërtetë ndodhë që pas burgosjes nga Specialija të dy ish kryetarëve të PDK-së, Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, në Drenicë të prishet rendi monist dhe lejohet pluralizimi dhe modeli i konkurimit të lirë me dy kandidatë e më tepër, për sprovimin me konkurrencë demokratike të zgjedhjes së kryetarit, përmes votës së lirë të qytetarëve, dhe jo me diktim nga partia e PDK-së, si deri më tani, në kohën kur ka filluar shfaqja publike e pakënaqësive në të gjitha qytetet dhe degët e saj, në ndonjërën prej të cilave edhe janë dhënë dorëheqjet e para si ajo në Drenas, pa dyshim se do të shkaktohen përçarje edhe më të mëdha dhe tërmet i vërtetë brenda PDK-së, e cila për dy dekada me radhë ka qenë i vetmi segment funksional politik dhe ka sunduar e vetme, si parti moniste në Drenicë”, potencoi Qarri për “Bota sot”.

Krasniqi: PDK-ja pa menduar fare e ka djegur z. Driton Ajazi

Image
Islam Krasniqi

Ndërsa analisti Islam Krasniqi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë se përçarjet në këtë parti veçse kanë filluar.

Kandidimi i Ajazit ka sjellur sipas analistit kërcënim për të parin e Drenasit, kështu pavarësisht mospërkrahjes analisti thotë se duhet çmuar guximin e Ajazit për kandidim.

“Përçarjet veq së kanë filluar, ku provuan ta qesin nga loja kryetarin aktual të Drenasit z. Lladrovci kryesia e PDK-së në këtë Komunë, mirëpo kryetari aktual kërcënojë se do të kandidojë si i pavarur e që kryesia e PDK-së në qendër shkeli vullnetin e degës së PDK-së në Drenas, duke mos e përkrahur kandidatin e kësaj dege po duke ia besuar edhe një mandat kryetarit aktual”, tha ai.

Në fund, analisti thotë se PDK ka djegur Ajazin pasi i ka premtuar që do ta kandidoj për të parin e komunës dhe të njejtit ju mohua në fund kjo gjë.

“PDK-ja pa menduar fare e ka djegur z. Driton Ajazi duke i premtuar se do të jetë kandidati i vetëm për të parin e komunës mirëpo për një moment gjithëçka ndryshoj, u harrua premtimi dhe u përmbys shpresa e z.Ajazi bashk me udhëheqësit e strukturave të PDK-së brenda kësaj partie”, përfundoi Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat