Ballkani i Hapur favorizon Serbinë si lidere në Ballkan, ky është rreziku për Kosovën

Politika

Ballkani i Hapur favorizon Serbinë si lidere në Ballkan, ky është rreziku për Kosovën

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 23 gusht 2021 Në ora: 18:38
Albin Kurti, Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq - Foto ilustrim "Bota sot"

Tema e projektit “Ballkani i Hapur” u bë ‘mollë-sherri’ për raportet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Ishte pikërisht ky projekt i kryeministrit shqiptar Edi Rama, që pati kritika shumë të ashpra, duke thënë se ai po e favorizon Serbinë dhe presidentin e saj, Aleksandër Vuҫiq.

Në këtë iniciativë të mbajtur javë më parë, tre liderët pjesëmarrës, kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, kryeministri shqiptar, Edi Rama dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kanë nënshkruar dy memorandume dhe një marrëveshje ndërshtetërore, që ka për qëllim lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave me qëllim të forcimit të mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik.

Ndërsa, në këtë takim nuk ishte edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili që kohë me parë kishte kundërshtuar ‘minishengenin’ e tani Ballkanin e Hapur, projekt ky që thuhet se synon ndarjen e Kosovës.

Si të rrezikshëm këtë projekt, e kishte vlerësuar edhe Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Kosovë, Donika Gërvalla.

“Si Republikë e Kosovës, iniciativën e Novi Sadit, në ndërkohë të mini-Shengenit, e që nga dita e djeshme, Ballkanit të Hapur, e konsiderojmë si të rrezikshme, sepse krijohet përshtypja se kemi alternativë ndaj rrugës sonë të përbashkët, si rajon, drejt BE-së, dhe përçimi i këtij mesazhi ne konsiderojmë se është më i rrezikshëm sesa vonesat që mund të ndodhin ndërkohë gjatë procesit tonë të integrimit”, ka thënë Gërvalla.

Zeqiraj: “Ballkani i Hapur”, ka pykuar marrëdhënie normale Kosovë-Shqipëri

Image
Njohësi i çështjeve politike dhe veprimtari, Idriz Zeqiraj

Njohësi i çështjeve politike dhe veprimtari, Idriz Zeqiraj, që vepron në Gjermani, ka folur rreth këtij projekti, duke thënë se ai favorizon Serbinë, duke e bërë lidere të Ballkanit. Sipas tij, për këtë arsye ky projekt është kundërshtuar nga Qeveria Kurti.

“Kryeministri Rama, është i paparashikueshëm në shumë veprime të tij. I guximshëm ka qenë në shkatërrimin e tërësishëm të procesit zgjedhor të sivjem, për ta grabitur, paligjshëm dhe turpshëm, mandatin e tretë skandaloz dhe hiç meritor. Projekti Rama-Vuçiq, për "Ballkanin e hapur", i refuzuar dhe i anatemuar, nga shumica absolute e shqiptarëve, ka pykuar marrëdhënie normale Kosovë-Shqipëri. Ajo që dihet deri tani, ky projekt favorizon Serbinë, duke e bërë atë lidere të Ballkanit, qoftë ekonomike apo politike, edhe pse ende i ka duart e përgjakura të luftërat pushtuese në ish-Jugosllavi. Qeveria Kurti, por edhe opozita, kush në surdinë dhe kush zëshëm, e kanë kontestuar, madje, edhe kritikuar Projektin Rama-Vuçiq”, vlerëson Zeqiraj për “Bota sot”.

Sipas tij, Kosova nuk mund të dalë në front me kryeministrin Rama, pasi i duhet mbështetja e qeverisë së tij në arenën ndërkombëtare.

kosovare nuk është në pozita të favorshme për të hapur front me kryeministrin e handakosur shqiptar. Sepse, për shumëçka, sidomos në arenën ndërkombëtare, i duhet mbështetja zyrtare e qeverisë motër shqiptare. Megjithatë, heshtja është barazi me asgjë, andaj, veprimet e dëmshme për kombin, duhet dënuar, me forcën e mendjes dhe të pendës”, vlerëson Zeqiraj për “Bota sot”.

Maxharraj: Edi Rama i del në ndihmë Serbisë duke krijuar marrëveshje të dëmshme jo vetëm për vetë Shqipërinë por më shumë për Kosovën

Image
Profesori dhe publicisti, Binak Maxharraj

Ndërkaq profesori dhe publicisti, Binak Maxharraj, duke folur po ashtu për këtë projekt, thotë se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i del në ndihmë Serbisë duke krijuar marrëveshje të dëmshme jo vetëm për vetë Shqipërinë, por më shumë për Kosovën siç është Minishengeni, tash së voni i konvertuar në Ballkani i Hapur.

“Këtë projekt të cilin Kosova e kundërshton sepse nuk është në interesin e saj, sepse për Kosovën kjo formë e marrëveshjes paraqet shkelje të sovranitetit të saj, paraqet mundësinë për krijimin e një Jugosllavie të re të cilën me ngulm po e kërkon Serbia. Opinioni shqiptar kosovar me të drejtë pyet me kë është Edi Rama kur e përafron Serbinë dhe Vuçiqin dhe i injoron liderët shqiptarë të Kosovës”, thotë Maxharraj.

Sipas tij, ҫfarë lëvizje të lirë mund të ketë ky projekt kur nuk ka liri politike, njerëzit nuk guxojnë të lëvizin lirshëm, mirëpo Rama po e injoron sovranitetin e Kosovës.

“Vërtetë shtrohet pyetja a e pranoi Edi Rama sovranitetin e Kosovës të cilin mundohet të shkërdhejë sipas planeve dhe projekteve serbo-ruse. Çfarë lëvizje të lirë të njerëzve dhe mallrave mund të ketë në këtë projekt të Vuҫiqit dhe Ramës kur nuk ka liri politike, kur njerëzit nuk guxojnë të lëvizin lirshëm, por këtë Edi Rama si duket e bën në dëm të Kosovës sepse ai edhe po e injoron sovranitetin e Kosovës dhe Kosovën sikur po e sheh në kuadër të Serbisë”, ka deklaruar profesor Maxharraj për Bota sot.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat