Situatë alarmante me pandeminë, zgjedhjet lokale mund të shtyhen

Politika

Situatë alarmante me pandeminë, zgjedhjet lokale mund të shtyhen

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 24 gusht 2021 Në ora: 08:02
Ilustrim

Javët e fundit Kosova po përballet me rritje të shifrave të infektimeve me Covid-19. Deri më tani rastet aktive janë 20.467.  

Një çështje e cila po preokupon njerëzit janë zgjedhjet lokale, të cilat tashmë janë caktuar të mbahen më 17 tetor.  

Për zgjedhje do të ketë edhe fushatë politike. 

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë, Blerim Syla i ka bërë një kërkesë presidentes së vendit, Vjosa Osmanit që të anulojë zgjedhjet për shkak të pandemisë e cila është përhapur me të madhe.  

Ai në kërkesën e tij ndër tjera ka thënë “kryetare anuloni zgjedhjet lokale dhe formoni sa më shpejt nga ju grupin për shpëtimin nacional nga pandemia…Jemi keq”, thuhet në kërkesën e tij.  

 Juristët mendojnë që në raste emergjente, Ligji parasheh kur mund të shtyhen zgjedhjet.   

Kelmendi: Zgjedhjet mbahen me afat të caktuar, por ligji parasheh edhe shtyrjen e tyre

Image
Muhamet Kelmendi

  

 Profesori dhe juristi, Muhamet Kelmendi, në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se zgjedhjet duhet të mbahen në afate të caktuara ligjore, por ka Ligji sheh përjashtime në raste të pandemive, katastrofave natyrore, tërmeteve etj.  

 “Zgjedhjet janë akti më i lartë demokratik i një vendi. Me zgjedhje vendosin qytetarët për të ardhmen e vet në kuadër të bashkësisë a shtetit. Ato duhet domosdo të mbahen në afatet ligjore. Ligji parasheh periudhën katër vjeçare të udhëheqjes nga rezultati i zgjedhjeve. Në kuadër të Ligjit janë të përcaktuara edhe rastet kur mund të shtyhen zgjedhjet. Kryesisht është fjala për gjendjen jashtëzakonshme, pandemitë, tërmetet shkatërrimtare, vërshimet me dëme e vdekje të larta”, ka thënë profesori.  

Sipas tij, shtyrja e zgjedhjeve nuk e dëmton procesin e as rezultatet.  

“Natyrisht se edhe lufta dhe sulmet ushtarake nga jashtë a gjendja e jashtëzakonshme brenda janë shkaqe kur zgjedhjet mund të shtyhen. Dhe, kjo nuk dëmton fare sistemin demokratik dhe as rezultatet përfundimtare. Rastet e jashtëzakonshme janë çështje kushtetuese të lejuar”, përfundon Kelmendi.  

 Burjani: S’ka nevojë që të shtyhen zgjedhjet  

Image
Blerim Burjani

 Edhe juristi Blerim Burjani, thotë që zgjedhjet nuk ka nevojë që të shtyhen.  

Ai jep sugjerimin që fushata zgjedhore të mbahet vetëm 10 ditë dhe jo më shumë, e të mos ketë as takime me qytetarë për shkak të Covid-19.  

“Anulim nuk ka nevojë të bëhet, por fushata të zgjasë 10 ditë edhe atë të mos ketë takime me qytetarët por vetëm në televizione debate, kjo është e tëra”, deklaron juristi.   

Ai gjendjen me pandeminë në Kosovë e sheh si diçka tragjike. 

Sipas tij, fakti që janë gjithë këto infektime në Kosovë dhe që nuk ka marrë askush përgjegjësi, përbën vepër penale.  

“Gjendja është tragjike në Kosovë, askush nuk po jep përgjegjësi për lirimi e masave dhe katastrofën që ka ndodhë në Kosovë. Kjo është vepër penale, shkaktimi i këtyre të gjithë personave të sëmurë me Covid, dikush duhet të jap përgjegjësi para organeve të rendit për këtë gjendje tragjike”, përfundon Blerim Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat