E pafuqishme, nuk ka opozitë që mund ta rrëzojë Qeverinë Kurti

Politika

E pafuqishme, nuk ka opozitë që mund ta rrëzojë Qeverinë Kurti

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 30 gusht 2021 Në ora: 17:32
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Me ardhjen e Qeverisë Kurti në pushtet, opozita ka ndryshuar edhe qëndrimin e tyre.

Kështu që nga ardhja e kësaj qeverie, në shumë seanca të mbajtura në Kuvend, mungojnë shumë nga deputetët e opozitës, madje edhe kur janë prezent e lëshojnë sallën dhe kështu mbesin pa u votuar edhe shumë ligje.

Madje seanca shpeshherë shndërrohet në një vend i përplasjeve në mes deputetëve.

Por, duke marrë parasysh opozitat e mëparshme, kjo aktuale është më pak e zëmshme për tema të caktuara.

Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot”, kanë folur edhe disa njohës të çështjeve politike.

“Opozita me kahje të gabuar”

Image
Analisti Adem Bytyçi

Analisti Adem Bytyçi, ka theksuar se nuk është opozita e heshtur që nga ardhja e Kurtit, por kahjen e kanë të gabuar, madje angazhohen edhe për rrëzimin e kësaj qeverie.

Sipas Bytyçit, opozita tani është më e varfër për mbrojtjen e interesave të vendit. Ai thotë se lufta e opozitës është vetëm për të ardhur sa më shpejt në pushtet.

“Me ardhjen e Kurtit në pushtet, zëri opozitar nuk mund të themi se është i heshtur, por kahjen e ka të gabuar, në vend që për çështjet madhore për vendin të ndihmojnë Qeverinë Kurti, përkundrazi angazhohen në rrëzimin e kësaj qeverie. Zëri i opozitës së tanishme krahasuar me opozitën e legjislaturave të kaluara duket të ketë një ngjyrë tjetër politike dhe të jetë më i varfër në aspektin e mbrojtjes së interesave të vendit dhe të qytetarëve. Lufta e opozitës aktuale zhvillohet kryesisht për të ardhur sa më shpejtë në pushtet, edhe pse një rrugë e tillë për opozitën duket të jetë shumë e gjatë në rrethanat ekzistuese politike dhe shoqërore në vendin tonë”, ka deklaruar Adem Bytyçi për “Bota sot”.

“Opozita në tranzicion”

Image
Analisti Faton Mehmeti

Ndërsa, analisti Faton Mehmeti, ka theksuar se opozita nuk fuqi për të qenë e fortë, sepse është në tranzicion.

Mehmeti ka shtuar se Kurti nuk mund të rrëzohet nga asnjë opozitë, madje u duhet shumë punë për tu kthyer aty ku duhet të jenë.

“Opozita është në tranzicion dhe si e tillë nuk ka fuqinë e saj për të qenë opozitë e fortë. Opozita vjen pas debaklit të pësuar në zgjedhjet e fundit, e cila natyrisht ka ndikuar në organikën e saj, e cila është thyer. Tani i duhet kohë për reikuperim, çka nënkupton se qeveria Kurti nuk ka opozitë që mund ta rrëzojë. Opozitës i duhet shumë punë për tu kthyer aty ku duhet të jenë, të riparojë pasojat e humbjes në zgjedhjet e fundit”, ka vlerësuar Faton Mehmeti për “Bota sot”.

“Opozita në gjumë”

Image
Analisti Rexhep Shahu

Në anën tjetër, analisti Rexhep Shahu, ka potencuar se opozita është në gjumë, ndërsa Kosova, sipas tij, ka nevojë për opozitë.

Shahu shton se janë jashtë loje ato parti që kanë kontribut dhe dinë ta bëjnë Kosovën.

“Opozita në Kosovë ende është në gjumë, dyshon tek vetja apo pajtohet me pozitën nuk e di, por Kosova ka shumë nevojë për opozitë pasi kjo qeveri po e hekuros popullin. Duket se edhe monopolin e opozitës ia kanë lënë VV-së. Partitë e mëdha që në fakt kanë kontribut e që vetëm ato dinë ta bëjnë Kosovën, janë jashtë loje dhe njerëzit e durojnë këtë qeveri që tallet me qytetarët edhe kur i vdesin 15 njerëz në ditë dhe Albini shet kopalla ekraneve. Skandal me këtë qeveri e këtë opozitë”, ka deklaruar Rexhep Shahu për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat