“Mjerim, fatkeqësi...!”/ Ali Ahmeti kritikohet ashpër pas kërkesës për pajtimin e shqiptarëve me serbët

Politika

“Mjerim, fatkeqësi...!”/ Ali Ahmeti kritikohet ashpër pas kërkesës për pajtimin e shqiptarëve me serbët

Nga: A.Morina Më: 2 shtator 2021 Në ora: 17:03
Ali Ahmeti

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti e ka mbështetur projektin “Ballkani i Hapur”, derisa u shpreh se ky proces i afron vendet me BE.

Ndërsa, duke folur për vështirësitë e Kosovës me Serbinë, Ahmeti tha se mes kombit shqiptar dhe atij serb duhet një pajtim.

E kjo deklaratë e kreut të BDI-së nxiti reagime të mëdha, duke u cilësuar si deklaratë nxitëse dhe injorante.

Lidhur me këtë temë, për gazetën “Bota sot” ka folur opinionisti Skënder Kapiti.

Fillimisht, ai ia rikujtoi Ahmetit krimet dhe gjenocidet që shteti serb i bëri mbi shqiptarët e Kosovës në luftën e fundit.

Image
Opinionisti Skënder Kapiti.

“Ali Ahmeti thotë se duhet të ketë pajtim të kombit shqiptar me atë serb, kur jo vetëm shqiptarët por e gjithë bota e dinë shumë mirë se çfarë krimesh dhe gjenocidesh çnjerëzore ka ushtruar Serbia mbi shqiptarët e Kosovës, ashtu sikurse edhe prej 150 vitesh edhe mbi të gjithë shqiptarët në ish-Jugosllavi”, deklaroi opinionisti.

Në vazhdim, ai hodhi kritika të ashpëra në drejtim të Ahmetit, derisa tha se këtë pajtim ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve e ka kërkuar edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama.

Madje, Kapiti u befasua se si Rama dhe Ahmeti shprehen me kaq papërgjegjshmëri, me kaq pa ndjesi kombëtare dhe me kaq pa dhembshuri humane.

“Si është e mundur që një sharlatan nga Maqedonia, si Ali Ahmeti kërkon pajtim shqiptaro-serb, kur Serbia as falje nuk ka kërkuar për krimet e gjenocidin serb, as nuk e njeh Kosovën por madje edhe lobon fuqishëm kundër shtetit të Kosovës. Nëse këtë e kërkon Edi Rama, për Ali Ahmetin një kërkese e tij për këtë pajtim shtyn që të paramendohet, pse jo edhe të paragjykohet se këta individë a kanë gjen shqiptari, përderisa shprehen me kaq papërgjegjshmëri, me kaq pa ndjesi kombëtare dhe me kaq pa dhembshuri humane”, theksoi ai.

Në fund, opinionisti potencoi se është një fatkeqësi dhe mjerim i madh kombëtar, që ka ende politikanë shqiptarë kaq injorant dhe të papërgjegjshëm si Ali Ahmeti.

“Është mjerim dhe fatkeqësi e madhe kombëtare që të ketë politikanë shqiptarë të kalibrit injorant dhe të papërgjegjshëm si Ali Ahmeti. Po themi injorant dhe i papërgjegjshëm për të mos thënë më të keqen që i ka karakterizuar gjithmonë politikanët shqiptar, e që është ajo se për interesa personale e pushteti politikanët shqiptarë servilosen, zh burrërohen, ç 'fisnikërohen e deri edhe bëjnë tradhtinë. Nuk ke se çfarë komenti t’i bësh deklarimeve të këtij halabakpolitikani i cili është vetëm një servil i Edi Ramës dhe i Zaevit”, përmbylli Skënder Kapiti, përcjell “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat