Vjen thirrja, Çitaku nuk do të pranojë të jetë në Qeverinë Rama 3

Politika

Vjen thirrja, Çitaku nuk do të pranojë të jetë në Qeverinë Rama 3

Nga: A.Z Më: 2 shtator 2021 Në ora: 18:44
Vlora Çitaku

Edi Rama së shpejti do të bëjë publik emrat e kabinetit të tij. Emri i cili po përflitet në mediat shqiptare për ministre të Jashtme të Shqipërisë, është ai i ish-ambasadores së Kosovës në SHBA, Vlora Çitakut, të cilës Rama edhe mund t’i besojë ministrinë e diasporës në vend të Pandeli Majkos.

Pra, me të gjitha gjasat nuk do të mungojë edhe një ministre grua nga Kosova.

Lidhur me këtë, analisti Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se Rama me emërimin e Çitakut për Ministre të Jashtme të Shqipërisë, po dëshiron që t’ia imponojë Kosovës, vazhdimin e politikës së Thaçit, për tkurrjen e kufijve, madje edhe për faljen e Veriut shtetit Serb.

“Siç është bërë tanimë e ditur publikisht nga mediat, Edi Rama së shpejti pritet të caktojë kabinetin e tij qeveritar, në mesin e të cilëve, për postin e Ministres së Jashtme të Shqipërisë, ka kohë që ka filluar të përflitet në media dhe opinionin shqiptar emri i ish-ambasadores së Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku. Edi Rama me këtë emërim, po tenton të dëshmoj para qytetarëve të Kosovës, se jo vetëm, që ai personalisht, i mbetet besnik idesë së të birit të magnatit plak Soros, Aleksandër Sorosit për ndarjen e Kosovës, të promovuar publikisht nga kuislingu Hashim Thaçi, qysh nga korriku i vitit 2018 në Aplbach të Austrisë, por dëshiron që t`ia imponojë edhe vet shtetit të pavarur të Kosovës vazhdimësinë e politikës së Hashim Thaçit, për tkurrjen edhe më tej të kufijve të Kosovës dhe faljen e Veriut të vendit tonë Serbisë edhe pas ndryshimeve politike në vend dhe arrestimit të Thaçit & Co nga Gjykata Speciale në Hagë”, tha ai.

Më tej ka shtuar se, duke e pasur parasysh faktin se si u ngrit në detyrë Caka, madje edhe Shahini, që u tërhoqën apo u shkarkuan, sipas Qarrit, duke u nisur nga kjo, as Çitaku nuk do e pranoj këtë post, sepse pas një kohe, do e pësoj edhe vet fatin e tyre.

“Por, përkundër të gjithave, duke pasur parasysh faktin se si u ngritën në detyra ish ushtruesi i detyrës së punëve të jashtme të Shqipërisë Gent Caka, një ish student i diplomuar në universitetin hungarez "Central European University" në Budapest të Hungarisë, vendlindjen e Sorosit plak, i cili pësoi të njëjtin fat bashkë me ministren e Arsimit të Shqipërisë, Besa Shahini dhe, se si u denigruan dhe tërhoqën apo shkarkuan në mënyrë aspak të lavdishme ata, për të mos thënë tërësisht jo dinjitoze dhe gati të poshtëruar para opinionit shqiptar, nuk besoj se edhe zonja Çitaku do të pranojë këtë post dhe pa kaluar shumë kohë, të pësoj edhe ajo vet fatin e paraardhësve nga Kosova me poste ministrore në Shqipëri, të cilët as sot nuk dihet saktësisht, nëse u tërhoqën vet, apo pasi përfundojë lojën me ta, i shkarkojë Edvin Kristaq Rama personalisht”, ka përfunduar Gani Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat