Kërcënimet ndaj Kurtit dhe lidhshmëria me aksionet në veri të vendit/ A ka ‘gisht’ Beogradi në këtë ngjarje?!

Politika

Kërcënimet ndaj Kurtit dhe lidhshmëria me aksionet në veri të vendit/ A ka ‘gisht’ Beogradi në këtë ngjarje?!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 29 tetor 2021 Në ora: 10:21
Albin Kurti

Në mbrëmjen e së mërkurës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është kërcënuar. 

Ende nuk dihet se në çfarë forme është kërcënuar kryeministri Kurti. Nga zyra e tij kanë konfirmuar vetëm se Kurti është kërcënuar dhe si masë e kujdesit të shtuar, ishte rritur edhe niveli i tij i sigurisë. 

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka thënë se Institucionet e hetuesisë dhe sigurisë tashmë janë duke bërë punën e tyre.

“Kryeministri Kurti është kërcënuar. Për këtë arsye, si masë e kujdesit të shtuar, është rritur edhe niveli i tij i sigurisë. Institucionet e hetuesisë dhe sigurisë tashmë janë duke bërë punën e tyre. Ato bëjnë vlerësimet e nevojshme dhe ndërmarrin masat përkatëse. Në anën tjetër, kryeministri vazhdon angazhimin e tij të rregullt”, tha ai në një përgjigje. 

Informata për kërcënim ndaj kryeministrit Kurti, kishin ardhur nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI). AKI kishte informuar stafin e kryeministrit Kurti dhe institucionet tjera të sigurisë që të shtohet mbrojtja fizike për kryeministrin, pasi që jeta e tij mund të jetë në rrezik. 

Lidhur me këtë çështje, ka folur edhe kryeministri Kurti në një konferencë për media.

Ai tha se nuk ndihet i rrezikuar por se organet e rendit kanë marrë veprimet e nevojshme lidhur me këtë çështje.

“Së pari, unë nuk ndjehem i rrezikuar por janë organet e sigurisë ato që i vlerësojnë kërcënimet dhe i ndërmarrin veprimet në përputhje me rrethanat e caktuara. Përndryshe unë as dje dhe as sot nuk e kam ndryshuar agjendën time”, ka thënë ai.

Halimi: Organet e sigurisë dhe inteligjencës nuk duhet neglizhuar asnjë formë burimi të kërcënimit 

Eksperti i sigurisë, Armend Halimi ka komentuar këto kërcënime ndaj kryeministrit Albin Kurti. 

Image
Armend Halimi

Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot” tha se çdo kërcënim duhet konsideruar si të vërtet dhe duhet të merren masa të menjëhershëm. 

“Në parim, nga kush do dhe kur do kërcënimet duhet konsideruar si të vërteta dhe ndaj tyre të merren masa të menjëhershëm adekuate. Mirëpo, për rastin në fjalë, duke marrë parasysh mënyrën, mjetet dhe personat, nuk duket se ka diçka shumë serioze. Në radhë të parë, kërcënuesit me sa kam vërejt janë të identifikueshëm në rrjete sociale, pastaj, kërcënimi nëpërmes Facebook në mënyrë publike më tepër ka për qëllim ndjelljen e pasigurisë, sesa një rreziku real që do të ishte ndryshe me mesazh direkt ndaj viktimës, qoftë mesazh fizik apo elektronik”, deklaroi Halimi. 

Mirëpo, sipas tij nëse do të ishte në plan vrasja, atëherë realizmi  i saj nuk mund të bëhet në këtë formë.

Po ashtu, ai konsideroi se duke parë përkrahjen masive të shoqërisë ndaj Kurtit, vështirë se do gjendeshin kryerës të vrasjes ndaj tij.

“Ndryshe, nëse do të ishte në plan vrasja, realizimin e saj nuk do ta kishin kërkuar nëpërmes personave tjerë, e aq më tepër në këtë formë. Për më tepër, duke marrë parasysh se subjekti (viktima) gëzon një përkrahje masive në shoqëri, vështirë se do gjendeshin kryerës ndaj tij. Andaj, kërcënuesit e tillë mund të jenë jo serioz, por duke rrezikuar ndëshkimin ligjor për faktin se një nxitje e tillë dënohet ashpër”, theksoi eksperti i sigurisë.

Në fund, ai potencoi se organet e sigurisë dhe inteligjencës nuk duhet neglizhuar asnjë formë burimi të kërcënimit.

“Por që përfundimisht, e ritheksoj se organet e sigurisë dhe inteligjencës nuk duhet neglizhuar asnjë formë burimi të kërcënimit deri në zbardhjen në detaje të tyre. Kërcënimi nuk ka bazë serioze edhe për faktin se motivi i tij siç është përshkruar nuk mund të jetë një shtytje reale për realizimin e vrasjes. Ngritja e çmimeve të produkteve siç është përmendur nuk mund të jetë asnjëherë arsye e një akti të tille. Pakënaqësia ekonomike apo çfarëdo arsye tjetër mund të shfaqet”, përfundoi Armend Halimi për “Bota sot”.

Kelmendi: Ja kur do të dalë e vërteta për kërcënimet e Kurtit

Image
Muhamet Kelmendi

Ndërsa, sipas njohësit të çështjeve politike e juridike, Muhamet Kelmendit është vështirë të thuhen qëndrime se nga kanë ardhur kërcënimet ndaj kryeministrit Kurti. 

“Është shumë vështirë të jepen qëndrime se nga rrjedhin kërcënimet e tilla, pasi kërkohet të priten hetimet dhe të dal çështja në dritë”, deklaroi ai në një prononcim për gazetën “Bota sot”. 

Sipas tij, vëmendjen më të madhe duhet ta kemi ndaj shtetit serb, pasi atyre nuk iu kanë pëlqyer vendimet e kryeministrit Kurti.

Ndër të tjera, Kelmendi përmendi edhe aksionet në veri të vendit, reciprocitetin dhe bastisjet e kontrabandave, të cilat nuk iu përshtatën synimeve të Beogradit.

“Mirëpo, ajo që duhet të hetohet me vëmendje është pozita e z.Kurti kundruall shtetit serb. Kemi disa raste në veri, sikurse ishte çështja e tabelave, bllokimi mbi 10 ditë, pastaj bastisjet për kontrabandë dhe disa veprime tjera. Asnjë takim me kriminelin Vuçiq nuk eci sipas synimeve të Beogradit. Takimet nuk kanë shkuar andej nga pritej, ka ngelur çështja në vend. E pengesë po duket, sipas Beogradit, se është z.Kurti. Ky fakt tregon se kërcënimet kryesisht këtej duhet kërkuar dhe me siguri aty gjenden”, theksoi ai. 

Megjithatë, Kelmendi nuk përjashtoi mundësinë që në këto kërcënime të kenë ‘gisht’ edhe personat që e kanë pësuar nga vendimet e kësaj qeveria. 

Por, ai tha se vetëm me përfundimin e hetimeve të organeve të drejtësisë do të dal e vërteta. 

“Mirëpo, kjo nuk nënkupton se nuk ka apo nuk vijnë edhe kërcënime të tjera nga njerëzit e ndryshëm që e kanë pësuar nga kjo qeveri. Sidokudo lypset të japim kohë dhe të shihet se çka po del nga hetimet e organeve kompetente në Kosovë, pasi aty del e vërteta”, përmbylli Muhamet Kelmendi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat