‘Kërcënimi’ i Ramës për BE-në/ Krasniqi tregon veprimin që duhet ta bëjnë shqiptarët

Politika

‘Kërcënimi’ i Ramës për BE-në/ Krasniqi tregon veprimin që duhet ta bëjnë shqiptarët

Nga: A.M Më: 29 tetor 2021 Në ora: 23:05
Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se bashkimi me Kosovën ka më shumë mundësi të ndodhë nëse mbesin pa u anëtarësuar në Bashkimin Evropian sesa pasi të anëtarësohen.

Rama në një intervistë me të përditshmen gjermane “Merkur” thotë se konfliktet e mundshme në Ballkanin Perëndimor do të ndaleshin në rast të anëtarësimit në BE të shteteve që bëjnë pjesë në këtë rajon.

Analisti politik, Islam Krasniqi në një prononcim për gazetën “Bota sot” komentoi këtë deklaratë të kryeministrit Rama për bashkimin Kosovë-Shqipëri.

Ai u shpreh se nëse BE nuk i lehtëson procedurat e integrimit, atëherë bashkimi do duhet të jetë një hap kombëtar që duhet të merret.

Image
Analisti politik, Islam Krasniqi

“Deklarata e kryeministrit shqiptar, Edi Rama është një kërcënim për Bashkimin Evropian, pasi që BE-ja i ka mbyllur dyert për Shqipërinë dhe Kosovën dhe nëse ata nuk i lehtësojnë procedurat e integrimit ky është një hap kombëtar që duhet të ndërmarrim ju pëlqej të tjerëve apo jo”, deklaroi analisti.

Sipas Krasniqit, bashkimi kombëtar është një ëndërr shekullore që dikur do të ndodhë dhe gurët e vendosur padrejtësisht nga BE do të thyhen.

“Bashkimi kombëtar është ëndërr shekullore e brezave me radhë e cila një ditë do të ndodhë në BE apo vetëm do të thyhet guri që dikur BE-ja na vendosi padrejtësisht. Mos të harrojmë të cekim së Shqipëria e ka në preambulën e saj çështjen e popullit shqiptar, që është e obliguar të kujdeset për të gjithë shqiptarët që ndodhen jashtë kufijve të saj”, theksoi ai.

Në fund, analisti potencoi se shqiptarët dëshirojnë të jenë në një ombrellë dhe se nëse lëvizin kufijtë e Ballkanit nuk do të dihet se cili do të jetë epilogu i fundit.

“Andaj, kryeministri shqiptar bashkimin kombëtar e ka armën më të fortë me të cilën kërcënon BE-në, sepse bashkimi i shqiptarëve është kërcënim për tërë Ballkanin, sepse shqiptarët dëshirojnë të jenë në një ombrellë, e që mund të lëvizin kufijtë e Ballkanit dhe nuk dihet se cili është epilogu i gjithë kësaj”, përmbylli Islam Krasniqi, përcjell “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat