Ironia e Vitisë me Ramën/ Flasin analistët – kanë një porosi për kandidatët

Politika

Ironia e Vitisë me Ramën/ Flasin analistët – kanë një porosi për kandidatët

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 5 nëntor 2021 Në ora: 18:18
Arben Vitia, Përparim Rama

Në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale është edhe Prishtina, me kandidatët Arben Vitia nga LVV dhe Përparim Rama nga LDK. Në këtë mes prin kandidati i LVV-së në bazë të votave të marra në zgjedhjet e 17 tetorit.

Ata madje kanë filluar edhe prezantimin e programeve të tyre.

Por, së fundi ishte kandidati i LVV, Arben Vitia i cili ironizoi me atë të LDK-së, Përparim Ramën sa i përket rrënimeve dhe ndërtimeve në kryeqytet, duke thënë se do ta rrënojmë “Pallatin e Rinisë”, duke thumbuar Përparim Ramën i cili ka thënë se do ta rrënojë stadiumin “Fadil Vokrri” për ta bërë liqe artificial të Prishtinës.

E kësaj ironie i ka reaguar vet Përparim Rama, duke i bërë thirrje që të garojë me projekte dhe jo me shaka e ironi të tilla.

“Jemi duke parë prej kundërkandidatit copëza të kopjuara prej projekteve të programit tonë, e të kthyera në video të shtrenjta për të mashtruar qytetarët”, ka thënë Rama.

Krasniqi: Po mundohen ta dëmtojnë Vitinë

Lidhur me këtë, analisti Islam Krasniqi në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se satira e Arben Vitisë është bërë pa dashje edhe pse deklarata e Ramës është për hajgare sepse stadiumi nuk mund të shkatërrohet për të ndërtuar një liqen artificial.

Image
Islam Krasniqi

“Zgjedhjet e fundit lokale kanë dalluar shumë nga zgjedhjet e kaluara, ku shumë nga kandidatët i kanë kursyer kundërshtarët e tyre politik nga ofendimet siç ishin mësuar të shohim herëve të kaluara duke u munduar ta marrin pushtetin më ofendime e shpifje. Z.Vitia ka bërë hajgare me z.Rama, mirëpo këtë video ia kanë publikuar pa dashje edhe pse ndoshta deklarata e z.Rama është për të bërë hajgare sepse stadiumi nuk mund të shkatërrohet për të ndërtuar një liqen artificial kur e dimë se ai ka një kosto të lartë që komuna s'mund të mbulojë ndërtimin e tij, gjithashtu edhe Pallati i Rinisë duhet të hyjë në kuadër të momenteve kulturore pasi që ai është vepër me vlera kulturore, historike dhe artistike, që ka një histori të veten, deshëm ta pranojmë ne apo jo, po ashtu duhet të jenë nën mbrojtjen e shtetit duke e ditur se ato kanë një histori të vetën. Kur e dimë se stadiume s'po mund t'i ndërton shtetit, për shkak të kostos, procedurave, e për një mandat po ta ndërton një komunë, është pak për t'u qeshur”, ka thënë analisti.

Sipas tij, Vitinë po e luftojnë mediat sepse Qeveria Kurti ua ka ndalur financimin e kundërligjshëm dhe tani po mundohen ta dëmtojnë atë.

“Z. Vitia po e luftojnë të gjitha mediat sepse LVV-ja ju ka ndalur financimin e kundërligjshëm dhe po mundohen me çdo veprim të publikojnë për të dëmtuar atë, e po që tani niveli i qytetarëve është në ngritje që pak kanë rëndësi çka thonë mediat”, përfundon analisti Islam Krasniqi.

Mehmeti: Batuta, shakatë, provokimet, të gjitha janë pjesë e demokracisë

Image
Faton Mehmeti

Lidhur me këtë edhe analisti Faton Mehmeti, shprehet se ky provokim i Arben Vitisë është brenda rregullave demokratike, derisa kundërkandidati Përparim Rama është shfaqur si një njeri i matur dhe serioz, Vitia me këtë ka dashur t’ia nxjerrë një anë tjetër Ramës.

“Provokimi i z.Vitia është brenda rregullave demokratike, një kandidat që synon të bëhet kryetar komune duhet të jetë i gatshëm të merret edhe me situata të tilla. Përparimi është shfaqur në opinion si njeri serioz dhe i matur, me lojën tij Vitia tenton të fus në provim për të nxjerr anën jo të fortë të z.Rama”, deklaron ai.

Ai shton se të gjitha batuta, shakatë, provokimet janë pjesë e lojës për pushtet dhe një kryetar komune duhet t’i përballojë ato.

Në fund, pavarësisht kësaj, Mehmeti thotë se qytetarët janë ata të cilët vendosin se kush do të jetë kryetar.

“Ironizimi, batuta, shakatë, provokimet, të gjitha janë pjesë e demokracisë, e lojës për pushtet, që të cilën një kryetar komune duhet të jetë në gjendje t'i përballojë. S’ka pse z.Rama i thotë kundërkandidatit bëje fushatën me plane, është zgjedhje e tij si e bën fushatën, janë qytetarët ata që vlerësojnë, e kë duhet votuar, as njëri as tjetri s’kanë të drejtë të mësojnë dikë se si të bëjë fushatën. Secili zgjedh mënyrën, formën, strategjinë se si e bën fushatën. Kjo është krejtësisht demokratike”, përfundon për “Bota sot” Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat