‘Albin Kurti është kundër kësaj politike të çmendurish’

Politika

‘Albin Kurti është kundër kësaj politike të çmendurish’

Nga: A.Z Më: 28 nëntor 2021 Në ora: 16:59
Albin Kurti

Në Elbasan të Shqipërisë u mbajt më 26 nëntor mbledhja e rregullt e shtata në radhë e dy qeverive shqiptare, të Kosovës dhe Shqipërisë ku u nënshkruan 13 marrëveshje.

Por, kanë filluar të dëgjohen zëra kritikë për marrëvshjet, madje, njëra prej tyre tingëllon qesharake, nënshkrimi për herë të katër i marrëveshjes për një abetare të vetme shqiptare, të njësuar.

Pa i komentuar Marrëveshjet e nënshkruara në mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë, ish kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, konsideron se mbledhja e dy qeverive thellon edhe më shumë hendekun dhe përçarjen midis dy qeverive të të njëjtit komb.

Lidhur me këtë, profesori Enver Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se tema e fundit ishte mbledhja e shtatë, gjë që në të gjitha këto mbledhje temat e folura kanë qenë të njëjta.

Tri herë u nënshkrua marrëveshja për abetaren nga qeveritë Rama, njëherë nga qeveria Berisha

Madje, ai potencon se edhe marrëveshjet janë nënshkruar të njëjta, ai gjithashtu ka cekur marrëveshjen e nënshkruar tri herë për Abetaren e përbashkët të njësuar, por që deri më sot nuk ka pasur abetare të njësuar, pra sipas tij, mungon vullneti.

“Mbledhja e dy qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës në Elbasan para dy ditësh ishte mbledhja e shtatë në tetë vitet e fundit. Nga mbledhja e parë dhe deri te e fundit është folur për të njëjtat tema. Madje janë nënshkruar marrëveshje për të njëjtat tema. Nëse shohim marrëveshjet që u firmosën dje, atëherë shohim se shumë prej tyre janë nënshkruar edhe më parë, madje që në periudhën e drejtimit të qeverisë shqiptare nga vetë Sali Berisha, i cili e quajti mbledhjen e Elbasanit si thellim të përçarjes. U nënshkrua marrëveshja për Abetaren e përbashkët e të njësuar. Kjo marrëveshje është nënshkruar edhe në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike nga viti 2012. E kanë nënshkruar tri herë ministrat e Ramës. Por, deri më sot nuk ka pasur abetare të njësuar. Thjesht mungon vullneti. Marrëveshja për unifikimin e diplomave dhe njohjen e tyre është nënshkruar disa herë tjera. Por, nuk është zbatuar”, tha ai.

Sipas profesorit Bytyçi, në këtë mbledhje u dhanë disa sinjale të përçarjes, pikërisht ishte deklarata e Ramës, i cili tha se nuk do të fliste me Kurtin lidhur me “Open Ballkan”, sepse po të fliste, do të demonstroheshin qëndrimet e kundërta të dy kryeministrave.

“Ndërkaq Edi Rama e paraqiti nënshkrimin e tyre si arritje të madhe të qeverisë së tij. Të tillë e ka paraqitur edhe në mbledhjen e kaluar. Që këtu duket se praktikisht, kur marrëveshjet nënshkruhen e rinënshkruhen e nuk zbatohen, kemi të bëjmë me një përçarje midis dy pjesëve të kombit ose dy shteteve shqiptare. Kjo është ajo që njerëzit nuk e shohin sa e si duhet. Por, në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në Elbasan u dhanë disa sinjale të reja të përçarjes. E tha Edi Rama publikisht se nuk do të fliste për mosmarrëveshjet midis tij dhe Albin Kurtit sa i përket iniciativës serbe të Open Balkanit. Se po të fliste, atëherë të dy kryeministrat do të demonstronin qëndrime dhe pikëpamje të kundërta midis tyre”, ka shtuar Bytyçi.

Edi Rama mbrojti përsëri “Open Balkanin”

Më tej theksoi se nuk mund të ketë marrëdhënie të mira në mes Kosovës dhe Shqipërisë, përderisa Rama bënë shou se po e mbështet Kosovën, por në anën tjetër, e mbështet iniciativën serbe, madje edhe në këtë mbledhje, Rama e mbrojti prapë “Open Ballkanin”.

“Kjo do të thotë se qëndrimet e kundërta sa i përket “Ballkanit të hapur”, janë shprehur në bisedimet jo publike të të dy palëve. Dhe është krejt logjike. Nga njëra anë bëhet shou politik për marrëdhëniet e mira të Shqipërisë me Kosovën, nga ana tjetër qeveria e Shqipërisë mbështetë një iniciativë serbe që shkon kundër interesit të Kosovës e për pasojë edhe kundër interesit tonë kombëtar. Nuk ka e nuk mund të ketë marrëdhënie të mira me Kosovën, sa kohë që kryeministri i Shqipërisë mbështetë të gjitha, por ama të gjitha, iniciativat e Serbisë kundër Kosovës. Edhe në mbledhjen e dy qeverive nuk pati dakordësi në çështjet strategjike, përkundrazi dallimet ishin të dukshme. Edi Rama mbrojti përsëri “Open Balkanin”, edhe pse kjo iniciativë shkon në dobi të Serbisë dhe në dëm të Kosovës dhe madje edhe të Shqipërisë”, theksoi ai.

Albin Kurti është kundër kësaj politike të çmendurish

Bytyçi ka shtuar tutje se Kurti është kundër politikës së Ramës, i cili shfaqet më shumë si kryeministër i Sorosit, derisa Kurti i kundërvihet projektit të Ramës dhe Vuçiqit, për aq kohë do të ketë konflikte.

Andaj edhe nuk dëshiron që vetë Rama t’i bëjë publike këto, vetëm që shqiptarët të mendojnë se ai është në marrëdhënie konkrete me Kosovën.

“Edi Rama na shfaqet si kryeministër i George Soros dhe i Serbisë, jo si kryeministër i Shqipërisë dhe interpret i interesave tona kombëtare. Ndërkaq, Albin Kurti është kundër kësaj politike të çmendurish. Dhe sa kohë kryeministri i Kosovës do t'i kundërvihet projekteve të Vuçiqit e të Edi Ramës për krijimin e një Jugosllavie të Re me emra të ndryshëm, si minishengen apo Ballkan I Hapur, aq kohë konflikti midis tyre thellohet. Thjesht Rama ka vendosur që këtë konflikt të mos e bëjë publik. Pra, ka vendosur që ta mashtrojë publikun shqiptar. Që shqiptarët të besojnë se Shqipëria ka një kryeministër normal dhe në marrëdhënie korrekte me Kosovën”, ka shtuar ai.

Heqja e kufijve fizikë midis Kosovës dhe Shqipërisë

Tutje ai u shpreh se sukses nga kjo mbledhje do të ketë vetë heqja e kufijve në mes të të dyja vendeve.

Por, profesori thotë se edhe pas kësaj mund të qëndroj një hile e Ramës, sepse ai nuk bënë dhurata pa hile.

“Pra për imazh, jo se kreu i ekzekutivit të Shqipërisë ka ndryshuar politikat e tij të aleancave anti-shqiptare në Ballkan. Mbledhja e dy qeverive kishte vetëm një sukses, nëse heqja e kufijve fizikë midis Kosovës dhe Shqipërisë do të realizohet në gjashtë muaj, siç u tha. Por, edhe prapa këtij vendimi ka një hile të Edi Ramës. Edi Rama nuk bën dhurata pa intriga dhe hile. Nuk jep pa garantuar se merr atë që ai do. Dhe se çfarë do kryeministri i Shqipërisë tashmë është krejt e qartë: Të lehtësojë dhe mundësojë sundimin ekonomik e politik në rajon të Serbisë”, përfundoi Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat