Goditja amerikane ndaj bandave serbe në veri/ Eurodeputetja gjermane zbulon se si e zhvillonin veprimtarinë ata - përmend tenderë të mëdhenj

Politika

Goditja amerikane ndaj bandave serbe në veri/ Eurodeputetja gjermane zbulon se si e zhvillonin veprimtarinë ata - përmend tenderë të mëdhenj

Nga: A.ZH Më: 9 dhjetor 2021 Në ora: 19:38
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka mirëpritur vendimin e Thesarit Departamentit të Thesarit të SHBA-së për të futur në listë sanksionesh rrjetet e korrupsionit në Evropë, përfshirë edhe grupin e krimit të organizuar në veri të Kosovës që drejtohet nga Zvonko Veselinoviq.

Duke folur për gazetën “Bota sot”, eurodeputetja gjermane ka thënë se ky vendim është një hap i rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar.

“Sanksionet e SHBA-së kundër bandës së Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq në veri të Kosovës, janë një hap shumë i rëndësishëm dhe i vonuar në luftën kundër krimit të organizuar”, ka thënë von Cramon.

Ajo ka treguar se banda e Zvonko Veselinoviqit dhe Milan Radoiçiqit kanë kryer vepra korruptive dhe kriminale në veri, përmes tenderëve të mëdhenj dhe kontrabandimit të drogës.

“Aktivitetet e tyre janë të dokumentuara mirë pasi po abuzojnë me zbrazëtirat e sistemit në veri për të kryer veprimet e tyre korruptive dhe kriminale, kryesisht duke marrë tenderë të mëdhenj të infrastrukturës ose duke kontrabanduar drogë”, është shprehur më tej raportuesja për Kosovën në PE.

Teksa ka njoftuar se ky vendim nga SHBA-ja është përgatitur prej kohësh, von Cramon ka paralajmëruar se lista e të sanksionuarve në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor do të jetë më e gjatë. Sipas saj, edhe Bashkimi Evropian duhet të ndjekë këtë praktikë, sikurse BE.

“Sanksionet janë duke u përgatitur prej disa kohësh dhe besoj se ky është vetëm hapi i parë pasi lista e figurave të korruptuara nga Ballkani Perëndimor duhet të jetë shumë më e gjatë. Në të vërtetë, BE-ja gjithashtu duhet ta ndjekë këtë dhe të prezantojë pakon e saj të sanksioneve të zgjuara kundër të gjithë individëve që minojnë sundimin e ligjit dhe kryejnë aktivitete korruptive në Mitrovicë dhe në mbarë Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor”, ka theksuar Viola von Cramon, për “Bota sot”.

Lexo edhe: “Ata duhet të goditen fort”/ Serwer kërkon sanksionimin e radhës për politikanët në dy kryeqytete, të përfshihet edhe BE-ja

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, ka paralajmëruar se SHBA do të vendos sanksione edhe ndaj 11 zyrtarëve aktuale dhe ish-zyrtarëve, por nuk ka treguar se në cilin shtet.

Ai ka thënë se atyre do t’u vendosen sanksione dhe do t'iu ndalohet marrja e vizës drejt SHBA-së.

“Në ditën ndërkombëtare Anti-Korrupsion, SHBA-ja do të vendosë sanksione dhe ndalesa vizash për 11 zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë. Së bashku ne mund të luftojmë korrupsionin dhe të promovojmë llogaridhënien dhe qeverisjen e mirë”, ka shkruar Blinken në një postim në Twitter./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat