Mungesa e Hashim Thaçit/ Aleksandër Vuçiq ndryshon strategji – Kështu synon ndarjen e Kosovës

Politika

Mungesa e Hashim Thaçit/ Aleksandër Vuçiq ndryshon strategji – Kështu synon ndarjen e Kosovës

Nga: P.R Më: 10 dhjetor 2021 Në ora: 17:16
Aleksandar Vuçiq dhe Hashim Thaçi; foto ilustrim nga "Bota sot"

Sa ishte president i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, presidenti serb, Aleksandër Vuçiqi synonte në vazhdimësi ndarjen e Kosovës. Por, në një intervistë të dhënë së fundi, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se tanimë, Vuçiq nuk po kërkon ndarje, por tani kërkon “boshnjakëzimin” e Kosovës.

“Dëshiroj që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të zhvillohet për të drejtat dhe nevojat e qytetarëve dhe jo për shkëmbim territoresh. Ne jemi një shtet demokratik dhe zgjidhje të tilla nuk do të jenë në tavolinë. Fitorja ime në zgjedhje tregoi se populli i Kosovës nuk dëshiron ndarje të territoreve. Nuk mendoj se as serbët e duan këtë. Përçarje dëshiron vetëm presidenti i Serbisë. Por, meqë unë jam kryeministër, Aleksandar Vuçiq nuk e përmend më demarkacionin me shqiptarët dhe zgjidhjet territoriale. Në vend të kësaj, ai kërkon “boshnjakizimin” e Kosovës: një entitet autonom serb brenda Republikës sonë për ta bërë Kosovën një shtet jofunksional. Ai dështoi, sigurisht. Nuk ka ndarje të Kosovës”, tha kryeministri Kurti.

Sipas Kurtit, Beogradi dëshiron një Asociacion që do të quhet republikë brenda Kosovës.

“Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk është i integruar në sistemin ligjor dhe kushtetues të Kosovës. Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese konstatoi se vetë ideja e KPK-së shkel 23 nene të Kushtetutës së Kosovës, e cila nuk parasheh asnjë integrim territorial në baza etnike. Ne kemi një krijim të tillë në BeH: quhet Republika Srpska, është ndërtuar në Dejton dhe i shërben Beogradit dhe jo serbëve. Prandaj Beogradi dëshiron një krijim të ngjashëm në Kosovë. Në BeH kemi një shtet që nuk është republikë dhe brenda tij një republikë që nuk është shtet. Brenda Kosovës, Beogradi dëshiron një Asociacion që do të quhet republikë, por nuk do të jetë shtet. Shpresoj se kemi nxjerrë disa mësime nga e kaluara dhe kemi studiuar dhe analizuar saktë Serbinë dhe politikën e saj. Të cilën, për fat të keq, e ndjemë në lëkurën tonë”, deklaroi ndër tjerash kryeministri, Albin Kurti.

Se Vuçiq është tërhequr paska nga opsioni i ndarjes dhe shkak për këtë është mungesa e Hashim Thaçit, e thotë edhe profesor, doktor Enver Bytyçi.

“Është e vërtetë se Beogradi pas shkuarjes së Hashim Thaçit në Hagë e ka lënë retorikën e ndryshimit të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve. Por nuk është e vërtetë se qeveria serbe nuk punon për këtë opsion në kushte më ta favorshme për të në të ardhmen. Presidenti serb, Vuçiq, ishte i përmbajtur edhe kur diskutonte për ndarjen e Kosovës. Madje i thoshte ish-presidentit të Kosovës, Thaçit, se “ti nuk duhet t’i bësh publike të gjitha ato që bisedojmë ne”! D.m.th i tërhiqte vëmendjen se po shkonte në aksionin e ndarjes përtej politikës së Beogradit”, thotë Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Por sipas Bytyçit, Vuçiq po pret rastin që opsionin e ndarjes ta rikthejë përsëri në tavolinë.

“Tani Vuçiq nuk flet për ndarjen e Kosovës. Bën sikur ajo kohë i përket së shkuarës. Në fakt pret rastin që këtë opsion ta rikthejë në tavolinë. Nuk besoj se ndodh kjo me Kurtin. Por shoh se ka grupime në opozitë që janë armiqësor me kryeministrin e Kosovës për shkak të rrënimit të opsioneve për ndarjen e vendit. Armiqtë e Kosovës, edhe ata që kanë bashkëpunuar dhe u kanë dhënë tenderë kriminelëve serbë në veri, mezi presin që të krijojnë një Asociacion serb në vend”, shprehet Bytyçi.

Ai thotë se qëllimi është që të vazhdojë veprimtaria kriminale e kontrabandës, trafiqeve dhe veprimtarisë së paligjshme në këtë pjesë të territorit të Kosovës.

“Krijimi i Asociacionit i shërben pastrimit të parave të pista përmes tenderave shtetërorë të Serbisë në rastin aktual. Pastaj financimit të paligjshëm të partisë në pushtet në Beograd. Pastaj edhe ushtrimit të krimeve dhe vrasjeve për të mbuluar gjurmët, si në rastin e Oliver Ivanoviç. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është një autokrat, njësoj si edhe Milosheviçi. Si i tillë, ambicia e tij e vetme është pushteti, ashtu si edhe në rastin e Edi Ramës në Tiranë. Derisa ka prioritet pushtetin, do të thotë se synon të mbijetojë përmes krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ruajtja e një “Republika Srpska” në Kosovë me modelin e Asociacionit i krijon atij mundësi që të lëviz para e pasuri pa fund e në mënyrë të pakontrolluar, si dhe të justifikuar”, shpjegon më tej për “Bota sot”, profesor Bytyçi.

Ndarja përmes Asociacionit

Ai shton se në perspektivë, Vuçiq e sheh Asociacionin si mundësinë e vetme për ndarjen e Kosovës.

“Këtë perspektivë Vuçiq e justifikon me atë që e artikulon në takimet ndërkombëtare se “Kosova një ditë do të bashkohet me Shqipërinë dhe në këtë rast Serbia do të duhet ta ketë mundësinë për ta rikthyer një pjesë të territorit nën sovranitetin serb”. Asgjë, asnjë akt, asnjë propozim, asnjë projekt, asnjë program apo ide serbe nuk del në publik pa u përpunuar efektet e saj afatshkurtra dhe afatgjata. Llogaria serbe në çdo rast është me mundësi shumë të lartë më e sakta. Asociacioni nuk është kërkesë e popullsisë serbe në Kosovë, por kërkesë dhe këmbëngulje e Beogradit. Madje serbët e Kosovës janë lodhur me lojërat politike të Serbisë. Prandaj dhe Asociacioni duhet kundërshtuar e refuzuar me forcë e vendosmëri. Asociacioni nuk u sjell asgjë të mirë serbëve të Kosovës, sepse ata do të detyrohen të jetojnë në një farë getoje, të cilën ia ofrojnë vetes. Të gjitha minoritetet në botë duan hapësirë lirie e demokracie, Serbia dëshiron për serbët në Kosovë hapësirë territor”! Që këtu duket qartë se cili është qëllimi i Aleksandër Vuçiq”, thekson Bytyçi.

Sipas tij, qeveria e Kosovës dhe institucionet e saj duhet të ndërtojnë një projekt për thellimin e demokracisë dhe zgjerimin e hapësirës së lirisë të të gjithë qytetarëve të vendit.

“Vetëm në këtë mënyrë ato i japin përgjigje euro-atlantike kërkesave absurd të Serbisë e të shefit të Diplomacisë Evropiane, Josep Borrel dhe ndërmjetësuesit Miroslav Lajcak. Këta të dy vazhdojnë refrenin, sipas të cilit “Keni firmosur marrëveshjen, zbatojeni tani”! Asnjëherë nuk i thanë Serbisë të shuajë strukturat kriminale në veri të vendit! Përkundrazi, nëse qeveria ndërhyn, Borrell fajëson Kosovën. Gjithçka është e qëllimshme. Asgjë nuk është e rastësishme. Duket qartë se midis Borrell dhe Vuçiq ekziston një lidhje e ngushtë dhe një pajtim i plotë për defunksionalizimin e shtetësisë së Kosovës”, thotë Bytyçi.

“Megjithatë nuk mjafton ky konstatim. Duhet ofruar sa më shumë liri dhe demokraci që të hiqet dorë nga mentaliteti i shekullit XIX për shtetet, kombet e etnitë! Beogradi do të këmbëngulë, por tashmë palën e Kosovës e ndihmon në argumentin e saj edhe denoncimi i grupeve kriminale serbe nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Duhet shfrytëzuar ky rast që të rivendoset rendi e ligji në veri të vendit, që të luftohet korrupsioni dhe krimi i organizuar në të gjithë Kosovën dhe që të vihen me shpatulla për muri përfituesit nga ky krim i organizuar, përfshirë presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, si dhe ndonjë politikan në Prishtinë!”, përfundon për gazetën “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat