Flet Tomë Gashi: Hashim Thaçi nuk do të lirohet, ja kur do të fillojë gjykimi

Politika

Flet Tomë Gashi: Hashim Thaçi nuk do të lirohet, ja kur do të fillojë gjykimi

Nga: A.M. Më: 20 dhjetor 2021 Në ora: 19:21
Hashim Thaçi.

Ditë më parë, Gjykata Speciale ia ka vazhduar paraburgimin ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Vendimi është marrë nga gjyqtari i Procedurës Paraprake. Këtë e bëri të ditur, avokati i Thaçit, Gregory Keohe.

Avokati Tomë Gashi në një prononcim për gazetën “Bota sot” komentoi vendimin për vazhdimin e paraburgimit të ish-presidentit Hashim Thaçi.

Fillimisht, ai votimin e gjykatës speciale e konsideroi si mëkatin më të madh të deputetëve të Kosovës, ku njëkohësisht ishte vetë Thaçi që insistonte në formimin e kësaj gjykate.

Image
Avokati Tomë Gashi

“Ishte një presion i jashtëzakonshëm i disa eksponentëve të partive që ishin në pushtet në atë kohë, posaçërisht nga Hashim Thaçi, i cili publikisht thoshte se kush nuk e voton gjykatën speciale sipas tij është kundër UÇK-së dhe kundër Kosovës”, deklaroi avokati.

Sipas Gashit fakti më i çuditshëm është se disa persona shkuan aq larg sa themelimin e Speciales e merrnin si shkak për pastrimin e pretendimeve të Dick Marty-it.

“Shumë e çuditshme që edhe disa të tjerë e mbështetnin themelimin e gjykatës speciale në emër të UÇK-së. Aq larg shkuan disa sa që themelimin e speciales e konsideronin si çështje prioritare duke pretenduar se kinse do të pastrohen pretendimet e Dick Marty-it për kinse trafikim të organeve njerëzore nga ana e pjesëtarëve të UÇK-së gjatë luftës”, theksoi ai.

Gjithashtu, avokati përmendi edhe raportin e prokurorit amerikan, Clint Williamson për dyshimet për trafikim të organeve njerëzore nga pjesëtarët e UÇK-së.

“Por, gjërat ishin më ndryshe se këto pretendime ishin eliminuar krejtësisht nga raporti i prokurorit amerikan Clint Williamson, i cili pas hetimit penal afër 4 vite nuk gjeti asnjë dëshmi konkrete për këtë aludim të kinse trafikimit të organeve njerëzore nga pjesëtarë të UÇK-së gjatë luftës dhe atë kinse ka ndodhur në Shqipëri siç pretendonte raporti i rrejshëm i Dick Marty-it”, thotë ai.

“Dhe të jetë edhe më keq, në nenin 1 të ligjit për Gjykatës Speciale ishte dashtë që deputetët ta kenë para vetës raportin e prokurorit amerikan Clint Williamson. E po ta kishin këtë raport do ta konstatonin se nuk ka asnjë provë për trafikim të organeve dhe nuk do ta votonin fare specialen”, shpjegoi Gashi.

Në fund, ai theksoi se Thaçi nuk pritet të lirohet nga paraburgimi, derisa parashikoi që gjykimi ndaj ish-presidentit do të fillojë gjatë vitit 2022.

“Hashim Thaçi nuk do të lirohet nga paraburgimi sepse kështu ka vepruar edhe Tribunali Ndërkombëtare për krime luftë në Ish-jugosllavi. Po ashtu në Hagë ku ka qenë obligative që secili i akuzuar gjatë gjykimit të jetë në paraburgim, dhe atë në burgun e njëjtë, ku po mbahet Thaçi dhe të tjerët. Dhe gjykimi do të fillojë në 2022 para pas 1.5 viteve nga arrestimi i Hashim Thaçit më 5 nëntor 2020”, përfundoi Tomë Gashi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat