Kjo është shuma që u dha për vrasjen e Tahir Zemajt

Politika

Kjo është shuma që u dha për vrasjen e Tahir Zemajt

Nga: N. Sh. Më: 5 janar 2022 Në ora: 23:01
Tahir Zemaj, djali i tij Enisi dhe kushëriri Hasani

Ditën e djeshme janë bërë 19 vite nga vrasja e kolonelit Tahir Zemajt së bashku me djalin e tij, Enisin dhe kushëririn, Hasanin.

19 vite më parë, kriminelët, ata që ia kishin frikën t’i dilnin përball kolonelit Tahir Zemaj iu vërsulen pas shpine duke i nxënë pritën në muzgun e mbrëmjes së 4 janarit të vitit 2003.

Ngjarja kishte ndodhur në afërsi të Kombinatit të Drurit, ndërsa vrasësit ishin larguar drejt Fabrikës së Birrës.

Për vrasjen e Zemajt ishin dhënë 130 mijë euro.

Kështu thotë ish-eprori i lartë i UÇK-së dhe ish-agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari.

Ai thotë se, ishte një grup që kryente vrasje me porosi.

Sipas tij, grupet e armatosura udhëhiqeshin nga duart e zgjatura të politikanëve dhe disa komandantëve të luftës të cilët ishin pasuruar shumë pas luftës, duhet cekur se shumica ishin pjesëtarë të UÇK-së që ishin të pakënaqur me zhvillimet politike në vend.

Miftari pohon se, vrasësit e kishin një burim afër Zemajt, që i njihte sakt për lëvizjet e tyre.

“Vrasja e Tahir Zemajt ishte vrasje politike, ishte atentat edhe në vet Ibrahim Rugovën i cili e kishte emëruar këshilltar kryesor të sigurisë dhe ishin parë të afërt gjatë përurimit të shtatores së Skënderbeut në Prishtinë. Kjo kishte alarmuar dhe friksuar kundërshtarët politik, por edhe të brendshëm të cilët e kishin ngutur komplotin për vrasjen e tij”, thotë ai.

Sipas tij, Zemaj njihej për kujdesin për siguri rreth vetës, derisa shton se në vendin e ngjarjes ku u bë krimi, ishin së paku 5-6 veta, vrasësit mirë të organizuar dhe të ndihmuar nga njerëzit e tjerë.

“Grupi që vrau policin në Llap, ku u vra një polic i Ugandës dhe një polic shqiptar të cilët e vranë nga plumbat e kallashnikovë 7,62mm në një prit nga një grup i armatosur diku 7-8 veta, por realisht ishin më shumë se aq. Afërsisht grupi total numëronin mbi 30-40 veta pa llogarit mbështetësit, ndihmësit dhe logjistikën që qëndronte prapa këtyre grupeve. Kjo vrasje e policëve ishte kryer vetëm nga njëra pjesë e grupit i cili kishte shtrirë terrorin në tërë Kosovën grupi përbëhej nga disa ekipe që vepronin të koordinim, por edhe vepronin autonom kur ishte në pyetje vrasje me porosi me para të majme (shembull posedonim në këtë informacion të besueshëm vrasja e Tahir Zemajt, kishte kushtuar diku 130.000 euro) pra vrasjet, kidnapimet, haraçi, ju sillnin profite të mëdha. Ku si kryesorët ishin grupet nga Drenica, Llapi, Dukagjini dhe Mitrovicës, por një grup ekzistonte edhe në rrethinën e Kaçanikut që vepronin autonom në atë pjesë të rrafshit të Kosovës”, thotë Miftari për gazetën “Bota sot”.

Ai tregon se në vitin 2004-2005 UNMIK-u por edhe policia kishin shumë të dhëna dhe fakte të mbledhura nga tereni dhe dihej shumë mirë se kush ishin këta njerëz dhe kujt i shërbenin.

“Zhdukja e provave kur u vodhën nga policia në objektin e sigurisë së lartë, pos drogës u vodhën shumë dosje dhe prova pikërisht për këto grupe fakte, incizime të bisedave telefonike (për shembull ishte përcjellë numri dhe bisedat e gruas të F.E. i cili u arrestua pastaj në Shqipëri, pastaj A.S. me tre persona tjerë si financoheshin nga personi me pseudonimin (BABUSHI) në atë kohë… e shumë e shumë gjëra tjera diheshin shumë mirë”, thekson Miftari.

Tutje, Miftari nuk shpreson shumë në zbulimin e kësaj vrasje, pa u pastruar Policia dhe Prokuroria nga ndikimet politike dhe të krimit të organizuar.

“Pa u pastrua Prokuroria dhe Policia e Kosovës nga ndikimet politike dhe nga ndikimi i krimit të organizuar, kjo vrasje por edhe vrasjet e krimet tjera serioze nuk do të zbardhen e as dënohet kriminelët. Hetuesit dhe prokrorët e Kosovës, krimin më serioz që e kanë zbuluar është para disa ditësh, kur i arrestuan tre persona dhe u dënuan se kishin vjedhur dhe masakruar një pulë”, përfundon Naim Miftari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat