“Keqpërdorimi i detyrës zyrtare, ndëshkimin nuk e ndal emri a detyra, Ligji është i njëjtë për çdokënd”

Politika

“Keqpërdorimi i detyrës zyrtare, ndëshkimin nuk e ndal emri a detyra, Ligji është i njëjtë për çdokënd”

Nga: A.SH Më: 5 shkurt 2022 Në ora: 20:26
Foto ilustrim

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ditë më parë para anëtarëve të Komisionit kishte paraqitur Projektligjin për Deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave.

E këtë e ka kundërshtuar opozita, e cila po konsideron se Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është anti-kushtetues.

Sipas tyre, ekzekutivi nuk ka interes për ta bërë një ligj të tillë dhe se nëse dërgohet në kushtetuese do të bie poshtë. Për këtë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu deklaroi se në këtë drejtim nuk ka asnjë dilemë.

Juristi Muhamet Kelmendi thotë se të gjithë ata që e kanë keqpërdorur detyrën zyrtare duhet të hetohen, dhe se a do të ketë një hetim të tillë varet nga hetimet dhe provat që i gjen prokuroria.

“Çështja e keqpërdorimit të detyrës zyrtare, pavarësisht nga cila pozitë, e larte a e ultë, është vepër e ndaluar dhe organet kanë për detyrë të hetojnë. A do të ketë akuzë nga organet për atë çështje, ndaj çdokujt, pra, edhe ndaj Thaçit, Mustafës, Haradinajt, Kurtit, Limajt etj., varet nga hetimet dhe provat që i gjen prokuroria”, thotë ai.

Sipas tij, ligji është i njëjtë për të gjithë, andaj askush nuk duhet lejuar të ikë nga përgjegjësia për veprat e tilla penale.

“Nuk duhet lejuar askënd të ikë përgjegjësia për veprat e tilla penale. Keqpërdorimi i detyrës zyrtare është vepër penale dhe ka masa ndëshkuese. Ndëshkimin nuk e ndal emri a detyra. Ligji është i njëjtë për çdokënd në Republikë. Këtej edhe masat ndëshkuese janë të njëjta. Masat penale nuk përkufizohen me pozitë apo me emër, po me keqpërdorim dhe me intensitetin e energjinë kriminale të keqpërdoruesit. Ligji është i njëjtë”, përfundon juristi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat