“Marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do i ofrojë paqe gjithë Ballkanit”

Politika

“Marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do i ofrojë paqe gjithë Ballkanit”

Nga: A.SH Më: 5 shkurt 2022 Në ora: 22:00
Gabriel Escobar, Albin Kurti dhe Miroslav Lajçak

Të hënën që kaloi në Kosovë për vizitë ishin përfaqësuesi i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe ai nga BE-ja, Miroslav Lajçak qëndruan për vizitë në Kosovë. dhe qëndruan tre ditë.

Ata me vizitën e tyre të përbashkët në Kosovë kanë bërë të ditur se dëshmojnë bashkëpunimin që ka SHBA-ja me BE-në për dialog duke pritur edhe zgjidhje përfundimtare.

“BE-ja dhe ShBA-ja kanë mbështetje për dialogun Kosovë-Serbi. Ne e shohim dialogun si prioritet kyç për Ballkanin Perëndimor. Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi do të sjell përfitime, pasi qytetarët janë lodhur nga status quoja. Ne respektojmë plotësisht parimet e Kosovës në dialog që është sovraniteti, integriteti dhe kushtetutshmëria”.

Njohësi i çështje politike, Gurakuç Kuçi, në një përgjigje për “Bota sot” thotë se e gjithë vëmendja ishte tek asociacioni dhe marrëveshja e Uashingtonit, e që sipas tij, janë probleme që nuk sjellin zgjidhje dhe shpërqendrim nga qindra probleme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Konferenca e përfaqësuesve nga SHBA-ja dhe BE-ja për dialogun në Kosovë, ishte më shumë e përqendruar në pyetjet e gazetarëve. E gjithë vëmendja u përqendrua tek asociacioni dhe marrëveshja e Uashingtonit, dhe pak tek liberalizimi e një pyetje edhe për referendumin serb. Pra, e gjithë konferenca ishte një përqendrim në probleme që nuk sjellin zgjidhje dhe shpërqendrim nga qindra probleme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo qasje në konferencë ishte një mesazh katastrofal medial. Z. Escobar dhe z. Lajçak fatkeqësisht mbetën duke përsëritur përgjigjet e njëjta në pyetjet klishe, sepse nga vetë Kosova po përqendrohet vëmendja në interesat e Serbisë dhe jo në interesat e Kosovës”, thotë ai.

Ai thotë se deklarimet e tyre ishin të qarta, që po kërkojnë një model asociacioni brenda Kushtetutës së Kosovës, duke shtuar se një ndihmë për këtë çështje e ka, vendimi i Gjykatës Kushtetuese, duke e thjeshtëzuar edhe më shumë problemin e Asociacionit.

“Qëndrimet e tyre edhe në konferencën e parë ishin të qarta, po ashtu edhe sot, po kërkojnë një model asociacioni brenda Kushtetutës së Kosovës, Lajçak madje ishte më specifik kur tha se po kërkojmë që veriu i vendit të futet nën kontrollin e Kosovës. Po ashtu Kosova ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje. Kjo e ka thjeshtëzuar shumë problemin e Asociacionit, pasi kemi një qëndrim nga jashtë ku kërkojnë zbatimin e Asociacionit, por pa kompetenca ekzekutive dhe në anën tjetër një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Ndërsa, një lloj modeli të asociacionit, por me emër ndryshe e ka dhënë edhe vet qeveria”, thotë ai.

Ai thotë se asociacioni mund të krijohet edhe në forma ku shqiptarët përfaqësohen dhe vendimet kërkohet të merren me shumicë të dyfishtë, si në Kuvendin e Kosovës.

“Asociacioni mund të bëhet edhe me klauzola kalimtare dhe me variacion që ofrojnë menaxhim nga aspekti kulturor, fetar, etj., brenda ligjeve të Kosovës, p.sh. Kosova së pari duhet të miratojë një ligj për religjionet dhe disa ligje të tjera, e pastaj të merret me asociacionin. Asociacioni mund të krijohet edhe në forma ku shqiptarët përfaqësohen dhe vendimet kërkohet të merren me shumicë të dyfishtë në kuadër të kompetencave konform ligjeve të Republikës”, shpjegon Kuçi.

Në fund shton, se Kosova edhe Serbia nuk kanë më kohë të bëjnë marrëveshje të cilat ruajnë status quo-në. Andaj marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë do të ofrojë paqe në gjithë Ballkanin.

Kosova dhe Serbia nuk kanë më kohë dhe mundësi të bëjnë marrëveshje, të cilat ruajnë status quo-në, po ashtu askush nuk mund të merret aq gjatë me ne sikur të jemi pika më e rëndësishme në botë. Superfuqitë në përplasjet e tyre, kërkojnë që në zona të caktuara gradualisht të arrijnë ndarje influencash në forma të marrëveshjeve nga poshtë-lartë. Marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë realisht do t’i ofroj paqe gjithë Ballkanit. Kosova ka shumëçka për të kërkuar në dialog dhe përqendrimi i gjithë Kosovës vetëm tek asociacioni është modeli që po e dëshiron Serbia”, përfundon për “Bota sot” Gurakuç Kuçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat