Kelmendi: Pushteti i kërkohet t'ua ndërtojë shtëpitë dhe banesat qytetarëve të dëbuar nga veriu i Kosovës

Politika

Kelmendi: Pushteti i kërkohet t'ua ndërtojë shtëpitë dhe banesat qytetarëve të dëbuar nga veriu i Kosovës

Nga: A.SH Më: 10 shkurt 2022 Në ora: 14:50
Masakra në Mitrovicë

Ditë më parë janë bërë 22 vjet nga masakra në natën midis 3 dhe 4 shkurtit 2000 në veri të Mitrovicës, ku ‘Rojat e urës’ vranë 10 shqiptarë, në mesin e të cilëve fëmijë, gra e pleq, plagosën shumë të tjerë, dhe dëbuan rreth 12 mijë shqiptarë, të cilët u detyruan të kalojnë në jug të qytetit, duke lënë prapa shtëpitë e tyre në flakë.

Derisa, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) kishte thënë se të gjitha këto vrasje janë bërë në prani të ushtarëve francezë të KFOR-it dhe policisë ndërkombëtare.

Juristi Muhamet Kelmendi thotë se, gjatë asaj kohe ruajtjen e sigurisë e kishte KFOR-i francez. Ai thotë se në banesat e tyre u vendosën kolon serbë, të cilët u shndërruan në "Roja të Urës".

“Dëbimi i 12 mijë shqiptarëve nga shtëpitë dhe banesat e veta nga Mitrovica e veriut është bërë në kohën kur ishte UNMIK-u në qeverisjen e vendit. Ndërsa, ruajtjen e rendit dhe të sigurisë në vend e kishte KFOR-i. Në veri ishte KFOR-i francez. Dëbimi i shqiptarëve vendas u bë me dhunë. U dëbuan gjatë natës dhe me maltretime e rrahje të ashpra. Gjatë dëbimit masiv nga veriu i vendit u vranë 10 shqiptarë. Në shtëpitë dhe në banesat e të dëbuarve, të shqiptarëve u vendosën kolon serbë, kryesisht të sjellur nga vendet tjera dhe Serbia, të cilët u shndërruan në "Roja të Urës", si dhe në "Listën serbe". Qytetarët e dëbuar kurrë nuk u rikthyen me pasurinë e tyre, në shtëpitë dhe në banesat e veta. Pse? Nuk ka arsye”, shprehet juristi.

Sipas tij, gabimi i shtetit është që nuk po i kthen trojet e veta duke shtuar se shkaqe të veçanta për këtë nuk ka.

“Republika është shpallur pas dëbimit. Gabimi është pse shteti nuk i kthen në trojet e veta. Shkaqe të veçanta nuk ka. Qeveritë në të kaluarën i lanë jashtë shtëpive të veta mbi 12 mijë veta. Tash edhe kjo qeveri nuk po vepron me masa rivendosje të qytetarëve në veri. E keqja është se në aksionin e ndërtimit të shtëpive në Kosovë për të dëbuarit nuk u ndërtuan shtëpitë për shqiptarët në veri. As banesat e okupuara nga serbët nuk u liruan. Kudo nëpër Kosovë i kanë liruar banesat e të dëbuarve, në veri të vendit jo, atje ku duhet të vendosen shqiptarët. Kjo nuk shkon”, thotë ai.

Në fund Kelmendi thotë se shteti duhet të ndërtojë shtëpitë për qytetarët e dëbuar pastaj, lirimin e banesave të okupuara, këtë detarë e ka shteti.

“Qeveria kërkohet të veprojë.

1. Në ndërtimin e shtëpive për qytetarët e dëbuar me dhunë nga shtëpitë dhe nga banesat e tyre,

2. Në lirimin e banesave dhe të shtëpive të okupuara nga uzurpatorët dhe

3. Në rivendosjen obligative të qytetarëve të dëbuar.

Qeveritë nuk kërkohet që të deklarojnë çështje për konsum politik. As Presidentja, as Kryeministri dhe askush në pushtet, nuk duhet në llogari të të dëbuarve të bëjnë politikë. Ata kërkohet të rikthehen të organizuar në vendet e veta. Këtë detyrë e ka pushteti”, përfundon Muhamet Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat