Luftë speciale për “m`i qepu Vjosës”/ Presidentja Osmani në shënjestër të sulmeve nga eksponentë politikë dhe medial

Politika

Luftë speciale për “m`i qepu Vjosës”/ Presidentja Osmani në shënjestër të sulmeve nga eksponentë politikë dhe medial

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 10 shkurt 2022 Në ora: 18:06
Vjosa Osmani

"Mundesh me hjek krejt, veç nëse do m`i qepu Vjosës”. Kjo fjali është publikuar në disa medie vendore së bashku me një raport rreth keqpërdorimit të derivateve të naftës nga ana e disa deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Me t`u publikuar ky lajm, ka reaguar zyra e Presidentes Vjosa Osmani, e cila ka thënë se në këtë rast është bërë raportim joprofesional, gjersa ka kërkuar nga mediumet përkatëse që të kërkojnë falje.

Në mesin e mediave, të cilat publikuan lajmin ishte edhe portali i Radiotelevizionit publik të Kosovës.

Menjëherë pas këtij lëshimi, menaxhmenti i RTK-së e ka suspenduar kryeredaktorin e uebfaqes së RTK-së, Altin Ahmetin, edhe pse i njëjti ishte në fazën e inicimit të masave disiplinore ndaj vartësit të tij që kishte postuar lajmin mbi skandalin e harxhimeve të deputetëve, ku u përfshi dhe Presidenca e Kosovës.

Edhe mediat e tjera kanë raportuar se kanë marrë masa ndaj punëtorëve që e kanë publikuar fjalinë “veç nëse do m`i qepu Vjosës”.

Reagimi i Presidencës

Nga ana tjetër, Bekim Kupina, këshilltar i presidentes Vjosa Osmani, ka reaguar duke thënë se publikimi i artikullit kishte për qëllim dëmtimin e imazhit të presidentes.

“Ky formulim epik dëshmon që në Kosovë ka media, redaktorët e të cilëve në një mëngjes të kthjellët me diell, porosisin gazetarët se kujt duhet t`i qepojnë. Këto lëshime nuk janë as të rastësishme e as të paqëllimshme, ngase te një pjesë e medias sulmet kuturu ndaj Presidentes kanë marrë konotacion fushate, të motivuara edhe politikisht. Prandaj, gazetarë e redaktorë të këtyre mediave lirohuni. Më shumë arsye, më shumë profesionalizëm, më shumë fakte, më shumë kritika, e më pak mllef, shpifje e denigrim. Presidentja Vjosa Osmani është edhe e juaja!”, ka shkruar Kupina në Facebook.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat