Mesazhi nga emisari Peach/ Momentum i ri, Kosova dhe Serbia drejt marrëveshjes përfundimtare?

Politika

Mesazhi nga emisari Peach/ Momentum i ri, Kosova dhe Serbia drejt marrëveshjes përfundimtare?

Nga: P.R Më: 11 shkurt 2022 Në ora: 17:48
Kurti dhe Peach

Gjatë ditës së djeshme, në Prishtinë ka qëndruar i dërguari special i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, i cili ka zhvilluar takime të mbyllura me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe përfaqësues tjerë institucionesh e partish politike.

E sipas ambasadës britanike në Prishtinë, emisari Peach, po punon për ta nxitur qëndrueshmërinë dhe përparimin në rajon.

"Përparësitë e tij përfshijnë punën me partnerët tanë në mbështetje të dialogut Kosovë-Serbi të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, inkurajimin e zgjidhjes së çështjeve të trashëguara, siç janë krimet e luftës dhe personat e zhdukur dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik”, thuhet në një postim e ambasadës britanike.

Ndërkohë Osmani dhe Kurti kanë konfirmuar edhe njëherë gatishmërinë e Kosovës për dialog me Serbinë, si proces i përqendruar në njohje reciproke dhe trajtim të barabartë.

Për vizitën e Sir Stuart Peach në Kosovë dhe mesazhet që ai përcolli, për gazetën “Bota sot” ka folur doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

Image
Gurakuç Kuçi

“Tek qasja e perëndimit sot i kemi tri qendra vendimmarrje, jo të ndara por që megjithatë kërkojn renditje, ato janë: SHBA-ja, BE-ja dhe Mbretëria e Bashkuar. Tendenca e BE-së për të dalë faktor i pavarur nga SHBA-ja në arenën ndërkombëtare, pas daljes së Britanisë nga unioni, është zbehur tej mase”, thotë Kuçi.

Sipas tij, Peach është relevanca e të dërguarve nga SHBA-ja dhe BE-ja.

“Andaj, Britania dal nga dal po bëhet faktor në arenën ndërkombëtare me marrëdhëniet e saj speciale të trashëguara nga Lufta e Dytë Botërore që i ka me SHBA-në. Edhe i dërguari i Britanisë për Ballkanin Perëndimor, z. Peach, është relevanca e të dërguarve nga SHBA-ja dhe BE-ja. Megjithatë, kjo nuk nënkupton që sot kemi një Perëndim të përçarë, por një perëndim ku ka më pak faktorë që kërkojnë pavarësi dhe më shumë unitet”, shprehet Kuçi për “Bota sot”.

Ai thotë se SHBA dhe Britania do të jenë shumë më unike se sa BE lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, andaj edhe qëllimi i vizitës së Peach është mesazh i unitetit të Perëndimit karshi çështjes së Kosovës.

“Si e tillë, kjo e bënë edhe BE-në më shumë konformiste ndaj kërkesave të SHBA-së dhe Britanisë të cilat pritet të jenë shumë më unike se sa ato SHBA-BE. Andaj, edhe qëllimi i vizitës së z. Peach është i të njëjtës vijë me atë të z. Escobar dhe z. Lajçak, për të përmbyllur kështu trinomin e unitetit të Perëndimit karshi çështjes së Kosovës”, deklaron doktor Kuçi.

Më tej, ai thotë se po krijohet një momentum që do t’i shtyjë të dy vendet drejt një marrëveshje përfundimtare.

“Ajo çka nënkuptojmë me presion është në shprehjen e interesave por jo në kuptimin e imponimit pa alternativë, por më shumë po mundohet që të krijohet një momentum i ri në dialogun Kosovë-Serbi që do të shtyjë drejt një marrëveshje përfundimtare”, thekson Kuçi.

Por kur mund të vazhdojë dialogu Kosovë-Serbi?

“Mirëpo, edhe nëse do ketë takime eventuale të krerëve nga Kosova dhe Serbia, dialogu i vërtetë nuk do të vazhdojë deri pas zgjedhjeve të prillit në Serbi. E ardhmja e dialogut mund të kuptohet më së miri nga ajo çka Vuçiq do të paraqesë në fushatë për marrëveshjen me Kosovën”, përfundon për “Bota sot” doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat