17 shkurti, dita kur dielli i Lirisë do t’i ngrohte zemrat e popullit tonë aq të përvuajtur

Politika

17 shkurti, dita kur dielli i Lirisë do t’i ngrohte zemrat e popullit tonë aq të përvuajtur

Mimozë Lakna   Nga Mimozë Lakna   Më 16 shkurt 2022 Në ora: 21:17
E veçantë ishte edhe deklarata e pavarësisë së Kosovës e kaligrafuar në pergamenë nga artisti Shyqri Nimani.

Nesër, (17 shkurt 2022) Republika e Kosovës shënon 14 vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Deputetët e Kuvendi të Kosovës, të cilët dhanë nënshkrimet në deklaratën e pavarësisë, sigurisht se ndihen si më të privilegjuarit dhe më fatlumët që iu rastisi të jenë pjesë e asaj legjislature.

Periudha nga paslufta e deri tek shpallja e pavarësisë së Kosovës u përshkua me ngjarje të ndryshme.

Të gjitha këto në përpjekje për të arritur qëllimin final, të cilin shqiptarët e ëndërruan me shekuj dhe e fituan me gjak e sakrificë sublime.

“Kosova e di datën”, ishte kjo fjalia që më së shpeshti do ta dëgjonim qysh në fillim të vitit 2008, e shkurti na dukej larg..

Përgatitjet kishin filluar, gjithçka ishte gati për ditën e madhe, për të cilën më vonë gjatë janarit e mësuam se do të ishte 17 shkurti.

Një nëntor i tretë i shqiptarëve po trokiste në derë. Sytë e përlotur përcillnin çdo zhvillim që ndodhte në vigjilje të ditës së madhe.

Në gjithë ato takime e ngjarje të njëpasnjëshme nuk kishte se si të mos kujtohej presidenti historik dr. Ibrahim Rugova, që për fat të keq nuk arriti ta priste këtë ngjarje për të cilën kishte luftuar e lobuar në çdo vend ku i kishte shkelur këmba.

Shqiptarët Shpërthenin në lot sa herë që përmendej emri dhe veprimtaria e tij për ta bërë Kosovën, shtet të pavarur, sovran dhe demokratik në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

17 shkurti erdhi si një bekim për shqiptarët. Kosova tashmë do të shpallej shtet, do të kishte himnin e saj, flamurin e po ashtu deklaratën e pavarësisë.

Momenti i shpalljes së pavarësisë dhe leximi i deklaratës në Kuvend shënon një nga ngjarjet më emocionuese për mbarë popullin shqiptar. Festa kumboi në të gjitha anët. Sheshet u vërshuan me qytetarë, këngë e valle të përziera me lot gëzimi.

Ngjarjeve që ndodhin njëherë në jetë natyrisht se duhet t`u kushtohet një rëndësi e veçantë.

E veçantë ishte edhe deklarata e pavarësisë së Kosovës e kaligrafuar në pergamenë nga artisti Shyqri Nimani.

Vite më parë, Nimani në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, tha se një rast i tillë i si ai i kaligrafimit të tekstit të pavarësisë, njeriut i jepet njëherë në jetë.

Për nder të 14 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, gazeta “Bota sot” sjellë disa copëza nga ajo intervistë.

“E ndjeja se Dielli i Lirisë do t’i ngrohte zemrat e popullit tonë aq të përvuajtur. Por, unë isha tërësisht i koncentruar në obligimin tim që brenda 16 orëve të kryeja një detyrë aq me përgjegjësi”, do të tregonte Nimani për për gazetën “Bota sot”.

Ai do të tregonte se viti 2008 është njëri nga vitet më dinamike, më kreative dhe më të rëndësishme në jetën e dhe në karrierën e tij artistike.

“Me rëndësi të jashtëzakonshme kombëtare dhe, siç zakonisht thuhet, historike, është shpallja e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës. Kjo ngjarje ndodhi më 17 shkurt të vitit 2008. Them, se deshi fati që unë të jem artisti që do ta kaligrafojë tekstin e Deklaratës së Pavarësisë në pergamenë, rast ky që njeriut i jepet vetëm një herë në jetë. Kisha ndjenja të jashtëzakonshme të gërshetuara me një përgjegjësi gjithashtu të jashtëzakonshme. Por, rrjedhat morën kahje tjetër nga ajo që unë kisha paramenduar për bukurshkrimin e Deklaratës. Vetëm një javë para shpalljes së pavarësisë, më njoftuan nga Qeveria, se unë do ta bukurshkruaja me dorë këtë deklaratë. Unë mendoja, ç’është e vërteta, se teksti do të ishte në një faqe A/4 dhe do të më duheshin më së paku 5 ose 6 ditë për ta shkruar ashtu siç dëshiroja. Por ndodhi krejt ndryshe. Kur arrita në godinën e Qeverisë së Kosovës (në mbrëmjen e 16 shkurtit 2008) ma dhanë tekstin e deklaratës, i cili, për befasinë time shumë të madhe, ishte në 3 faqe të plota A/4! Vërejta se teksti kishte mjaft gabime drejtshkrimore, të cilat i korrektuam. Sipas kërkesës së Kryeministrit, unë i solla nga studioja ime veglat, ngjyrat dhe 2 pergamenet (lëkurë viçi, nga 80 x 50 cm) të sjellur nga Muzeu i Londrës. Ndërkaq, shefi i protokollit, z. Abedin Qupeva, më pyeti se a mund të ishte edhe Qeveria e Kosovës së bashku me mua bashkautorë e kaligrafimit të Deklaratës. Unë i thashë se kjo gjë nuk kishte rëndësi në këtë çast, kur unë isha aq i ngarkuar nga frika, se a do të mund ta kryeja këtë detyrë për një kohë shumë të shkurtër – prej vetëm rreth 16 orëve”, do të rrëfente mes tjerash prof. Nimani.

Fatin e shpalljes së pavarësisë, profesor Nimani dhe gjithë Kosova e përjetuan njëherë në jetë. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, dy vite më vonë e legjitimoi pavarësinë e Kosovës.

Ngjarjet e tjera që ndodhën pas pavarësisë ishin sfida për shtetin që sapo u krijua. Nuk munguan as maskarenjtë përgjatë kësaj kohe. Ata morën në duar gërshërët me synimin për ndarjen e shtetit. Hartat ishin po ashtu pjesë e takimeve të ndryshme.

Korrupsioni ishte kryefjalë e nevoja për ndryshim sa vinte e rritej.

Dhe ja ku jemi, tani në vitin 2022! Me një Kosovë që po rrugëton drejt ndryshimit për të mirë.

Si shtet i pavarur, Kosovës i ka mbetur vetëm edhe përmbyllja e dialogut me Serbinë me njohje reciproke.

Pavarësia ndodhi njëherë dhe kthim prapa nuk ka!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat