Rreziku nga Rusia, sa mund ta mbrojë Shqipëria Kosovën?

Politika

Rreziku nga Rusia, sa mund ta mbrojë Shqipëria Kosovën?

Nga: P.R Më: 22 shkurt 2022 Në ora: 20:06
Forca e Sigurisë së Kosovës bashkë me Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe British Army e kanë zhvilluar stërvitjen e përbashkët në Bizë të Shqipërisë.

Duke komentuar tensionet e krijuara në Ukrainë pas vendimeve të shtetit rus, Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Niko Peleshi, ka thënë se një tensionim i mëtejshëm i situatës në lindje të Ukrainës, sipas Peleshit, do të ndikonte në prishjen e ekuilibrave në rajon.

“Një skenar i mesmë është prishja e ekuilibrave në Bosnjë, natyrisht nëpërmjet Kosovës dhe Serbisë. Jemi në një situatë ku shteti i pavarur i Kosovës nuk njihet nga Serbia. Të gjitha këto, në kushtet e një agresioni rus, do të fillojnë të bëhen më keq. Ballkani Perëndimor është në mes të rrugës që e çon për te stabiliteti i qëndrueshëm. Destinacioni është integrimi i plotë në strukturat euro atlantike. Themi është në mes, sepse asnjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk e ka kryer këtë integrim”, ka thënë Peleshi.

Sipas tij, Shqipëria do të mbrojë Kosovën në rast të një rreziku.

“Nuk ka paqe të përjetshme, nuk ka siguri të përjetshme, çdo gjë varet nga rrethanat, sidomos këtu në Ballkan. Sidomos kur jemi në një kohë që vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë mbyllur procesin e integrimit, ndërkohë që dy pikat më të nxehta në Ballkan janë Bosnja me Dodik dhe Serbia që nuk njeh Kosovën. Kosova nuk është e cenueshme, aty ka prezenca të KFOR-it, edhe SHBA ka bazë atje, Ministria e Mbrojtjes në Kosovë po ashtu po bën punë të mirë. Edhe Shqipëria, në rast cenimi të Kosovës, do të jemi menjëherë krah saj, por një gjë e tillë nuk do të ndodhë”, u shpreh Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Niko Peleshi.

Por sa është e gatshme Shqipëria që ta mbrojë Kosovën? Lidhur me këtë, skeptik shprehet analisti dhe publicisti nga Shqipëria, Rexhep Shahu.

Image
Rexhep Shahu

 

“Këto deklarata të Ministrit Peleshi të kujtojnë Guliverin s liliputin. Liliput nuk ia merr dot masat e kostumit Guliverin. Shqipëria edhe pse formalisht e ka emrin në Këshillin e Sigurimit, as sa mban miza në krah nuk ka fuqi as peshë Shqipëria sa flitet për luftën e Ukrainën e Rusinë. Punë të huaja për ministrin Peleshi këto punë, jashtë mundësive të gjykimit të tij, jashtë kapaciteteve të Shqipërisë”, deklaron Shahu.

Sipas tij, për Kosovën, Shqipërinë e mbarë rajonin kujdeset shteti amerikan.

“Nëse shuhet, humbet e zvogëlohet Amerika atëherë mundet të vajtojë, kaq mundet të bëjë Shqipëria e ministrat e Shqipërisë për Kosovën, veriun e saj dhe konfliktin në veri. Ndoshta ministri Peleshi ka bërë shaka me Ukrainën nga ne marrim qumështin pluhur, grurë e shumë produkte të tjera. Shqipëria kaq din e kaq interes ka për Ukrainën, që merr ndonjë produkt ukrainas me certifikatë ruse. Këto deklarata për luftë e paqe mes fuqive dhe përzierja e Shqipërisë janë shaka me të cilat do të qeshte Servantesi”, përfundon për “Bota sot” publicisti nga Shqipëria, Rexhep Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat