“Këtë e din edhe Serbia edhe Rusia” – parashikimi i doktorit të Shkencave të Sigurisë – ja çfarë do të bëjë SHBA-ja!

Politika

“Këtë e din edhe Serbia edhe Rusia” – parashikimi i doktorit të Shkencave të Sigurisë – ja çfarë do të bëjë SHBA-ja!

Nga: N. Sh. Më: 28 shkurt 2022 Në ora: 16:54
Aleksandar Vuçiq dhe Vladimir Putin

Rusia tashmë ka filluar pushtimin e Ukrainës. Në orët e hershme të ditës së mërkurë, Rusia filloi pushtimin e Ukrainës nga të gjitha anët, duke e goditur po ashtu nga toka, ajri dhe deti.

Pas pushtimit që i bëri Ukrainës, kanë reaguar shtetet e fuqishme botërore, si SHBA-ja, Britania, e gjithë BE-ja, Gjermania e të tjera, por edhe Aleanca Veriatlantike – NATO.

Kur e gjithë bota sytë i ka kah Ukraina, në rrezik është edhe destabilizimi i situatës në gjithë Ballkanin Perëndimor.

Serbia, e cila është e përkrahur nga Rusia dhe ndikimi i saj, mund ta destabilizojë situatën në Kosovë e Bosnje.

Por, a është e mbrojtur Kosova, nga një rrezik serb, në formë të luftës speciale, që mund ta bëjë Rusia me Serbinë së bashku?

Gjithashtu pyetja e radhës mund të shtohet se, a duhet të përgatitemi vërtetë për mundësinë e një lufte në veri apo lufte diversive fillimisht?

Doktori i Shkencave të Sigurisë, Avni Islami, thotë se, Rusia jo vetëm në këtë kohë, por edhe më herët, gjithmo ëndërr e ka që të përgatisë një ofensivë në Ballkan, në mënyrë që presioni të shtrihet edhe më tepër rreth Ballkanit, sidomos në fokus është Kosova që të mund të tërheq një paralele mes Ukrainës dhe Kosovës.

Image
Doktori i Shkencave të Sigurisë, Avni Islami

“Grumbullimi i trupave ushtarake në Ukrainë dhe deklaratat e politikanëve rusë se siç kishte të drejtë Perëndimi të ndërhyjë në Kosovë, mundohet të justifikoj që të neutralizoj dhe të mos reagojë Perëndimi për sulmin ushtarak në Ukrainë. Nuk është vetëm çështja e ndikimit në mënyrë të tërthortë, kjo tërheqje e paraleles është e papranueshme dhe e pajustifikueshme me vet faktin se sot do të qëndroj shefi i sigurisë kombëtare të Rusisë në Serbi, dhe kjo tregon se Rusia është në ofensivë në Ballkan në mënyrë që të tërhiqet vëmendja e Perëndimit dhe të shpërqendrohet bashkësia ndërkombëtare, e cila është e koncentruar plotësisht në çështjen e Ukrainës”, thotë Islami për gazetën “Bota sot”.

Ai shton se, jo vetëm tash, por edhe në të kaluarën Serbia ka qenë minisatelit i vogël që përdoret nga ana e Rusisë që shteti rus të shtrijë ndikimin e vet në Ballkan.

“Kemi parë kohën e fundit që Bosnja është një vend jo stabil ku Republika Serbe dhe udhëheqësi i saj Dodik është duke u përdorur nga ana e Serbisë dhe Rusisë, e i cili po i kundërshton vendimet e bashkësisë ndërkombëtare dhe kërcënon se pjesa ku është Republika Serbe mundet shumë lehtë t’i bashkohet Serbisë. Këtu është duke u luajtur një kartë që të bëhet e tensionuar situata në Kosovë dhe për fat të mirë këto tentativa të Serbisë nuk kanë rezultuar me sukses, sepse në Kosovë me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit është mandatuar KFOR-i, dhe kësisoj Kosovës i garantohet sovraniteti dhe integriteti territorial dhe se kjo tregon se Kosova nuk rrezikohet nga ndonjë invazion prej shtetit serb, pasi do të përballej me NATO-n, dhe këtë e din edhe Serbia edhe Rusia, mirëpo Serbia nuk përton që bashkë me Rusinë që të mbajë të tensionuar herë pas here çështjen e Kosovës”, potencon ai.

Sipas Islamit tendenca e Rusisë do të vazhdojë edhe më tutje që ta shtijë aktivitetin e saj dhe të jetë faktor i barabartë me vendet e perëndimit që mos ta humbas influencën e vet në Ballkan.

“Unë besoj që sikurse deri më sot që SHBA-të dhe aleatët e saj iu kanë kundërpërgjigjur pretendimeve të Rusisë dhe Serbisë edhe në të ardhmen do t’i neutralizojnë dhe Kosova nuk do të bie pre e provokimeve të Rusisë e Serbisë, dhe Kosova me institucionet e sigurisë do t’ia dalin duke bashkëpunuar me faktorët relevant, pra me SHBA-në dhe aleatët e saj”, përfundon Avni Islami.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat