Akuzat e rënda/ Marrëveshja e fshehtë Rusi-Serbi dhe përfshirja e Edi Ramës dhe Hashim Thaçit!

Politika

Akuzat e rënda/ Marrëveshja e fshehtë Rusi-Serbi dhe përfshirja e Edi Ramës dhe Hashim Thaçit!

Nga: N. Sh. Më: 3 mars 2022 Në ora: 22:52
Hashim Thaçi, Aleksandër Vuçiq dhe Edi Rama/ Foto ilustrim gazeta "Bota sot"

Tashmë jemi në ditëtn e tetë që në Ukrainë luftohet.

Ushtria dhe qytetarët e Ukrainës janë përballë ushtrisë pushtuese të presidentit rus, Vladimir Putin.

Janë vetëm pak ditë, por objektivat ruse të pushtimit në Ukrainë nuk u realizuan.

Kështu shprehet profesor dr. Enver Bytyçi në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ku shton se, të shohim se si do të shkojë e zhvillohet situate, por në cfarëdo rrethane Rusia nuk do të mundë që ta nënshtrojë Ukrainën.

Sipas tij, ajo mund ta pushtojë atë, por jo edhe ta nënshtrojë.

“Mundet që diktatori Vladimir Putin të bombardojë popullsinë civile në Ukrainë, nëse nuk do të gjendet një marrëveshje. Por paqen nuk do ta vendosë në këtë vend. Një pushtues që nuk krijon harmoni nuk mund të rezistojë gjatë. Nga ana tjetër Europa është e bashkuar tashmë në qëndrimet e saj ndaj Moskës. Të gjitha shtetet janë solidarizuar me sanksionet e Bashkimit Europian. Vetëm Serbia nuk ka pranuar të sanksionojë Rusinë. Ajo në fillim nuk deshi ta përkrahë sovranitetin e Ukrainës. E kushtëzoi këtë përkrahje me kërkesën që Kievi ta dënojë ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë”, thotë Bytyçi.

Por, sipas tij, më vonë tha me gjysëm zëri se njeh sovranitetin shtetëror të Ukrainës.

Image
Profesor dr. Enver Bytyçi

“Ndërkohë presidenti serb, Aleksandër Vuçiq refuzoi të mbështet sanksionet europiane dhe amerikane. Vuçiq e kishte dhe e ka të pamundur t’i kundërvihet Kremlinit. Ai është peng i Vladimir Putin. Një zëdhënës i ministrisë së Jashtme në Moskë thoshte para katër ditësh se “Putin do të realizojë të gjitha premtimet që i janë dhënë presidentit të Serbisë”! Kjo do të thotë se përveç bashkëpunimit të hapur Beograd-Moskë ka edhe një marrëveshje të fshehtë, të cilën nuk e njohin shtetet perendimore. Kjo marrëveshje e fshehtë Putin-Vuçiq e lidh presidentin e Serbisë pas karrotës së Rusisë”, thotë profesori.

Bytyçi pohon se, presidenti Vuçiq është i rrethuar nga simpatizantë dhe bashkëpunëtorë të shumtë të Kremlinit.

“Të tillë janë kryetari i parlamentit serb, Ivica Daçiq, ministri i Mbrojtjes, që demonstroi me ambasadorin rus në kufi me Kosovën, ministri i Punëve të Brendshme e shumë të tjerë. Prandaj ai e ka të pamundur të ndryshojë kursin e politikave gjeostrategjike të Beogradit në favor të bashkëpunimit dhe integrimeve euro-atlantike. Gjithësesi unë mendoj se as vetë Vuçiq nuk ka qenë kurrë pro-perendimor. Por besoj se ka mundur të mashtrojë shumë politikanë europianë e në SHBA për gjoja orientimin e tij perendimor. Për këtë i ka ndihmuar edhe Edi Rama dhe Hashim Thaçi. Këta të dy kanë hyrë garant në qarqet perendimore për atë se “Aleksandër Vuçiq na qenka një president që e do Perendimin”! Se “ai qenka i interesuar për integrimin e Serbisë në BE e madje edhe në NATO”!”, shprehet ai..

Sipas profesorit, të gjitha këto dolën fiasko në rastin e konfliktit ruso-ukrainas.

“I vetmi shtet europian krahas Bjellorusisë është Serbia ajo që u radhit pro-agresorëve rusë të Vladimir Putin. Kjo është e mjaftueshme për identifikuar edhe njëherë karakterin dhe integritetin e autoriteteve serbe. Ndërkaq qytetarët serbë në mbi 80 për qind të tyre janë pro-rusë. Në Serbi ende besojnë në një fitore të Moskës në fushatën ushtarake në Ukrainë. Prandaj dhe besohet se Serbia do të përfshihet në aleancën gjeostrategjike të Rusisë, si gjithmonë gjatë gati një shekulli e gjysëm. Nëse vemë re zhvillimet e shekullit XX, atëherë kuptojmë lehtë pse Serbia i qëndron besnike aleatit të saj, Rusisë. Serbia organizoi aleancën ballkanike dhe luftën ballkanike (1912-1913) me mbështetjen e Rusisë, me qëllim parandalimin e krijimit të shtetti shqiptar dhe daljen e tyre në Detin Adriatik. Serbia provokoi më 28 qershor 1914, ditën e Vidovdanit serb Luftën e Parë Botërore me vrasjen e princit austro-hungarez, Franz Ferdinand dhe gruas së tij. Kurse Rusia më pas nisi Luftën e Parë Botërore për të mbështetur Serbinë në ambicien e saj për dalje në Adriatik”, thotë Bytyçi.

Ai shton se edhe në Luftën e Dytë Botërore ish-Bashkimi Sovjetik u bë bashkëpërgjegjës me Hitlerin për fillimin e Luftës së Dytë Botërore.

“Pakti Ribentrop-Molotov i bashko këto dy shtete për pushtimin e Ukrainës dhe Polonisë. Tani Rusia dhe Serbia po bëhen shkaktare të një lufte tjetër të madhe. Në këto kushte Kosova duhet të insistojë për t’u pranuar në NATO dhe BE. Duhet shkuar urgjent në pesë vendet anëtare të BE-së, që ato ta njohin shtetin e Kosovës”, përfundon profesor dr. Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat