Ish-komandanti i UÇK-së: Të përshpejtohet pranimi i shteteve neutrale në NATO

Politika

Ish-komandanti i UÇK-së: Të përshpejtohet pranimi i shteteve neutrale në NATO

Nga: A.M. Më: 5 mars 2022 Në ora: 14:47
Hafir Hoxha

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe eksperti i sigurisë, Hafir Hoxha në një bashkëbisedim për “Bota sot”, thotë se Ukraina dhe Kosova nuk janë shtete anëtare të BE-së e as të NATO-s.

“Lufta në Ukrainë ka lëviz dhe iniciuar aktivitetin politik kudo në botë, por posaçërisht është interesante mobilizimi i BE për çështje të sigurisë.

Tani kur po ndodh lufta mu në qendër të Evropës edhe për Ukrainën, njëjtë sikur shtetet ballkanike, nuk është anëtare e BE-së, e as e NATO-s, shumë shtete të BE-së e kanë marrë shumë më seriozisht luftën në Ukrainë e sidomos Anglia, Gjermania dhe Franca. Arsyeja është se lufta po ndodhë shumë më afër tyre fizikisht se sa ishin luftërat në ish Jugosllavi, dhe Rusia si fuqi ua rrezikon edhe stabilitetin dhe sigurinë e tyre, kurse lufta në ish-Jugosllavi ishte e lokalizuar dhe nuk paraqitke asnjë rrezik për ta, andaj, edhe nuk janë marrë shumë seriozisht sa duhet me regjionin e Ballkanit”, thotë ai për “Bota sot”.

Image
Hafir Hoxha

Më tej, Hoxha shprehet se çështja e Kosovës dhe vendeve të tjera fqinje është zvarritur pa nevojë.

“Tani shumë gabime politike të bëra nga BE-ja, besoj se do të insistojnë t`i përmirësojnë BE-ja dhe SHBA-ja. Çështja e Kosovës dhe e Ballkanit Perëndimor është zvarrit tepër dhe pa nevojë”.

Po ashtu, Hoxha thotë se shtetet neutrale e kanë të pamundur që të funksionojnë të pavarura dhe për këtë arsye duhet të ndodhë rreshtimi i tyre.

“30 vitet e fundit luftërat kryesisht ishin në shtetet neutrale, pasi sot është gati se e pamundur të funksionosh si shtet i pavarur dhe neutral në krahasim me fuqitë e mëdha, atëherë logjika se rreshtimi i atyre shteteve në një anë duhet të ndodhë”, thotë ai.

Sipas tij, Rusia dëshiron që shtetet, të cilat nuk janë në BE apo në NATO dëshiron që t`i vendosë nën kontrollin e saj.

Hoxha më tej, ka treguar se cili është roli i Serbisë, si aleat i Rusisë dhe çfarë ka investuar ky shtet.

“Bashkimi Sovjetik me shtetet komuniste u shpartallua. Rusia dëshiron t`i rikthejë nën kontrollë ato shtete, të cilat ende nuk kanë hyrë në BE e as në NATO, atë po e bën edhe me dhunë, luftë sikur po shihet në Ukrainë dhe një satelit të vogël kundër NATO-s ka mbet në Ballkan, ajo është Serbia.

Kosova ende nuk e ka të zgjidhur relacionin me Serbin, Rusia ka investuar në Serbi që të dominiojë ajo në shtetet Ballkanike dhe t`i mundësojë Rusisë dalje në Detin Adriatik! Pasi Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia, veç janë bërë anëtare të NATO-s, gjasat i ka shumë të vogla Rusia, që të ndezë konfliktin në Ballkan dhe të bën ndryshime të kufijve dhe të sigurojë dalje në Mal të Zi, në Detin Adriatik”, tha nënvizuar Hoxha .

Gjithashtu, ai mendon se SHBA-ja duhet t`i përshpejtojnë pranimin e shteteve neutrale në NATO .

“Kosova që nga viti 1999 është në mbikëqyrje të NATO-s pasi ajo është prezente këtu, SHBA-ja ka zhvilluar politikë të ngadalshme që ta bind edhe Serbinë, dhe tërë rajoni të hyjë në NATO, por Serbia nuk po tregon interesim dhe është rreshtuar në mbështetje të Rusisë, besoj se edhe SHBA-ja do ta përshpejtojë pranimin e shteteve neutrale në NATO”, thotë Hoxha.                         

Sipas Hoxhës, Kosova nuk duhet që ta lë anash këtë mundësi.

“Këtë mundësi e Kosova, dhe nuk duhet ta lë anash. Në të njëjtën kohë edhe pranimi në BE duhet realizuar. I tërë Ballkani duhet ta përshpejtojë që të kuptohet mirë orientimi politik i këtyre vendeve dhe të ndërpriten ëndrrat e Serbisë dhe Rusisë se mund të bëjnë një rreshtim të ri politik në Ballkan. Me pranimin e Kosovës dhe Ballkanit në BE dhe në NATO edhe Serbia si vrimë e zezë shumë më shpejt do ta pranojë realitetin, ta pranojë Kosovën e pavarur dhe t’i bashkëngjitet BE-së dhe NATO-s”, thotë Hoxha për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat