“Fondi i Sigurisë, është nismë me vend, Kosova është e interesit të përgjithshëm”

Politika

“Fondi i Sigurisë, është nismë me vend, Kosova është e interesit të përgjithshëm”

Nga: A.SH Më: 8 mars 2022 Në ora: 15:47
FSK

Kosova ka krijuar Fondin për Siguri. Kjo ditë më herët është njoftuar nga kryeministri Albin Kurti.

Por, Partia Demokratike e Kosovës, është ajo që ka dalë kundër Fondit të Sigurisë.

“Ushtria kërkon një qasje serioze institucionale për financimin e saj njohuri të thellë të rëndësisë së qëndrueshmërisë së financimit. Një ushtri e fortë nuk mund të ndërtohet e as të mbahet nga “lëmosha”, është e paqëndrueshme, jo serioze, jashtë sistemit shtetëror tashmë ekzistues për të mbështetur planin zhvillimor të FSK-së, dhe një barrë tjetër e rëndë për një popullatë tashmë të varfër që mezi përballon ushqimin dhe rrymën. Mos të flasim për një mërgatë të rraskapitur me barrën e ndihmës për ne, me dekada të tëra”, kishte deklaruar Besa Kabashi.

Lidhur me këtë, analisti Skënder Mulliqi thotë se në 20 vite janë bërë keqpërdorime të mëdha në dëm të shtetit.

“20 vite janë shumë për një shtet edhe më të madh se Kosova, për të përballuar koston e keqpërdorimeve të mëdha që u bën nga partitë që ishin në pushtet, edhe nga PDK-ja, e cila doli kundër vendimit të Qeverisë për krijimin e Fondit të Sigurisë të Forcës të Kosovës. Çdo shtet rëndësi të madhe i kushton fondeve emergjente dhe fondeve të posaçme për ushtri. Në Kosovë kurrë nuk u mendua kjo gjë seriozisht nga pushtetet. U keqpërdor aq shumë pozita shoqërore dhe politike sa vështirë është të merret me mend. Na vërshuan fenomenet më negative të mundshme, si krimi dhe korrupsioni të niveleve të larta, nepotizmi … të cilat bënë që një kategori e njerëzve në pushtet dhe njerëzve të biznesit të pasurohen në mënyrë marramendëse, dhe si ka mundësi pastaj të mbetet gjë për shtet-ndërtim dhe mirëqenie të qytetarëve, të cilët shumica po jetojnë keq”, thotë ai.

Sipas tij, kjo nismë është me vend duke e ditur se Kosova në katër anët rrethohet me armiq.

Ai tutje shton, PDK-ja por edhe të gjitha partitë tjera që ishin në pushtet, është dashur shumë më herët të mendojnë për formimin e këtyre fondeve.

“Mos menaxhimi i mirë nga qeveritë, mos planifikimet afatgjata për të ndarë mjete të nevojshme për rezerva të shtetit, edhe në rast të ndonjë lufte, kur dihet se Kosova rrethohet nga armiq serbosllav, dhe me Serbinë hegjemoniste, e cila edhe pas çlirimit të vendit, nuk i la anash synimet serbomëdha. Lufta në Ukrainë dhe kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë për aneksim të veriut të Kosovës, kanë shpërfaqur domosdonë e krijimit të fondeve, edhe të Fondit të Sigurisë, që është nismë me vend, në këto rrethana politike dhe ekonomike në të cilat aktualisht gjendemi. Prandaj, PDK-ja por edhe të gjitha partitë tjera që ishin në pushtet, është dashur shumë më herët të mendojnë për formimin e këtyre fondeve për forcimin e ushtrisë, e tash nuk do të ishin në një situatë të tillë jo të mirë. Kosova është e interesit të përgjithshëm, nuk është e asnjë subjekti politik veç e veç, dhe e asnjë individi. Nuk ka inate kur vjen në shprehje mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, kur dihet se çfarë ka shkaktuar dhe çka mundet të rrjedhë nga invazioni ushtarak rus në Ukrainë edhe në rajonin e Ballkanit”, thotë ai.

Në fund, Mulliqi porosit që ky fond të mos keqpërdoret dhe mos të keqmenaxhohet, duke thënë se Kosova duhet të ketë një ushtri shumë të përgatitur, e cila është në gjendje që në çdo situatë të paraqitur të jetë e gatshme për veprim.

“Ajo çka lypset në këtë rast është që ky fond dhe mjetet të cilat do të grumbullohen të mos ndodh që të keqmenxhohen apo edhe të keqpërdoren, se mjaft na ndodhi me gjëra të tilla. Duhet të vetëdijesohemi se shteti nuk mbahet me llafe boshe, por mbahet me punë të madhe, mbahet në këmbë me qasje serioze të të gjithë faktorëve relevant shoqëror dhe politik. Kosova duhet ta ketë një ushtri shumë të përgatitur, e cila është në gjendje që në çdo situatë të paraqitur të jetë e gatshme për veprim. Siguria kombëtare është mbi të gjitha. Nuk është lëmoshë siç e ka cilësuar PDK-ja formimin e Fondit, por është diçka që duhet bërë në rrethanat e paraqitura, kur Kosova, seriozisht mund të kërcënohet nga invazioni ushtarak ruso-serb”, përfundon analisti Mulliqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat