Rreziku nga Serbia, kështu duhet të veprohet në veri të vendit

Politika

Rreziku nga Serbia, kështu duhet të veprohet në veri të vendit

Nga: G.B Më: 8 mars 2022 Në ora: 16:29
Foto ilustruese

Më shumë se asnjëherë tjetër është theksuar dëshira dhe kërkesa që Kosova të anëtarësohet në NATO dhe BE.

Kjo për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë prej 13 ditësh.

E pas luftës që po bëhet atje, në Kosovë janë shtuar apelet për kujdes nga agresioni serb.

Ishte kryetari i Kuvendi Glauk Konjufca që bëri thirrje për kujdes, derisa tha se nga Serbia pritet skenari më i keq i mundshëm.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Kosova duhet t’i shfrytëzojë rrethanat ndërkombëtare dhe të ndërmarrë nismë të fuqishme për anëtarësim në NATO, BE dhe të njihet nga 5 shtetet që nuk na kanë njohur.

Image
Gani Qarri

“Duke pasur parasysh faktin se okupimi ushtarak që po vazhdon, në mënyrën më të egër mbi Ukrainë me agresionin e hapur të Rusisë imperialiste, jo shumë kohë më parë ka ndodhur edhe në Kosovë me okupimin e saj, nga Serbia fashiste, Qeveria Kurti medoemos duhet t’i shfrytëzojë rrethanat e reja ndërkombëtare si dhe ndryshimin e qasjes së SHBA-ve, të BE-së dhe gjithë komunitetit ndërkombëtar kundër Rusisë dhe veprimeve agresive serbo-ruse edhe në Ballkanin Perëndimor, si në BeH dhe Kosovë, e të ndërmarr një nismë të fuqishme diplomatiko-politike për pranimin e Kosovës në NATO, inkuadrim në BE dhe njohjen e pavarësisë nga 5 vendet e BE-së, të cilat ende nuk ju kanë bashkuar vendeve të tjera evropiane dhe botërore”, ka vlerësuar analisti.

Sipas Qarrit, derisa Konjufca thotë se nuk përjashtohet mundësia e një agresioni serb, duhet shtrirje e sundimit të ligjit në veri të vendit.

“Madje ashtu siç shprehet edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, përderisa nuk përjashtohet mundësia e përsëritjes së një agresioni me qëllime okupimi të pjesshëm apo në shkallë të gjerë nga Serbia hegjemoniste, e cila edhe sundohet nga njëri prej faktorëve të kohës së okupimit klasik të Kosovës, si Aleksandër Vuçiqi, si dhe rrezikun serbo-rus për Kosovën, është momenti vendimtar për shtrirjen e sundimit të shtetit të së drejtës në veri të vendit, izolimin dhe mënjanimin sa më parë të të gjithë elementëve të dyshimtë serbo-rus në Kosovë, si dhe të insistojë për liberalizimin e vizave dhe pranimin e kandidaturës së Republikës së Kosovës për inkuadrim në Bashkimin Evropian”, ka theksuar ai.

Ai shton se pas përkrahjes së Rusisë nga ana e Serbisë, institucionet e shtetit duhet t’i shuajnë strukturat paralele në veri dhe gjithë Kosovën dhe sipas tij të vendosen të paktën dy kazerma me ushtarë në veri të Kosovës, në bashkëveprim me SHBA-të dhe NATO-n.

“Për aq më tepër, pas pozicionimit të Serbisë pro agresionit të Rusisë në Ukrainë, Qeveria dhe diplomacia e shtetit të Kosovës duhet ta shfrytëzojnë këtë rast për shuarjen e strukturave paralele të Serbisë që veprojnë jo vetëm në veri, por gjithandej Kosovës, si dhe të bëjë shpërndarjen dhe vendosjen para ligjit të bandave kriminale serbe në këtë pjesë të vendit tonë, dhe në bashkëveprim me SHBA-të dhe NATO-n, të vendosen të paktën dy kazerma me rreth 1000 ushtarë të FSK-së si dhe një bazë të NATO-s, sado e kufizuar dhe simbolike qoftë ajo, në veri të Kosovës, për t`ia bërë me dije Serbisë dhe të gjithë bashkëmendimtarëve të saj, se Kosova është shtet sovran e i pavarur në gjithë shtrirjen e saj gjeografike, kufijtë dhe territoret e të cilës, janë dhe do të mbeten të paprekshme, tash e përgjithmonë”, ka deklaruar Gani Qarri për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat