Zhvillime dramatike në Ukrainë/ Shqiptarët në rrezik - po ndizen flakët e konfliktit në rajonin tonë!

Politika

Zhvillime dramatike në Ukrainë/ Shqiptarët në rrezik - po ndizen flakët e konfliktit në rajonin tonë!

Nga: A.M. Më: 11 mars 2022 Në ora: 22:46
Foto ilustrim

Janë bërë 16 ditë që nga fillimi i luftës në Ukrainë, ku Rusia po vazhdon me sulmet, bombardimet dhe kërcënime e saj.

Krahas këtyre zhvillimeve dramatike, po kërcënohet edhe me përdorimin e armëve bërthamore nga Rusia, gjë që do të shkaktonte një katastrofë botërore.

Me këto veprime dhe deklarata tendencioze të Putinit, po kërcënohen edhe shtetet tjera të Evropës, përfshirë edhe Kosovën.

Në lidhje me këtë çështje, në një prononcim për gazetën “Bota sot” foli profesori universitar, Enver Bytyçi.

Fillimisht, ai u shpreh se lufta në Ukrainë është në një pikë kritike, derisa ushtria ruse po e pret momentin për një ofensivë më të madhe ushtarake.

“Lufta në Ukrainë si rezultat i sulmit të Rusisë kundër saj është në një fazë kritike. Ushtria ruse ka rrethuar kryeqytetin dhe disa qytete të rëndësishme të vendit dhe duket se pret momentin për të ndërmarrë një ofensivë ushtarake të gjerë e të dhunshme kundër qytetarëve ukrainas. Zhvillimet janë dramatike. SHBA dhe Bashkimi Evropian janë solidarizuar me Ukrainën dhe presidentin Zelensky, kanë vënë sanksione, por akoma me këto nuk mund të detyrohet Vladimir Putin t’i jap fund luftës”, deklaroi profesori.

Krahas kësaj, Bytyçi është skeptik sa i përket ndryshimit të situatës. Ai vlerëson se lufta në shtetin ukrainas do të zgjasë për një periudhë të gjatë, pasi Rusia e Putinit nuk e ka ndërmend të heq dorë nga ambiciet famëkeqe.

Image
Profesori universitar, Enver Bytyçi.

“Situata nuk pritet të ndryshojë së paku për një periudhë kohe relativisht të gjatë. Presidenti rus nuk heq dorë lehtë nga ambiciet e tij për zgjerimin e territoreve. Prandaj pritet që ai të shtojë represionin, dhunën dhe masakrat kundër ukrainasve dhe Ukrainës. Në këto kushte ai do ndihet i izoluar. Por nuk është për të ndenjur indiferentë sikur konflikti do të jetë i lokalizuar në Ukrainë. Përkundrazi, Putin do të synojë që të hapë një front, një vatër konflikti diku gjetkë në territorin e kontinentit evropian, me qëllim që ta lehtësojë rrethimin që i është vënë nga sanksionet dhe izolimi politik”, theksoi ai.

Asgjë nuk është e sigurt në Ballkanin Perëndimor, sidomos në ato territore ku jetojnë serbët

Po ashtu, profesori paralajmëroi se mund të shpërthejë ndonjë konflikt edhe në rajonin e Ballkanit. Kjo pasi, Moska ka raporte të ngushta me Serbinë dhe shumica e serbëve janë përkrahës të Putinit të cilin e shohin si një ikonë.

“Kjo zonë evropiane, ku mund të shpërthejë konflikti është Ballkani Perëndimor. Kjo për arsye se Moska ka aleatë të ngushtë në Beograd. Serbia politike në shumicë dhe popullsia serbe po ashtu në shumicë dërmuese janë pro-rusë, nuk duan ta dënojnë agresionin rus në Ukrainë, nuk i janë bashkuar sanksioneve amerikane dhe evropiane kundër Kremlinit etj. Ndërkohë që presidenti i Serbisë është në dilemën midis Perëndimit dhe Rusisë. Po ashtu Vladimir Putin shihet si ikonë te serbët e Republikës Srpska të Milorad Dodik në Bosnjë-Hercegovinë, te shumica e serbëve të Malit të Zi dhe atyre në Kosovë”, nënvizoi Bytyçi.

Në vazhdim, ai potencoi se Amerika dhe vendet e mëdha evropian janë të vetëdijshme për shpërthimin e konflikteve në Ballkan, prandaj edhe janë angazhuar për këtë çështje.

“Kjo simpati ikonike ndaj Rusisë dhe presidentit të saj bën të mundur që lehtësisht të ndizen flakët e konfliktit në rajonin tonë. SHBA-të dhe vendet kryesore evropiane e dinë këtë dhe janë angazhuar për të ruajtur paqen e stabilitetin në këtë rajon. Ministrja e Jashtme e Gjermanisë e theksoi këtë në vizitat e saj të fundit në Sarajevë, Prishtinë dhe Beograd. Por asgjë nuk është e sigurt. Në Ballkanin Perëndimor, sidomos në ato territore ku jetojnë serbët punojnë për Moskën mjetet e informimit, mediat, organizata të shumta jo qeveritare, struktura shtetërore, një numër i madh i administratës shtetërore, shërbimet sekrete ose segmente të tij, oficerë të ushtrisë e policisë etj. Ndërsa, në Nish gjendet qendra humanitare ruso-serbe, ku janë grumbulluar spiunë dhe terroristë të shtetit të Rusisë, të cilët kanë ndihmën e përkrahjen e Serbisë”, tha ndër të tjera profesori.

Ka jo pak popuj që në mënyrë të sofistikuar bëjnë lojën e Vladimir Putin.Më tej, Bytyçi e përmendi edhe qëndrimin e Shqipërisë për luftën në Ukrainë dhe heshtje e Ramës përballë akuzave të Putinit, për nxitje të mercenarëve shqiptarë në luftën ukrainase.

Ai këtë e cilësoi si tragjike.

“Mos harrojmë gjithashtu se në mediat e popujve jo-serbë, edhe pse këta popuj janë pro-perëndimorë, ka jo pak prej tyre që në mënyrë të sofistikuar bëjnë lojën e Vladimir Putin. Madje edhe në mediat shqiptare flitet nganjëherë “për të drejtën ruse për të mos e pasur NATO-n në kufi me Rusinë”! Dhe nëse dikush reagon, përgjigja është në majë të gjuhës: “Jemi në demokraci, mendimi është i lirë”! Unë kam takuar politikanë shqiptarë dhe gazetarë, sido që të rrallë, të cilët flasin me simpati për Vladimir Putin. Është vërtet tragjike kjo. Nuk jam i sigurt edhe për kupolën e politikës shqiptare në Shqipëri, se cilën anë qëndron. Hapur shfaqet kundër luftës ruse në Ukrainë. Por ndërkohë miqësitë janë të shpallura me presidentin e Serbisë, me Daçiq, e deri te Lavrov në Moskë. Në Shqipëri nuk ka reagime qeveritare nga vetë kryeministri për akuzat që bëjnë ditë për ditë Putin e Lavrov për atë që ata e quajnë “pjesëmarrje të shqiptarëve në luftën kundër rusëve në Ukrainë”! Më bën të dyshoj kjo. Një kryeministër që nuk lë pa replikuar edhe me një qytetar, të cilin kurrë nuk e ka njohur, të heshtë kur presidenti dhe krye diplomati rus akuzojnë për këtë”, potencoi ai.

Krejt në fund, profesori tha se urgjentisht duhet që Shqipëria dhe Kosova të bëjnë një plan të përbashkët strategjik, pasi ne jemi në rrezik!

“Është emergjent një projekt strategjik i përbashkët Shqipëri-Kosovë për të përballuar këtë situatë kërcënuese e për të parandaluar zgjerimin e konfliktit ukrainas në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ne rrezikohemi. Si Shqipëria e sidomos Kosova. Duhet patjetër të ndryshojë politika, të lihet pas ajo politikë që përçan dhe që politikanët shqiptarë në të gjithë rajonin të bashkohen dhe të programojnë punën e tyre në rast të një situate tensioni në rajon”, përfundoi Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat