“Rusia e ka të pamundur të involvohet apo zgjeroj zonën e konfliktit në rajonin tonë”

Politika

“Rusia e ka të pamundur të involvohet apo zgjeroj zonën e konfliktit në rajonin tonë”

Nga: A.SH Më: 12 mars 2022 Në ora: 17:16
Ukrainë

Lufta e Rusisë në Ukrainë ka bërë që vendet perëndimore t’i vendosin sanksione të ashpra Rusisë.

Në anën tjetër Rusia po përpiqet të kundërsulmojë dhe më shumë të frikësojë, shtetet që i kanë vënë sanskione.

Së fundi ajo ka nisur për herë të dytë një kërcënim diplomatik, dhe të karakterit të sigurisë. Ajo ka vendosur në listë të zezë shtetet e BE-së, por edhe tre shtetet e Ballkanit Perëndimor, Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut në listën e zezë.

Cili është rreziku që mund t’i kanoset Kosovës?

Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë (ISS), në një përgjigje për “Bota sot” thotë se aktin të cilin e ka marrë Rusia me ‘listë armiqësie’, nuk ka asnjë peshë a rrezik për vendet e listuara.

“Rusia do të duhej ta kishte ditur ashtu siç u paralajmërua nga bota perëndimore, se me rastin e pushtimit të Ukrainës, si kundërpërgjigje do të merr sanksione nga më të ndryshmet. Andaj, para se Rusia të filloj me listimin e vendeve jomiqësore, ky vend e ka marr njëzëshëm përgjigjen nga SHBA-ja, Evropa dhe vendet tona, e që ky akt me ‘listë armiqësie’, nuk ka asnjë peshë a rrezik për vendet e listuara, përveç konfirmim ndasie mes Perëndimit dhe Rusisë”, thotë Halimi.

Image
Armend Halimi

 

Sipas tij, elementet ruse në Ballkan janë të varura nga pozicioni rus, andaj edhe Rusia e ka të pamundur të involvohet apo zgjeroj zonën e konfliktit, për një përshkallëzim në rajonin tonë.

“Ndryshe, sa për përshkallëzimin e konflikteve në rajonin tonë, nuk duhet nxituar, sepse elementet ruse në Ballkan janë të varura nga pozicioni rus, që do të thotë Rusia direkt në këto rrethana e ka të pamundur të involvohet apo zgjeroj zonën e konfliktit, gjë që ndikon edhe në gatishmërinë e caqeve të saja për konflikt, sepse shpresën e kanë pasur tek Rusia, që realisht vetë kjo është e pashpresë për veten tani për tani”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat