Analisti tregon se si mund të vije deri tek njohja e Kosovës nga Ukraina

Politika

Analisti tregon se si mund të vije deri tek njohja e Kosovës nga Ukraina

Nga: A.Z Më: 14 mars 2022 Në ora: 15:00
Meliza Haradinaj-Stublla

Ish-kryediplomatja e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla ka reaguar pasi ambasadori i Ukrainës në Serbi Oleksandr Aleksandrovych ka thënë se Ukraina nuk do të ndryshojë qëndrim karshi shtetit të Kosovës.

Haradinaj-Stublla tha se Ukraina po bie pre e gënjeshtrës së Rusisë që i konsideron Krimenë, rajonet Donetsk e Luhansk, dhe tani së fundmi Kherson pjesë të Rusisë.

Ajo shkroi se “MBI ‘MOSNJOHJEN’ E KOSOVËS NGA UKRAINA. Ambasadori i Ukrainës në Serbi, Oleksandr Aleksandrovych paska thënë se Ukraina nuk do të ndryshojë qëndrim karshi shtetit të Kosovës.“Nuk kemi marrë një kërkesë të tillë nga Kosova. Qëndrimi parimor i Ukrainës për respektimin e integritetit territorial të vendeve të tjera, përfshirë Serbinë, është i njohur dhe i pandryshueshëm”, ka thënë ai.

Duke e “konsideruar Kosovën pjesë të integritetit territorial të Serbisë” dhe duke mos e njohur atë, Ukraina po bie pre e gënjeshtrës së Rusisë që i konsideron Krimenë, rajonet Donetsk e Luhansk, dhe tani së fundmi Kherson pjesë të Rusisë. E vërteta është që të dyja Kosova dhe Ukraina janë shtete të pavarura, dhe asnjëra NUK i përket as botës ruse e as asaj serbe! MPJD e Kosovës sa më parë të vë kontakt direkt ose përmes aleatëve me MPJ-në e Ukrainës, duke argumentuar qartë të vërtetën e Kosovës, dhe mos t’ia lë argumentimin vetëm Serbisë dhe Lavrovit (Rusisë)”.

Lidhur me këtë, analisti politik Leon Duhanaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se duhet pasur kujdes kur flasim për Ukrainën, sepse ishte shtet satelit i Rusisë, ndërsa më vonë është orientuar nga perëndimi, dhe në këtë rast, ndryshuan rrethanat në mes Rusisë dhe Ukrainës.

Image
Leon Duhanaj

“Kur flasim për Ukrainën, duhet të kemi kujdes në cilësime dhe analiza. Ukrainën dhe qëndrimet e saj, duhet trajtuar në dy rrethana të ndryshme. Në 1. Ukraina në një kohë ka qenë shtet satelit i Rusisë dhe me qeveri dhe bindje kolektive proruse. Pas ndryshimeve gati revolucionare politike në Ukrainë, ku politika u orientua kah perëndimi, ndryshuan rrethanat por edhe klima. Rusia në anën tjetër filloj me agresionin ndaj Krimesë për të vazhduar me vonë me agresionet tjera deri edhe me luftën totale e cila po vazhdon. Tani, ne duhet ta trajtojmë ketë çështje kujdesshëm, duke analizuar nga këndvështrime të ndryshme”, tha ai.

Ai vazhdoi më tej se njohje mund të ketë vetëm nëse Ukraina i pranon “republikat” e ndara, ndërsa, nëse do të ketë konflikte të pazgjidhura, atëherë nuk do të ketë njohje.

“Në radhë të parë do të varet nga epilogu i luftës dhe marrëveshja për paqen e cila mund të ndodhë. Nuk mund të presim njohje nga Ukraina, nëse nesër do ta ketë problemin e aneksimit të pjesëve territoriale të saj. Nëse ndodhë që në këtë marrëveshje paqeje Ukraina t’i pranojë “republikat” e ndara si realitet, atëherë nuk do të ketë problem ta njoh as Kosovën. Por, nëse aty do të ketë status quo dhe konflikt të pazgjidhur, nuk mund të pritet njohja. Kjo nuk do të thotë që Kosova dhe Ukraina në të ardhmen të mos gjejnë gjuhë të përbashkët bashkëpunimi qoftë me apo pa njohje. Është detyrë e jona dhe e diplomacisë të kërkojmë gjuhë bashkëpunimi me të gjithë, në mënyrë që të krijohet klimë simpatie”, shtoi Duhanaj.

Tutje shtoi se ambasadori në Beograd mund të jetë pro rus, andaj edhe nuk duhet t’i jepet hapësirë nga politika e Kosovës.

Madje, sipas tij, këtij ambasadori nuk duhet t’i japin hapësirë as në media.

“Politika kosovare nuk duhet të fokusohet shumë në deklaratat e një ambasadori në Beograd, sepse ai ose mund të jetë pro rus, ose mund të jetë i sfiduar nga rrethana të ndryshme. Duhet patur parasysh se Ukrainë është në gjendje lufte dhe mos të presim me shumë nga kjo. Ne duhet të mbajmë klimë pozitive në krah të aleatëve tanë, përderisa zhvillimeve tjera mos t'u japim çmim aq të madh. E kam vërejtur se në mediat kosovare po qarkullon çdo dit një deklaratë e Ambasadorit të Ukrainës në Beograd dhe mendoj që në të mirën e Kosovës, nuk ishte dashur t'i ipet hapësirë mediatike fare”, ka përfunduar Leon Duhanaj për gazetën “Bota sot”.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat