‘Hija’ e Putinit në veri/ Serbisë po i dështon plani – gjërat po shkojnë në favor të Kosovës

Politika

‘Hija’ e Putinit në veri/ Serbisë po i dështon plani – gjërat po shkojnë në favor të Kosovës

Nga: A.M Më: 14 mars 2022 Në ora: 22:36
Vladimir Putin dhe Aleksandar Vuçiq, foto ilustrim nga "Bota sot"

Gjatë ditë se shtunë, në komunat veriore të Kosovës janë shkruar grafite pro ruse me shkronjën "Z", e cila është kthyer në simbol të forcave ruse në agresionin ushtarak në Ukrainë.

Burimet e medias vendore kanë bërë të ditur se këto grafite janë shënuar nga aktivistë të Listës “Srpska”.

Ky veprim është vazhdimësi e veprimeve të strukturave serbe me qëllim të destabilizimit të situatës së sigurisë.

Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava në prononcimin e tij për “Bota sot” thotë se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të jenë të tensionuara.

Ai u shpreh se pavarësisht shpalljes së Pavarësisë, shteti serb ende ka pretendime territoriale ndaj Kosovës.

“Marrëdhëniet mes dy shteteve, Serbi-Kosovë janë edhe më tutje në situata të tensionuara, konfliktuoze qysh nga lufta e vitit 1999 e deri më tani, edhe pse faktori ndërkombëtar po tenton t’i ndërmjetësoj bisedimet mes këtyre dy shteteve dhe të vijë sa më parë deri te pajtimi dhe njohja reciproke, por deri më tani ishin të pasuksesshme ato ndërmjetësime. Kjo, sepse Serbia sikur që dihet ka pretendime territoriale ndaj Kosovës dhe duke e pasur këtë parasysh e sidomos kur bota demokratike në krye me Amerikën dhe NATO-n, sipas Rezolutës 1244 nga OKB e intervenoi gjatë luftës gjenocidale që e ushtronte Serbia ndaj Kosovës”, deklaroi eksperti.

Image
Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava

Mirëpo, Tërnava vlerësoi se Serbia ka kapitulluar dhe ka pësuar humbje të madhe, pasi garantues i territorit të Kosovës është KFOR-i dhe ëndrra për të marrë territor shqiptar ka përfunduar.

“Kapitullimi i Serbisë ndodhi me nënshkrimin e marrëveshjes së Kumanovës, dhe garantues i territorit të Kosovës është KFOR-i, dhe në vitin 2008 Kosova e shpalli Pavarësinë e saj, të cilën deri më tani e kanë njohur 117 shtete të botës, pavarësisht këtyre rrjedhave qysh nga atëherë e deri më tani Serbia s’po pajtohet për këtë humbje, dhe si i vetmi shtet i përafërt që po i qëndron dhe po e përkrah është Rusia”, theksoi ai.

Përkrahja e Serbisë për Rusinë, në favor të Kosovës

Në vazhdim, eksperti i sigurisë foli edhe për qëndrimin e shtetit serb ndaj agresionit rus, ku përmendi faktin se Serbia është shteti i vetëm në Evropë që po përkrah Rusinë.

“E gjendur në këtë situatë tani Serbia, e kur Rusia e sulmoi Ukrainën dhe po e lufton pamëshirshëm qe tri javë. Po e bombardon me armatim modern të të gjitha llojeve si tokësor ashtu edhe ajror nga të gjitha pozicionet e tëra, edhe që bota demokratike në krye me Amerikën dhe aleatët e saj që po e përkrahin rreth 90% të shteteve të botës në krye me NATO-n, e që po e akuzon Rusinë si shtet që ka kryer invazion ndaj Ukrainës, dhe shtetet që po i qëndrojnë pranë dhe po e përkrahin Rusinë janë në numër të vogël dhe munden të numërohen në gishtat e një dore, e ndër to është edhe Serbia si i vetmi shtet i Ballkanit dhe Evropës”, nënvizoi Tërnava,

Megjithatë, ai beson se ky qëndrim i Serbisë shkon në favor të Kosovës dhe se kjo mund të ndikojë në përshpejtimin e anëtarësimit të Kosovës në NATO.

“Por, e tërë kjo situatë e tanishme e përkrahjes të Rusisë nga ana e Serbisë, Kosovës i shkon për shtati, sepse gjithsesi tani po tregohet se kush është Serbia. Prandaj, tani duhet të shpejtohen procedurat e anëtarësimit të Kosovës në paktin e NATO-s, e që këtë e kanë parasysh edhe anëtarët e këtij pakti të NATO-s. Si dhe ato pesë shtete të BE-së, që se kanë njohur Pavarësinë e Kosovës e që katër nga to janë anëtare të NATO-s, edhe ato shtete duhen në një kohë të shkurt ta njohin pavarësinë tonë. Tani u pa se shtetet e Evropës duhen të jenë unike dhe të përbashkëta me Amerikën dhe NATO-n, dhe të gjitha këto shtete edhe tani janë në përkrahje të Ukrainës, e që po i ofrojnë ndihma të ndryshme humanitare dhe të tjera, si dhe banorëve të larguar nga Ukraina, si ndihmë që u ofrohet, i kanë të hapur kufijtë drejt shteteve të BE-së”, potencoi ai.

Simboli pro-rus “Z” nuk duhen të ekzistojë dhe duhet sa më parë të fshihet apo të zhduket

Kurse, grafitet provokuese pro-ruse në veri të vendit, Tërnava i cilësoi si veprime anti-ligjore dhe kërkoi nga policia zbardhjen e autorëve të këtyre mbishkrimeve.

“Meqë simboli i forcave ruse i kësaj lufte (në Ukrainë) është “Z” dhe tani po ky simbol është shënuar në vende të ndryshme nëpër komunat e veriut të Kosovës nga aktivistët e Listës “Srpska”, dhe meqë veriu i takon territorit të Kosovës, këto veprime janë anti-ligjore, të shkruara nga qytetarët e asaj pjese të Kosovës, prandaj është detyrë e Policisë të Kosovës t’i zbuloj ata, të cilët qëndrojnë prapa këtyre shkrimeve. Nëse konstatohet dhe argumentohet se Lista Serbe qëndron prapa atyre pamfleteve, duhet të kërkohet shkarkimi i atyre njerëzve të cilët qëndrojnë prapa këtyre shkrimeve, dhe në baza ligjore të ndërmerren masa përndjekëse ligjore ndaj tyre, qoftë gjyqësore apo edhe të kërkohen dorëheqjet nga Kuvendi i Kosovës”, thotë ndër të tjera eksperti i sigurisë.

Krejt në fund, ai bëri apel në fshirjen dhe zhdukjen e simboleve pro-ruse në veri, për faktin se Kosova është rreshtuar në anën e Perëndimit dhe ka sanksionuar Rusinë.

“Këto shenja “Z” nuk duhet të ekzistojnë, duhet sa më parë të fshihen apo të zhduken, sepse nëse jemi shtet sikur që jemi, Kosova duhet të jetë unike në tërë territorin e saj dhe ligjet e saj unike duhet të zbatohen në të gjithë shtetin. Prandaj, edhe veriu duhet të jetë në përputhshmëri me funksionimin e ligjeve të Kosovës”, përfundoi Hajrullah Tërnava për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat