Të gjitha kapacitetet që i ka Kosova t’i ofrojë në shërbim të refugjatëve ukrainas

Politika

Të gjitha kapacitetet që i ka Kosova t’i ofrojë në shërbim të refugjatëve ukrainas

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 18 mars 2022 Në ora: 13:13
Foto ilustrim

Më 24 shkurt ka filluar Rusia luftën ndaj shtetit ukrainas, gjë e cila është duke vazhduar akoma, dhe gjendja e qytetarëve atje dita ditës po bëhet edhe më e vështirë.

Andaj, një numër i madh i tyre kanë arritur të largohen nga Ukraina, kështu duke shkuar në shtetet fqinje për tu strehuar derisa kjo luftë të marrë fund.

Krahas shteteve të tjera që kanë pranuar qytetarët e Ukrainës, është edhe shteti i Kosovës, me ç’rast edhe pse jo i njohur si shtet nga Ukraina, ka hapur dyert për ta.

Kosova ka shprehur gatishmëri që t’i strehoj deri në 5 mijë ukrainas, gjithashtu edhe institucionet e Kosovës janë deklaruar se Kosova ka kapacitet për pranimin e tyre.

Sipas ish-zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, Kosova ka objekte të mjaftueshme në të cilat mund të akomodohen ata. Derisa thotë se situata me refugjatët ukrainas është më e menaxhueshme, sesa me refugjatët e tjerë, ai ka kërkuar nga institucionet koordinim me partnerët ndërkombëtarë.

Unë besoj me një organizim të shpejtë, edhe pse duhet llogaritur që për Kosovën nuk është një numër i vogël, pesë mijë veta, por duhet koordinim qoftë me BE-në, qoftë me organizatat e Kombeve të Bashkuara në mënyrë që të jetë ardhmja e kontrolluar, që të mos jetë fluks i madh dhe pastaj të mos mundet që Kosova t’i sistemojë në mënyrën e duhur”, ka thënë Zeka.

Ai shtoi se procedura në rastin e refugjatëve të Ukrainës dallon prej refugjatëve të tjerë, qoftë sirianë e të tjerë, jo që është procedurë më e rëndë, por për shkak se është procedurë e rregullt. “Këto probleme nuk gjenden me ukrainasit, sepse ata vijnë të pajisur me dokumentacion dhe kështu që vendosen”.

“Ukrainasit kanë zgjedhur shtete të tjera”

Lidhur me këtë, eksperti i sigurisë Drizan Shala, në një prononcim për “Bota sot”, pohon se me pranimin e ukrainasve, japim mesazhin që mund t’i plotësojmë të gjitha nevojat e dalura nga partnerët tanë.

Image
Drizan Shala

Tutje shtoi se ukrainasit, Gjermaninë, Poloninë etj., i shohin si vende të sigurta, pra sipas tij, ukrainasit e bëjnë vetë përzgjedhjen se ku do të qëndrojnë.

Në lidhje me paralajmërimet nga ana e qeverisë që në Kosovë mund të arrrijnë 5000 ukrainas, kjo tregon faktin që në luftën që është duke u zhvilluar atje dhe partneritetin ndërkombëtar që ka treguar, kjo jep mesazhin që në aspektin institucional mund të arrijmë t’i plotësojmë të gjitha kërkesat dhe nevojat që mund të dalin nga partnerët tanë. Por, në bazë të situatës në terren qytetarët ukrainas kanë bërë për zgjedhjen, dhe vende të sigurta i shohin Poloninë, Gjermanin dhe vendet tjera si vend të preferuar. Sa i përket refugjatëve sirian dhe afganistanëve dallojnë nga ukrainasit arsyeja është që si shtet ka një sistem stabil ekonomik dhe mirëqenia sociale është në nivel me disa vende të BE-së, dhe prandaj ata do bëjnë përzgjedhjen e vendeve ku do qëndrojnë deri te përmbyllja e konfliktit në Ukrainë”, potencoi ai.

“Kosova ka kapacitet”

Juristi Muhamet Kelmendi pohon se strehimi i tyre do të thotë se në njërën anë jemi humanitarë, dhe në anën tjetër Kelmendi i thekson raportet me BE-në, NATO-n dhe SHBA-të.

Image
Muhamet Kelmendi

Ai thotë më tej se për strehimin e tyre në Kosovë, nuk duhet shikuar aspektin e mosnjohjes, sipas tij, duhet strehuar, madje ai thekson se Kosova ka kapacitet për strehimin e tyre.

Strehimi i të ikurve nga lufta është çështje humane, strehimi i ukrainasve të ikur nga agresioni rus në Ukrainë është një sjellje shumë humanitare e shtetit të Kosovës. Kjo buron nga dy anë. Në njërën anë, është në pyetje bujaria dhe mikpritja shqiptare dhe, nga ana tjetër, janë raportet me BE-në, me NATO-n dhe me SHBA-të. Nuk mendoj se Kosova varfërohet me këtë numër. Natyrisht se sfidat ekzistojnë. Janë bërë rreth 10 mijë refugjatë. Kjo është një sfidë. Por, mendoj se Republika ka kapacitete. Natyrisht se priten edhe ndihma të ndryshme dhe në të tjera fusha nga SHBA-të dhe BE-ja. Sidokudo është kjo një punë humanitare. Këtej nuk duhet shikuar se çfarë qëndrimi ka Ukraina për shtetin e Kosovës. Në këtë anë as që diskutohet. Ukraina nuk e ka njohur shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës. Populli thotë: "Në rastin e rëndë njihen miqtë" Këtu buron bujaria shqiptare”, ka përfunduar ai.

“E kemi obligim t’i pranojmë refugjatët”

Ndërsa, ekonomisti Mustafë Kadriaj, ka deklaruar se ne shqiptarët ua kuptojmë gjendjen më së miri, andaj edhe duhet t’i hapim dyert për ta.

Image
Mustafë Kadriaj

Tutje u shpreh se në këtë rast edhe tregojmë se jemi të radhitur përkrah forcave demokratike, dhe se jemi kundër Rusisë.

Gjithashtu ai theksoi se, Kosova i ka të gjithë mekanizmat për strehimin e ukrainasve në Kosovë.

Se a do të vijnë refugjatët nga Ukraina mbetet të shihet, por si qeveria dhe ne si qytetarë duhet t’i hapim dyert dhe të ndajmë të mirat materiale për faktin që ne e kuptojmë më së miri gjendjen e një refugjati ku para 20 vite kemi qenë në të njëjtën situatë. Të gjitha kapacitetet që i ka Kosova duhet t’i ofroj në shërbim të refugjatëve, sepse duhet të tregojmë para miqve ndërkombëtarë që edhe ne si shtet, jemi të radhitur përkrah forcave demokratike në botë dhe jemi kundër të keqes, në këtë rast Rusisë dhe aleatëve të saj. Derisa sa nuk jemi në gjendje lufte kemi obligim si shtet dhe shoqëri që të hapim portat për refugjatët nga cilido vend i botës. Se sa do ndikoj në sigurinë e Kosovës vlerësoi që Kosova i ka të gjithë mekanizmat shtetëror për t’i kontrolluar dhe menaxhuar dhe nuk ka dozë të frikës në këtë drejtim”, theksoi Kadriaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat