Kosova në “teh” të agresionit ruso-serb/ NATO të veprojë urgjentisht!

Politika

Kosova në “teh” të agresionit ruso-serb/ NATO të veprojë urgjentisht!

Nga: A.M. Më: 31 mars 2022 Në ora: 14:23
Foto ilustrim

Lufta e Rusisë në Ukrainë ka shkaktuar frikë dhe tension edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, veçmas në Kosovë.  

Kjo për shkak se po përflitet për një konflikt të ri me Serbinë.  

Mirëpo, krahas këtyre problemeve, konflikti në Ukrainë ka ngjallur shpresën për anëtarësimin më të shpejtë të Kosovës në NATO.  

Profesori dhe njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi në një prononcim për “Bota sot” tha se Bashkimi Evropian ka nxjerrë mësime nga lufta në Ukrainë, ndonëse ende është e paqartë politika e saj mbi Ballkanin Perëndimor.  

“BE si mekanizëm evropian ka qenë një kohë të gjatë dhe ende është në një gjendje të paqartë politike mbi Ballkanin Perëndimor. Natyrisht se me agresionin rus mbi Ukrainë dhe me qëndrimet ndaj Rusisë është nxjerrë një mësim i mirë nga UE.   

Megjithatë, BE  ka shumë për të ndryshuar në politikën e vetë, shumë shtete e kanë kuptuar se një çështje e domosdoshme e tyre është armatosja me armë dhe rritja e fuqisë mbrojtëse. Këtej i rritën financat për mbrojtje, këtu duhet theksuar Gjermaninë, Francën, Italinë, Anglinë, Spanjën dhe shtete tjera. Rritjet e financave për mbrojtje u bënë të mëdha dhe po kalon 2% nga bruto-produkti”, deklaroi ai.  

Image
Profesori dhe njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi

Po ashtu, Kelmendi përmendi gabimet që BE ka bërë ndaj politikës së Rusisë.  

Ai vlerëson se BE dhe NATO ende nuk ke kanë një qasje të qartë ndaj Rusisë, Serbisë dhe Bjellorusisë.     

“Vetë BE pësoi një ndryshim të dukshëm, tash po ndanë mjete për armë mbrojtëse për Ukrainë dhe konstatoi se ishte një politikë e gabueshme ndaj Rusisë dhe të aleatëve të saj.   

U vërejt si nga shtetet, ashtu edhe nga mekanizmat, si BE dhe NATO, se kishin pasur qasje jo të qartë ndaj shteteve si Rusia, Bjellorusia, e ndoshta edhe ndaj Serbisë etj. Po them ndoshta, sepse këtu ende nuk ka qartësi politike.  

Kjo për faktin se shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet te pavarur dhe sovran nuk bënë ndryshime. 5-ja e BE mbeti në pozita të njëjta, ato nuk e njohën Kosovën dhe nuk pritet që ta njohin. Kuptohet se mësimet nga shtetet, nga UE dhe nga NATO nga agresioni në Ukrainë janë shumë të qarta, por jo edhe ndryshimet ndaj politikës në Ballkanin Perëndimor UE dhe shtetet që e panë qëndrimin e Beogradit ndaj agresionit rus, si dhe  dyfytyrësinë e Serbisë, ende nuk po e kritikojnë hapur Serbinë”, nënvizoi profesori.  

Më tej, ai kritikoi ashpër Bashkimin Evropian për mos vendosjen e sanksioneve ndaj Serbisë, si dënim për përkrahjen e luftës ruse në Ukrainë.  

E krahas këtyre zhvillimeve Kelmendi kërkoi nga Kosova që të bëjë kërkesë për anëtarësim në BE dhe NATO.  

“Sanksionet ndaj Rusisë nuk i pranojë Serbia dhe prapë nuk po del si shtet paqe prishës ne Ballkan. Bënë dhe po bëjnë edhe demonstrata pro – ruse, u kritikua nga shume ministra të shteteve, por nuk u sanksionua politika pro-ruse e shtetit serb.  

Shteti i Kosovës kërkohet dhe është e domosdoshme të bëjë kërkesë për anëtarësim në NATO dhe në UE. Kjo e ndihmon Kosovën në shumë anë dhe i krijon mundësi për të lobuar më me sukses për njohje nga 5-ja evropiane dhe për pozitë më të përafërt me BE dhe me NATO”, potencoi Kelmendi.  

Ndër të tjera, profesori paralajmëroi se Kosova është në teh të  agresionit serb, prandaj duhet kërkuar mbrojtje nga NATO, BE dhe SHBA, si dhe armatim mbrojtës për Ushtrinë e Kosovës.    

“Nuk mendoj se anëtarësohet Kosova në këto mekanizma, por kështu del se Kosova është qartë properëndimore dhe amerikane.  

Mirë është që të sqarohen këto pozita të Kosovës. Kërkohet të bëhen sqarime mbi rrezikun e agresionit serb ndaj Kosovës, si dhe ndaj Bosnje e Hercegovinës, ndaj Malit të Zi e Maqedonisë.  

Kosova është në teh të agresionit serb, këtë duhet sqaruar në çdo takim dhe kudo duhet kërkuar mbrojtje nga NATO, BE dhe SHBA, si dhe armatim mbrojtës për Ushtrinë e Kosovës.  

Koha nuk pret, këtë gjendje duhet shfrytëzuar në maksimum”, përfundoi Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat