A duhet të presë Kosova ende apo ta shpallë ndërprerjen e negociatave me Serbinë/ Serbia duhet izoluar, promotorja e Rusisë

Politika

A duhet të presë Kosova ende apo ta shpallë ndërprerjen e negociatave me Serbinë/ Serbia duhet izoluar, promotorja e Rusisë

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 1 prill 2022 Në ora: 18:39
Pamje nga bisedimet në Bruksel

Në vitin 2011 ka nisur procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, e gjithë këto vite nuk është se ka pasur ndonjë arritje të madhe për vendin tonë, përveç ndonjë marrëveshje në dëm të Kosovës, si ajo për asociacionin.

Por, me fillimin e luftës në Ukrainë, pushtimit rus, u duk se filluan të ndryshojnë gjeostrategjitë dhe politikat rajonale.

Një hap me rëndësi në këtë zhvillim u hodh me vendosjen e sanksioneve të përbashkëta ndaj Rusisë nga e gjithë Europa, SHBA-të, Kanadaja etj.

Sanksioneve nuk iu bashkua Serbia, dhe kuptohet Bjellorusia, e cila ka institucione proruse. Serbia, përveç tjerash e ka obligim vendosjen e sanksioneve për shkak se është në negociata të anëtarësimit në BE, dhe nisur nga kjo është e obliguar që ta ndjek Brukselin, po kërkohet vendosja e sanksioneve ndaj saj.

Deri më tash ka pak autoritete që e kanë thënë këtë, por, kjo do të duhej të shërbente për Kosovën që ta sanksiononte Serbinë, duke u mbështetur në faktin se ajo është në aleancë me Rusinë, dhe bashkëpunon me të edhe për plane lufte kundër Kosovës, ndërsa ne i kemi vendosur sanksione Moskës.

Sanksione simbolike, dhe sanksione ndaj Serbisë

Derisa sanksionet ndaj Rusisë janë simbolike, ato ndaj Serbisë do të kishin efekt të madh, kryesisht ekonomik, pasi Kosova importin më të madh e bën në këtë shtet fqinjë.

Pas refuzimit të mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë, dialogu ka mbetur si pezull sepse deri më tani nuk ka ndonjë datë se kur do të mund të ketë takime.

Meqenëse Serbia është pozicionuar kundër Perëndimit, janë shtuar zërat që të shfrytëzohet rasti nga Kosova dhe të pezullohen bisedimet. Njëri nga autoritetet, ekspertë të çështjeve të Ballkanit Janush Bugajski, ka kërkuar që të ndërpritet dialogu me Serbinë.

“Ndërsa Beogradi e përqafon plotësisht Kremlinin, është koha për të hequr dorë nga bisedimet farsë mes Kosovës dhe Serbisë. Katër anëtarë të NATO-s (Greqia, Sllovakia, Rumania, Spanja) duhet të njohin Kosovën dhe të demonstrojnë se mbështesin NATO-n dhe jo Rusinë në Ballkan”, ka deklaruar Bugajski.

Për një çështje më pak të ndjeshme, grupi i shteteve që quhet të Vishegradit, sipas traktit ku u lidh marrëveshja mes tyre, e kanë anuluar takimin me kryeministrin hungarez Viktor Urban, për shkak të qëndrimeve të tij proruse, edhe pse Hungaria është anëtare e BE-së, dhe anëtare e vet grupit në fjalë.

Shtetet anëtare të Vishegradit janë Polonia, Çekia, Sllovakia dhe Hungaria.

Bytyçi: Bojkoti i këtyre bisedimeve nuk duhet të vijë nga institucionet e Kosovës

Image
Profesori Enver Bytyçi

Profesori Enver Bytyçi në një përgjigje për “Bota sot” thotë se Serbia dhe Hungaria janë dy vendet evropiane, të cilat kanë shprehur afërsi me Rusinë në gjithë këtë situatë.

Sipas tij, Serbia tani është delja e zezë e Evropës, e cila ka dalë kundër saj dhe SHBA-ve, por që nuk po dënohet, madje ajo ende po përkëdhelet pavarësisht këtij qëndrimi anti-perëndimor.

“Dy janë shtetet europiane, Serbia dhe Hungaria, të cilat kanë shprehur afërsi me Vladimir Putinin. Dhe është interesant se të dy këto vende nga kjo afërsi kërkuan të bëjnë ndërmjetësin për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë në favor të Rusisë. Viktor Orban udhëtoi në fund të shkurtit në Moskë, gjoja për ta bindur presidentin Putin që të mos ndërmarrë sulme ushtarake kundër Ukrainës. Kurse tani është Ivica Daciq, ai që i ka kërkuar Kremlinit të pranojë ndërmjetësinë e Beogradit për zgjidhjen e krizës. Këta të gjithë i ka kap sëmundja e Putinit. Të gjithë këta bëjnë sikur janë aq të fuqishëm sa të imponojnë zgjidhje të drejtë në luftën që zhvillohet në Ukrainë midis një agresori revanshist dhe viktimës së këtij agresori, ukrainasve, duket se gjithçka ishte dhe mbetet blof, për të mbuluar marrëdhënien e veçantë me Rusinë. Si nga ana e Orban edhe nga ana e Vuçiq dhe Daciq. Serbia tashmë është bërë delja e zezë e Europës. Ajo ka sfiduar Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke mbështetur agresionin e Rusisë kundër Ukrainës. Asnjë aleat i Rusisë, përveç Bjellorusisë, nuk është gjendur kaq afër me presidentin Putin, këtë Hitler të shekullit të XXI si dhe sa Serbia. Megjithatë ajo nuk po dënohet nga ana e Brukselit dhe e Uashingtonit. Ende po përkëdhelet për këtë qëndrim anti-perëndimor”, thotë profesori.

Sinjal pozitiv në zhvillimet e ardhshme

Tutje profesori deklaron, se kundërshtimi i vendeve për një takim me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, është sinjal pozitiv në zhvillimet e ardhshme.

“Nëse Serbia vazhdon kështu do me thënë në përkrahje të Rusisë, Bytyçi potencon që, Kosova duhet t’i bëjë presion BE-së, Bashkimit Europian, ndërmjetësve në negociata, si dhe shteteve të rajonit, para së gjithash qeverisë shqiptare, që ta bojkotojnë Serbinë, ta izolojnë atë. Por ajo që ka ndodhur me vendet e Vishegradit, (Hungaria, Çekia, Polonia e Sllovakia), të cilat kanë anuluar një takim me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, është sinjal pozitiv në zhvillimet e ardhshme. Është paralajmërim për ata që bëhen palë me Rusinë në konfliktin e Ukrainës. Po me Serbinë pse nuk po ndodhë ende kjo? Pse nuk po i vendosen asaj kufijtë e sjelljes së saj në raport me Moskën, megjithëse Beogradi është shumë më afër Rusisë sesa Hungaria, e cila së paku nuk ka bllokuar me veto vendosjen e sanksioneve europiane kundër Kremlinit?!”

Kosova duhet të presë edhe pak ditë, dhe të veprojë pastaj, duke ushtruar nxitje diplomatike që Shqipëria dhe vendet tjera ta bllokojnë Serbinë.

“Mesa duket po pritet që të kalojë data 3 prill, kur do të bëhen zgjedhjet parlamentare dhe të presidentit të Serbisë. Unë besoj se pas kësaj date do të ndryshojë pozicioni euro-amerikan ndaj Serbisë. Dhe nëse konflikti do të vazhdojë me muaj të tjerë, atëherë Serbia do të detyrohet që të vendosë sanksione kundër Rusisë, ose ndryshe do të izolohet njësoj si vetë Rusia e Bjellorusia. Në këto kushte do të duhet që për pak ditë të presë edhe Kosova. Në varësi me qëndrimin serb të pas 3 prillit do të duhet të hidhen hapat e tjerë në marrëdhëniet e saj me Serbinë. Madje nëse Serbia do ta vazhdojë kursin pro-rus, atëherë Kosova do të duhet t’i bëjë presion Bashkimit Europian, ndërmjetësve në negociata, si dhe shteteve të rajonit, para së gjithash qeverisë shqiptare, që ta bojkotojnë Serbinë, ta izolojnë atë. Në këtë mënyrë liderët politikë të Beogradit do të detyrohen që ta braktisin së paku për momentin aleatin e tyre historik e aktual, Federatën e Rusisë së Vladimir Putinit”, deklaron ai.

Sa i përket ndërprerjes së dialogut, ai thotë që do të jetë shumë i vështirë, por që bojkoti i këtyre bisedimeve nuk duhet të vijë nga institucionet e Kosovës.

“Natyrisht se në kushtet e vazhdimit të lidhjeve serbo-ruse diskutimet dhe dialogu midis Kosovës e Serbisë do të jetë jo vetëm i vështirë, por edhe i pakuptimtë. Megjithatë mendoj se bojkoti i këtyre bisedimeve nuk duhet të vijë nga institucionet e Kosovës. Është Bashkimi Europian autoriteti kryesor i ngarkuar me rezolutë të Këshillit të Sigurimit dhe OKB-së përgjegjës për ndërmjetësimin e këtyre bisedimeve. Prandaj, dhe do të duhet që vendimi për vazhdimin ose jo të këtyre bisedimeve të merret në Bruksel, ose në OKB. Nuk është në tagrin e Kosovës ta bëjë këtë. Natyrisht që Kosova do të duhet të bëjë presion në institucionet e Bashkimit Europian. Nëse bisedimet vazhdojnë, delegacioni i Kosovës ka të drejtën e zotit që qëndrimin serb ta përdorë në favor të së drejtës së saj në raportet me Serbinë”, shpjegon Bytyçi.

Në fund, ai shton se në këtë proces Kosova mund të kërkojë pjesëmarrjen e një përfaqësuesi amerikan, britanik e gjerman në procesin e dialogut, sepse pjesëmarrja e tyre do të lehtësonte një marrëveshje të drejtë dhe të favorshme për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.

“Ndërkohë Qeveria e Kosovës mund të përdorë si kërkesë të saj pjesëmarrjen e një përfaqësuesi amerikan, britanik e gjerman në procesin e dialogut. Këta përfaqësues ekzistojnë tashmë. Pjesëmarrja e këtyre autoriteteve nga Uashingtoni, Londra e Berlini do të bëjë që të lehtësohet një marrëveshje e drejtë dhe e favorshme për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e rajonit. Sepse këta përfaqësues do të duhet ta kenë më shumë sens që ta ballafaqojnë situatën në Ukrainë me atë të Kosovës dhe të identifikojnë fajtorët, përkatësisht Serbinë për masakrat në Kosovë dhe Rusinë për sulmet ushtarake kundër Ukrainës e vrasjet e njerëzve të pafajshëm në këtë vend”, nënvizon profesori Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Burjani: Kosova nuk ka asnjë rrugë tjetër përveç dialogut dhe zgjidhjes

Image
Juristi Blerim Burjani

Juristi Blerim Burjani thotë se kjo nuk varet nga Kosova, dhe një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë, sepse vetëm me dialog mund të zgjidhet diçka.

Ai këtë ‘tollovi’ botërore e sheh si mundësi për arritjen e një marrëveshje me Serbinë.

“Nuk varet shumë nga Kosova që këto bisedime t’i shpallë të mbyllura, pasi që bisedimet janë më të mira se lufta, pra nuk është mirë të stopohen bisedimet, ato duhet të vazhdojnë.

Ky është momenti i rëndësishëm që në këtë hallakam të madhe konfuziteti të arrihet një marrëveshje përfundimtare, rendi i cenuar botëror është një faktor rëndësishëm për t’i dhënë mundësi dialogut dhe arritjes së marrëveshjes. Kosova nuk ka asnjë rrugë tjetër përveç dialogut dhe zgjidhjes. Pra, nuk ka kohë me prit e as me akuzu Serbinë”, thotë ai.

Sipas tij, pa arritur marrëveshje me Serbinë, nuk mund të futemi në BE dhe as nuk do të kemi liberalizim të vizave.

“Në BE s’mund të hyhet pa arrit marrëveshje me Serbinë, as liberalizim s’do të ketë, pra jemi në një pozicion katastrofë të keq, qytetarët po ikin, ekspertët po ikin, kush ku po mundet të gjejë shpëtim për ikje në ndonjë shtet të BE-së, edhe pse destinacion mbetet Gjermania, pra nuk ka komoditet dhe ëndrra me sy hapur se do të ndodhë diçka për shpejt”, përfundon Blerim Burjani për “Bota sot”.

Shqiptarët në fakt u kanë bërë koncesione dhe marrëveshje serbëve dhe Serbisë, si askush tjetër në botë. Serbia në vazhdimësi e ka rritur prezencën e saj në Kosovë nga pika zero, thuaja e pas luftës, dhe sot kontrollon tregun nëpërmjet bizneseve shqiptare kryesisht, politikën e kontrollonte nëpërmjet shumë politikanëve dhe propagandën me ndihmën edhe të Rusisë, viteve të fundit!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat