Mendësia e kërcënimeve të Ramushit dhe “të fortëve” ka përfunduar

Politika

Mendësia e kërcënimeve të Ramushit dhe “të fortëve” ka përfunduar

Valdrin Nuredini Nga Valdrin Nuredini Më 1 prill 2022 Në ora: 19:31
Albin Kurti, Ramush Haradinaj

Çështja e veteranëve është rikthyer përsëri në vëmendje të politikës dhe mediave në Kosovë. Për më tepër tema e rihapur nga kryeministri Albin Kurti, ka ngjallur reagime të shumta në mesin e politikanëve që ishin pjesë e fronteve të luftës.

Në një paraqitje televizive të datës 24 mars, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte deklaruar se numri prej 60 mijë veteranëve po e deformon historinë e shtetit tonë. Sipas tij vendi s’mund të ketë më shumë se 20 mijë veteranë.

Për më tepër, Kurti është shprehur se kjo çështje kërkon hetim dhe se mënyra më e mirë është krijimi i një komisioni shtetëror që do të merret me pastrimin e listave të 60 mijë veteranëve që janë shkruar se kanë qenë pjesëmarrës në luftë.

Tendenca e Ramushit për primat tek veteranët

Këtyre deklaratave i ka reaguar ashpër, ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Në një paraqitje televizive ai është shprehur se kjo temë i takon të kaluarës dhe kërkoi nga Kurti forcërisht që të mos tallet me veteranët sepse ‘durimit të tyre i ka ardhur fundi’, sipas tij.

Kur pritej në atë intervistë që Haradinaj të ndërronte temë dhe të fokusohej në çështjet e tjera, për një moment e ndërroi diskursin e tij, duke e ashpërsuar edhe më shumë fjalorin ndaj kryeministrit Kurti.

“Po ky është një kërcënimi i hapur, e them publikisht që le të merret si kërcënim ndaj Kurtit dhe se nëse vazhdon kështu do të dalim në rrugë të gjithë dhe nuk do ta lejojmë të futet në zyrën e tij të punës”, u shpreh Ramush Haradinaj.

Me largimin e Thaçit nga skena politike, veprimet e fundit të Haradinajt mund të shihen edhe si tendenca për ta marrur primatin e përfaqësimin të veteranëve, dhe në emër të mbrojtjes së tyre i kërcënon edhe institucionet e Kosovës për të mos lejuar kryerjen e detyrave zyrtare.

Gjuha e Haradinajt, anipse jo diçka e padëgjuar më herët, paraqet një diskurs të vrazhdë publik, i cili ka mundësi që t’i kontribuojë edhe më shumë polarizimit të skenës politike në Kosovë.

Lidhur me kërcënimet e Haradinajt dhe temën e veteranëve kanë reaguar zyrtarë nga Vetëvendosje. Deputeti Alban Bajrami, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, është shprehur se Haradinajt nuk është se i intereson shumë për jetën e veteranëve, por shumëçka e lidhë me interesat e tija personale.

Image
Alban Bajrami

“Haradinaj edhe njëherë sikurse edhe në të kaluarën po e trajton listën e veteranëve si trup votues e po e merrë përsipër që të fitojë zemrat e veteranëve që i ka braktisur pasluftës duke i lënë në varfëri veteranët e vërtetë, e vet duke jetuar në pallate të shtrenjta. Haradinaj ka kërcënuar dhe në të kaluarën, kryesisht kur prekeshin interesat e tija personale, sikurse në rastin e 200 hektarëve tokë të blerë në vlerën e një shisheje me vaj për ari në kohën e tanishme”, tha Bajrami.

“Përpjekje për dalje nga zgafellja”

Nga ajo se si i sheh Vetëvendosje veteranët, Bajrami shprehet se këta janë për një trajtim të dinjitetshëm të secilit veteran që ka qenë në të vërtetë pjesë e UÇK-së.

“Ne jemi për trajtim të dinjitetshëm të veteranëve të vërtetë ama trajtimi i veteranit të vërtetë është vetëm atëherë kur titullin veteran e posedon ai i cili vërtetë ka marrë pjese në historinë e lavdishme të UÇK-së, e jo ai i cili nëpërmjet pagesës apo përkatësisë partiake ka shkruar historinë post festum. Veteranët e vërtetë janë me Kosovën pa korrupsion dhe me Kosovën që ecën para e jo me kërcënime ndaj shtetit që në vazhdimësi po bën përpjekje për dalje nga zgafellja në të cilën e kanë futur vendin pikërisht tipa sikurse Haradinaj”, shprehet deputeti Alban Bajrami.

Ndërsa, për analistin Gazmir Raci, Kosova është shembull i demokracisë dhe se koha e të fortëve ka kaluar në Kosovë.

“Besojë që ka kaluar koha e kërcënimeve të tilla. Po flasim për shtet ligjor dhe sundim të ligjit. Mendësia e kaluar e kërcënimeve dhe të fortëve ka përfunduar. Pushteti në vendet demokratike merret vetëm me votë. Kosova është shembull rajonal i demokracisë, prandaj këtë duhet ruajtur dhe mbrojtur me çdo çmim”, tha Raci për gazetën “Bota sot”.

Image
Gazmir Raci

Raportet e Haradinajt me Kurtin, jo çdo herë kanë qenë të polarizuara – kujtojmë kohën kur këta të fundit ishin bërë bashkë në opozitë dhe kundërshtonin marrëveshjet e demarkacionit dhe të asociacionit.

Të gjithëve sigurisht se edhe i kujtohet momenti kur Haradinaj e përdorë forcën dhe autoritetin e tij para Policisë së Kosovës, për të mos lejuar arrestimin e Kurtit, në afërsi të ndërtesës së Kuvendit.

Por, gjithçka ndryshoi kur Haradinaj u bë pjesë e PAN-it, koalicionit me PDK-në dhe Nismën, e që Haradinajt ia plotësuan edhe ëndrrën e madhe për t’u bërë kryeministër. Aty filloi ndarja, për të vazhduar me përplasje edhe në kohën sa Haradinaj ishte kryeministër.

Abuzimi me veteranët

Për dallim nga sa ishte kryeministër, Haradinaj tash po shihet si më euforik dhe aktiv në kundërshtime, e që këto pasuan edhe me kërcënime. Por, a është e vërtetë kauza e Haradinajt, do të dëshmohet me kalimin e kohës.

Ajo që dihet deri tash është se edhe veteranët janë përdorur shpeshherë nga qeveritë dhe partitë politike, e që është një ndër gabimet e pafalshme që kanë ndodhur në Kosovën e pasluftës.

Tema e luftës në Kosovë për shumë vite ka qenë tabu, shumë pak është folur rreth asaj çështje sepse konsiderohet si e shenjtë. Logjika e njëjtë është përdorur edhe kur është bërë regjistrimi dhe verifikimi i veteranëve, për shkak të ndjeshmërisë së rastit.
Skena politike që nga paslufta e deri pak para 2 viteve ka qenë e mbushur me figura që kanë ardhur nga frontet e luftës. Kjo për faktin se këtë vend e kanë qeverisur më gjatë partitë që janë formuar menjëherë pas përfundimit të luftës.

Luftëtarët e lirisë, ata që kanë qenë në vijat e para të frontit – nuk shfaqen shumë në ekranet televizive. Ekspozimi është një nga tiparet që nuk i ka veçuar asnjëherë ushtarët e vërtetë të lirisë. Ata që kanë luftuar vërtetë, nuk janë pjesë e partive politike, e as nuk bëhen pjesë e agjendave që partitë i ndryshojnë sipas kalkulimeve të tyre.

Të jetuarit i pasur, në një lagje milionëshe, duke gëzuar privilegjet që tjerët t’i mundësojnë si komandant i luftës, vështirë se ndonjëherë të bën ta kuptosh vërtetë jetën e përditshme të veteranit të UÇK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat