“Miqtë më të mëdhenj të Aleksandër Vuçiqit janë dy liderët autokratë, Viktor Orban dhe Edi Rama”!

Politika

“Miqtë më të mëdhenj të Aleksandër Vuçiqit janë dy liderët autokratë, Viktor Orban dhe Edi Rama”!

Nga: N. Sh. Më: 11 prill 2022 Në ora: 16:18
Aleksander Vuçiq

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, shteti rus po ballafaqohet me sanksione të mëdha nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja.

Mirëpo, Serbia është i vetmi vend europian që nuk ka pranuar të vendosë sanksione ekonomike e financiare kundër Rusisë.

Serbia ka mbyllur disa kapituj në bisedimet e pranimit në BE.

Kështu thotë prof. dr. Enver Bytyçi i cili shton se, megjithatë nuk i është bindur asnjëherë që të solidarizohet me BE-në në masat që Brukseli ka marrë kundër Moskës.

“Është edhe Bjellorusia ajo që nuk vendosë sanksione kundër Rusisë. Por, Bjellorusia është e shpallur si aleate vetëm e Kremlinit dhe nuk ka asnjë prirje për t’u integruar në Bashkimin Europian. Serbia dhe rasti i saj është rast unik”, thotë Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Por pse ndodh kjo?

“Sepse Beogradi dhe lidershipi serb ia kanë dalë që përmes presioneve, mospajtimeve dhe kërcënimit të orientimit drejt Rusisë të marrin atë që kanë dashur nga Europa Perëndimore! Mesazhi i vazhdueshëm i Serbisë ka qenë gjithnjë “Na pranoni kështu si jemi, ose ndryshe ne shkojmë me Rusinë“! Në Europë, saktësisht në Bruksel, ka me shumicë politikanë që besojnë se Serbisë i duhet ofruar vetëm karrota, me qëllim që ajo të atashohet me Perëndimin dhe të mos shkojë me Rusinë dhe Lindjen”, shton ai.

Madje ai pohon se, edhe në SHBA vitet e fundit është përhapur kjo thagmë.

Image
Prof. dr. Enver Bytyçi

“Sipas së cilës “Serbisë i duhen bërë lëshime, me qëllim që ajo të mbajë kursin perëndimor euro-atlantik”! Beogradi dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq kanë arritur që t’i gënjejnë politikanët e Brukselit dhe disa në Uashington me premtimin se Serbia do të jetë aleat i tyre. Por “na duhet kohë”, thotë Vuçiq. “Serbët nuk kuptojnë, duhet t’i bindim që të anojnë nga perëndimi e jo nga Rusia”! Këto servirje hipokrite i besojnë në kryeqytetet europiane. Disave u pëlqen kjo lojë, sepse duan që të fitojnë kohë për të penetruar vetë në Ballkan. Në këta disa, futet Franca”, thotë ai.

Sipas tij, tani europianët hapin sytë dhe thonë “Si guxuan politikanët e Beogradit të mos solidarizohen me sanksionet kundër Rusisë”?! “Si është e mundur që Beogradi të mos e dënojë agresionin rus kundër Ukrainës“?!

“Po ja që vjen një moment dhe Serbisë i duhej ta tregonte fytyrën e saj të vërtetë. Megjithatë edhe në këtë rast Vuçiqi e ka gjetur rrenën e radhës: “Dëgjoni, ne nuk mund të dënojmë Rusinë dhe t’i vendosim asaj sanksione, sepse jemi në fushatë zgjedhore dhe elektorati do të votonte forcat ekstreme nacionaliste“?! Një lojë intriguese për naivët europianë. Besojnë se presidenti i Serbisë mbas zgjedhjeve do ta ndryshojë kursin anti-rus të Serbisë!!! Prandaj dhe nuk pres që Bashkimi Europian dhe SHBA-të të vendosin sanksione kundër Serbisë deri nga mesi ose fundi i prillit, edhe pse dikush e kërkon këtë kasë ndaj saj. Por deri në fund të prillit unë besoj se kriza në Ukrainë do të ketë filluar të zgjidhet. Ndoshta deri atëherë do të ketë një marrëveshje parimore midis Putinit dhe Zelenskit. Në atë moment askush nuk do ta ketë mendjen te Serbia dhe refuzimi që ajo i ka bërë sanksioneve europiane e amerikane kundër Moskës. Kësisoj unë nuk besoj në ndonjë mrekulli, nga e cila Serbia do të dalë e ndëshkuar”, shton ai.

Bytyçi pohon se, presidenti i Serbisë ka miq në Europë.

“Miqtë më të mëdhenj të tij janë dy liderët autokratë, Viktor Orban dhe Edi Rama. Të dy këta e mbrojtën pozicionin serb në konfliktin midis Rusisë dhe Ukrainës. Por miq të Beogradit ka kudo në Europë. Para së gjithash në Paris, por edhe në Romë dhe në Vjenë. Tolerimet ndaj politikave anti euro-atlantike të Serbisë diktohen nga qëndrimet e ndryshme të shteteve dhe fraksioneve të ndryshme europiane. Prej dy dekadash Serbia armatoset nga Rusia, Kina dhe vende të tjera jashtë hapësirës euro-atlantike. Ndërkaq edhe kjo tolerohet nga strukturat europiane dhe të NATO-s. Ndonëse NATO e bombardoi Serbinë për ta dëmtuar në forcën e saj ushtarake, me qëllim që të mos bëhej më rrezik për vendet fqinje të saj, tani duket se janë pajtuar me garën e armatimit të Beogradit. Serbia harxhon një buxhet ushtarak më të madh se pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor”, thotë ai.

Ai shprehet se Evropa dhe Perëndimi nuk reagojnë as nga vendosja e trupave ushtarake ruse në territorin serb e të Republikës Srpska.

“Nuk reagojnë se në Nish funksionon një repart ushtarak spiunazhi rus kundër BE-së dhe NATO-s dhe kundër paqes e stabilitetit në rajon. Nuk protestojnë dhe nuk e sanksionojnë Serbinë, pse ajo po mbështetet vazhdimisht në strategjinë ushtarake e gjeopolitike të Rusisë. Dhe e gjitha kjo ndodh, sepse kanë frikë nga Serbia. Se mos ajo nuk pranon të integrohet në Bashkimin Europian. Vërtet nuk është mirë që një enklavë euro-aziatike të krijohet në qendër të Ballkanit, në Serbi. Por besoj se përkëdhelja që i bëhet Serbisë e nxit atë të bëjë edhe më tej të llastuarin. Nuk e di se si nuk kuptojnë që Beogradi e ka të pamundur të jetë enklavë euro-aziatike në zëmër të Europës. Serbia është e rrethuar nga vendet anëtare të BE-së dhe NATO-s. Ajo mund të qëndrojë jashtë NATO-s, por e lidhur në një partneritet për paqe. Por, nuk mund të qëndrojë e izoluar si enklavë. Kjo është e pamundur. Pikërisht këtë nuk e besojnë në Bruksel”, përfundon Bytyçi.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat