21 vjet nga vrasja e Ismet Rracit/ Drejtësia e shantazhuar nga vrasësit, heshtë!

Politika

21 vjet nga vrasja e Ismet Rracit/ Drejtësia e shantazhuar nga vrasësit, heshtë!

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 24 prill 2022 Në ora: 21:24
Ismet Rraci

Sot (e diel 24 prill) u bënë 21 vjet nga vrasja e IsmetRracit, ish kryetar i Komunës së Klinë, themelues LDK-së si dhe kryetar i degës së LDK-së në këtë komunë.

IsmetRraci u vra më 24 prill të vitit 2001 pranë banesës së tij nga persona që akoma mbesin të panjohur.

Mënyra e vrasjes së Ismet Rracit ishte e njëjtë me atë të vrasjeve të veprimtarëve të tjerë të LDK-së, si Xhemail Mustafa, Enver Maloku, Smail Hajdaraj etj.

Të gjithë këta u vranë me armë zjarri pranë banesave të tyre dhe kjo natyrisht se lë hapësirë të madhe për dyshime se të gjithë këta dhe të tjerët janë vrarë nga një dorë e njëjtë, një grup i koordinuar.

Drejtësia në Kosovë nuk e ka zgjidhur vrasjen e veprimtarit Ismet Rraci, sikurse që nuk është zbardhur as edhe një vrasje tjetër e kryer për motive politike para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Sot, Lidhja Demokratike e Kosovës ka përkujtuar veprimtarin Ismet Rraci në 21 vjetorin e vrasjes. Zyrtarë të kësaj partie kanë kërkuar zbardhjen e rastit dhe vendosjen e autorëve para drejtësisë.

Homazhet e LDK-së

Image
Kryetari i LDK-së duke bërë homazhe tek varri i veprimtarit Ismet Rraci

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku së bashku me bashkëpunëtorë kanë qëndruar në Klinë, në nderim të jetës dhe veprës së Ismet Rracit.

Abdixhiku ka rikujtuar se vrasja e Ismet Rracit bënë pjesë në krimet e pazbardhura të pasluftës.

“Sot, në 21 vjetorin e vrasjes së intelektualit e veprimtarit të madh Ismet Rracit, qëndruam me bashkëpunëtorë në Klinë; në nderim të jetës, veprës dhe kontributit të kryetarit të vrarë të Komunës së Klinës.

Familja Rraci, 21 vite më parë e humbi një anëtar familje; LDK një veprimtar të kohëve më të vështira; qytetarët e Klinës një kryetar të zgjedhur me votë demokratike; ndërsa Kosova humbi një atdhetar të shquar që i dha vendit gjithçka.

Ismet Rraci u vra para banesës së tij. Ky krim, i Kosovës së pasluftës, ende nuk ka gjetur dritë”, ka shkruar kreu i LDK-së.

Zogaj: Ismet Rraci u godit nga plumbat e dorës së zezë antikombëtare

Image
Skender Zogaj

Deklarata të tilla si të Abdixhikut kanë dhënë edhe zyrtarë të tjerë të LDK-së. Por, përveç deklaratave të tilla, nuk është bërë asgjë konkrete në drejtim të zbardhjes së vrasjeve politike.

Publicisti Skender Zogaj thotë për gazetën “Bota sot” se nuk ka asnjë dyshim që Ismet Rraci u godit nga plumbat e dorës së zezë të çakejve antikombëtar. Ai habitet me mosveprimin e drejtësisë lidhur me këtë vrasje.

“Padyshim që 24 prilli është një datë që prek ndjenjat e të gjithë atyre që e kanë njohur Ismat Racin, dhe që ia duan të mirën tokës dhe qiellit të Kosovës, sepse, liria që e gëzojmë sot, e ka përbrenda akullin e zi të dhembjes, për mungesën e Ismet Racit, i tribunit atdhetar që dha gjithçka nga vetvetja për çlirimin dhe lirinë e popullit të vet, dhe kur liria erdhi, në vend të medaljonit të mirënjohjes, mori plumbat e vdekjes! Nuk ka dyshim se u godit nga plumbat e dorës së zezë të çakejve antikombëtar, mirëpo, është për t'u habitur, si të shpjegohet heshtja e drejtësisë, e cila qe 21 vjet qëndron si struci me kokën nën zall dhe i lë vrasësit të enden midis nesh?!?”, thotë ai.

Drejtësia duhet të veprojë!

Ai ka shtuar se heshtja e drejtësisë është dëshmi se ajo është e shantazhuar nga kriminelët.

“Kjo është e pafalshme dhe, me keqardhje e them, heshtja e drejtësisë së Kosovës është dëshmi se ajo është e shantazhuar nga kriminelët, prandaj vrasjet politike edhe pas dy dekadave mbeten të pazbardhura,

Kjo gjendje është mjeruese dhe, kjo ka bërë që Kosova po vendnumëron, gjysmë shtet, as mish as peshk, dhe kështu do të mbetet derisa institucionet e Kosovës të mos mund të tregojnë se kush janë vrasësit e Ismetit dhe dhjetëra shokëve të tij, bijtë dhe bijat më të mira të popullit. Drejtësia duhet të veprojë dhe të tregojë vrasësit gjakatarë, sepse, derisa të mos eliminohet fara e keqe, nuk ka ecje përpara, nuk ka ardhmëri”, përfundoi Zogaj.

Haziri: Drejtësia në Kosovë u kap nga forcat politike të cilat lidhen drejtpërsëdrejti me krimin e organizuar

Image
Nexhat Haziri

Edhe analisti Nexhat Haziri vlerëson se mos zbardhja e vrasjes së Ismet Rracit tregon dështimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë që nga UNMIK-u e këndej.

“21 vite nga vrasja e ish-kryetarit të Klinës, bashkëpunëtorit të Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, intelektualit dhe patriotit, IsmetRraci. Kjo vrasje vazhdon të jetë e pazbardhur, sikurse edhe shumë vrasje të tjera me motive politike që kanë ndodhur ndaj anëtarëve të LDK-së. Mos zbardhja e këtyre vrasjeve, pra edhe të vrasjes së Ismet Rracajt, tregon dështimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë, që në kohën e UNMIK-ut, ku për këtë administratë më me rëndësi ishte një stabilitet politik sa do i brishtë se sa zbardhja e vrasjeve me motive politike që po ndodhnin gjatë administrimit të saj, por edhe pas Pavarësisë së Kosovës ku sistemi i drejtësisë u kap nga ato forca politike, të cilat lidhen drejtpërsëdrejti me krimin e organizuar që vinin nga i ashtuquajturi “krahu i luftës”, e që pjesë e skenarit të tyre për kapjen e pushtetit ishin edhe eliminimi i kundërshtarëve politik”, thekson Haziri.

Më tej ai hedh kritika ndaj LDK-së, e cila ndonëse ishte goditur nga vrasjet e aktivistëve të saj, nuk bëri asgjë në zbardhjen e tyre.

“Por, duhet ta cekim se për gjithë këto vite, të dështimit të drejtësisë për zbardhjen e vrasjeve politike, LDK-ja si parti e cila u goditë nga këto vrasje të aktivistëve dhe zyrtarëve të saj, nuk bëri diçka serioze, për të mos thënë fare, në drejtim të zbardhjes së vrasjeve politike, pa çka që partitë politike nuk mund të shndërrohen në prokurori dhe gjykata, por të qenurit e saj disa herë në pushtet, do të mund të krijonte kushte për pavarësim të gjykatave dhe krijimin e kushteve për hetim profesional e të paanshëm të vrasjeve politike, dhe në të shumtën e rasteve i përdori vetëm për fushata zgjedhjesh për përfitime votash”, shton ai.

Mosveprimi i LDK-së

Madje, ai përmend edhe mbrojtjen që po u bëhet të akuzuarve të Hagës për vrasjet politike nga zyrtarë e anëtarë të caktuar të LDK-së.

“Dhe këtë përshtypje e forcojnë edhe deklarimet e ndryshme të zyrtarëve të saj, qofshin si dëshmitar të mbrojtjes të të akuzuarve në Hagë, ku marrin anë në mbrojtje të akuzuarit, tëcilën nga prokuroria e gjykatës speciale akuzohen për veprimtari kriminale ndaj aktivistëve të LDK-së, siç ishte rasti me dëshmitë e tyre të Hazir Borovcit dhe Nuredin Ibishit, apo edhe deklaratën e fundit të ish-ministrit të Jashtëm të Kosovës, zyrtarit të LDK-së për shumë kohë Skender Hysenit, i cili është penduar për votimin (e ligjit për formimin) e gjykatës speciale”, thekson Haziri.

Sipas Hazirit, në përgjithësi për zbardhjen e vrasjeve politike ka munguar vullneti politik dhe e vetmja shpresë që këto krime të zbardhen, pra edhe vrasja e ish-kryetarit të Klinës, Ismet Rracaj është gjykata speciale.

“Dhe kushdo që është kundër kësaj gjykate, e cila është formuar si rezultat i mungesës së vullnetit politik për të bërë drejtësi të pavarur dhe profesionale në Kosovë, rehabiliton vrasësit e Ismet Rracit dhe është kundër sundimit të rendit dhe ligjit në Kosovë”, përfundon Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat