Drejtësia e shantazhuar nga ‘peshqit’ e mëdhenj heshti për vrasjen e Bardhyl Ajetit!

Politika

Drejtësia e shantazhuar nga ‘peshqit’ e mëdhenj heshti për vrasjen e Bardhyl Ajetit!

Mimoza Lakna Nga Mimoza Lakna Më 3 qershor 2022 Në ora: 18:31
Bardhyl Ajeti

Sot janë mbushur 17 vite nga atentati ndaj gazetarit të shquar të gazetës “Bota sot” Bardhyl Ajeti. 

Më datën 3 qershor të vitit 2005, teksa po kthehej nga Prishtina për në vendlindjen e tij në Gjilan, Bardhyli u plagos për vdekje nga persona të cilët sot e asaj dite nuk dihet se kush ishin. 

25 qershori i vitit shënon ditën kur Bardhyli ndërroi jetë, ndërsa po trajtohej në një spital në Milano, për shkak të plagëve të rënda që mori në atentat.

Bardhyli nuk mundi ta përballonte breshërinë e plumbave, që ranë mbi trupin e tij.

Njëri plumb e kishte goditur në kokë, i dyti në shpatull të krahut dhe të tjerët mbi veturë. Pas kontrollit në Spitalin e Gjilanit, një javë u trajtua në QKUK në Prishtinë, Bardhyli  më pas u dërgua në Milano të Italisë, ku edhe ndërroi jetë.

Heshtja e drejtësisë

Ndonëse kanë kaluar 17 vjet drejtësia ende nuk e ka thënë fjalën e saj për rastin në fjalë. Prokuroria Speciale e Kosovës nuk është përgjigjur në pyetjen e gazetës “Bota sot” lidhur me ecurinë e hetimeve për këtë rast. 

Përgjigja e fundit për rastin e Bardhylit nga institucionet e drejtësisë u dha në vitin 2018 ku thuhej se rasti i vrasjes së Bardhyl Ajetit është mbyllur nga UNMIK-u më 11 dhjetor të vitit 2006.

Image
Skender Zogaj

Publicisti dhe bashkëpunëtori i gazetës “Bota sot” Skender Zogaj, ka deklaruar se misioni informativ i Bardhylit kishte rëndësi jetike në vitet e para të pasluftës pasi vendi përballej me probleme të rënda që cenonin lirinë. 

“Vazhdon të jetë e madhe dhembja për Bardhyl Ajetin nga të gjithë ata që e kanë njohur nga afër, e sidomos nga kolegët gazetarë që, nuk mund ta harrojnë kurrë entuziazmin dhe përkushtimin e Bardhylit ndaj misionit informativ, që në vitet e para të pasluftës, kishte rëndësi jetike për fatin e shqiptarëve të Kosovës, sepse vendi po ballafaqohej me probleme tepër të rënda që cenonin lirinë, pavarësinë dhe prosperitetin e vendit. Segmente të caktuara grupesh përfituese, menjëherë pas luftës zgjasin putrat për rrëmbimin e pushtetit, që zë fillin me Qeverinë e Përkohshme, e cila në institucione fut llumin e injorancës dhe dhunën e pat instrument qeverisës”, thekson Zogaj.

Ai potencon se paslufta vazhdoi me gjakderdhje e vrasje të shumta kundër njerëzve të guximshëm si Bardhyl Ajeti. 

“Gjendja e kaosit zgjerohet dhe, paslufta vazhdon me gjakderdhje vrasjesh të shumta kundër atyre që guxojnë të mos pajtohen me kastën e rrëmbyesve të pushtetit! Kundërshtues i pakompromis ishte Bardhyl Ajeti, prandaj u vra dhe, qe 17 vjet vrasja e tij mbetet e pazbardhur nga organet e drejtësisë! Kjo dhe mos zbardhja e qindra vrasjeve të tjera politike të pasluftës, janë dëshmia më e mirë e faktit se, institucionet e drejtësisë kosovare janë të kapura nga njerëzit e nëntokës së krimit, që aty kanë hy me detyrën e pengimit të funksionimit të drejtësisë!”, shprehet Zogaj.

“Kriminelët janë të mbrojtur nga institucionet e drejtësisë”

Kështu, sipas tij nuk ka asnjë variant tjetër shpjegimi, sepse me dy hetues të mirë policorë dhe me dy ekspertë të mirëfilltë antikrim, brenda një viti do të ishin zbardhur të gjitha vrasjet dhe vrasësit do të kishin marrë dënimet e merituara! 

“Por, kjo nuk ka ndodhur dhe nuk po ndodh ende, sepse, kriminelët janë të mbrojtur nga institucionet e drejtësisë, të cilat shantazhohen nga bosët - peshqit e mëdhenj! Derisa këta peshq të mëdhenj të mos kapen nga balenat, sardelet (drejtësia) do të vazhdojë të lëpijnë trohat e bukës që u serviren në akuarium!”, nënvizon Zogaj.

 Por, sipas tij situata mund të ndryshoj me ndryshimin e vetëdijes kolektive. 

“Por, që të ndryshojë situata duhet që të ndryshojë edhe vetëdija kolektive e shqiptarëve të Kosovës, të cilët duhet ta fusin trurin në veprim dhe të kuptojnë se kush janë kriminelët dhe, të distancohen prej tyre, e jo të vazhdojnë t'u duartrokasin, sepse, Kosova nuk duhet të mbahet peng nga patriotizmi i rrejshëm dhe kurdisjet mashtruese të propagandës që vazhdojnë ta bëjnë qarqet kriminale me paratë e plaçkitura dhe me përkrahjen e qarqeve antikosovarerretherrotull Kosovës. Zbardhja e vrasjeve politike do ta integronte Kosovën menjëherë në BE dhe do të funksiononte shteti i plotëkuptimtë!”, ka përfundua ai

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat