Analisti jep emrat: Komandantëve që u konfiskohet pasuria – Thaçi, Haradinaj, Haliti, Limaj e...

Politika

Analisti jep emrat: Komandantëve që u konfiskohet pasuria – Thaçi, Haradinaj, Haliti, Limaj e...

Nga: P. R. Më: 23 korrik 2022 Në ora: 20:29
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi

Ditë më parë, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në parim Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ani pse opozita votoi kundër dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka abstenuar sërish. Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme gjatë votimit në Kuvend i mori 58 vota për dhe tre abstenime.

“Me votimin e sotëm në lexim të parë të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ecim bashkë drejt mundësimit të konfiskimit civil (pa dënim) të pasurisë që nuk justifikohet dot. I falenderoj deputetët e Kuvendit për këtë votim me të cilin iniciuam themelimin e një mekanizmi të rëndësishëm me diskrecion për të hetuar pasurinë e të gjithë personave zyrtarë. Me rekomandimet e vlefshme të Komisionit të Venecias, ky Projektligj do të standardizohet plotësisht në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe, po ashtu, do ta rrisë efikasitetin e luftimit të korrupsionit, siç ka qenë zotimi ynë e për të cilin jemi maksimalisht të përkushtuar”, deklaroi kryeministri Albin Kurti, pas miratimit të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Por kush janë personat që duhet të frikësohen nga miratimi i këtij projektligji? Për Këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur analisti politik, Gani Qarri.

Image
Gani Qarri

Pas miratimit të ligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, të gjithë personat që kanë vjedhur e zhvatur vendin dhe kanë grumbulluar pasuri marramendëse në mënyrë të kundërligjshme duhet të frikësohen nga zbatimi i Ligjit për administrimin e pasurisë së dyshimtë e cila pritet të sekuestrohet dhe konfiskohet nga Byroja, për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme”, thotë Qarri, sipas të cilit, arsye të forta për tu frikësuar ka kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, pasuria e të cilit shpesh herë ka qenë temë diskutimi në mediat vendore dhe më gjerë.

Në parim ky problem zgjatë dhe kërkon kohë për sanim, por gëzon fakti se qëllimi kryesor i këtij projektligji, është hetimi dhe ndjekja ligjore e të gjithë atyre që kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme, ndaj arsye të forta për tu shqetësuar duhet të ketë edhe Ramush Haradinaj dhe komandantët e tjerë të cilët deri më tani qëndronin mbi ligjin dhe ishin të paprekshëm nga shteti i së drejtës. Duke pasur parasysh faktin se frika nga veprimi i ligjit është mënyra më efikase për evitimin e akteve të kundërligjshme, sidomos në shtete të brishta si Kosova, ku për më tepër se dy dekada figura të caktuara politike, kishin kapur gjithë shtetin dhe vodhën e zhvatën çdo gjë të vlershme në vend, miratimi i këtij ligji është akti më pozitiv që ka ndodhur kohët e fundit në Kosovë”, shprehet Qarri.

Byroja për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme duhet të jetë shtysë që do të ndihmojë për zbatueshmërinë e ligjit dhe adresimin e problemeve edhe kundër atyre që kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, për tu pasuruar kundërligjshëm në kurriz të popullit dhe shtetit të Kosovës. Kjo Byro, nëse vërtetë vepron sipas parimit që është miratuar, duke pasur parasysh pasuritë shumë milionëshe të atyre që veten e mbajnë për çlirimtar, duket se nuk do të lë komandant të pa koritur në Kosovë, pasurimi marramendës i të cilëve, tejkalon shumë herë përmasat e reales”, shton analisti Qarri për “Bota sot”.

Ai thotë se frika e Haradinajt nga konfiskimi i pasurisë, është një nga arsyet e sulmeve të vazhdueshme ndaj kryeministrit Kurti.

Milionat që ata për kohë kaq të shkurtër kanë grumbulluar, janë shpërputhje marramendëse me mundësit e të pasuruarit në kushte normale në një vend kaq të vogël dhe të sapo dalë nga lufta, si Kosova, ndaj frika se tanimë konfiskimi i pasurive të pajustifikueshme po afrohet dhe Byroja vetëm sa nuk u ka trokitur autorëve në derë, ka bërë që të reagojë edhe Ramush Haradinaj, si njëri nga protagonistët kryesor, i cili në pamundësi që t’i ikë përgjegjësisë para ligjit të ri, ka filluar ta sulmojë kryeministrin Kurti”, thekson Qarri.

Për fund, Qarri tregon me emra personat, që sipas tij, do të jenë nën llupen e Byrosë për konfiskimin e pasurisë.

E ky është vetëm fillimi sepse Byroja në fjalë, nuk do të ketë punë vetëm me Ramush Haradinajn, por edhe me dhjetëra komandant të tjerë, që nga Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Xhavit Haliti, Fatmir Limaj, Muharrem Mustafa, Azem Syla, Sami Lushtaku, Latif Gashi e kush e di edhe sa e sa emra të tjerë, të cilët përfliten se milionat e tyre, i kanë sistemuar dhe shpërndarë gjithandej, jo vetëm në Kosovë e qytetet më të mëdha të Shqipërisë, por deri në Panama dhe ishujt më të largët të botës, gjetjen dhe kthimin të cilëve, aty ku janë marrë, edhe vet prokuroria e shtetit do ta ketë problem, që do të zgjasë vite me radhë”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik, Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat