A po i vjen fundi ‘regjimit’ për liberalizimin e vizave?

Politika

A po i vjen fundi ‘regjimit’ për liberalizimin e vizave?

Nga: N. Sh. Më: 26 korrik 2022 Në ora: 09:06
Ilustrim

Kosova siç duket tashmë ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave!

Një ndër kushtet kryesore për liberalizimin e vizave ka qenë lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Me ardhjen e Qeverisë Kurti kjo luftë ka marrë hov të madh në ndaljen dhe luftimin e kësaj dukurie.

Për një kohë mjaft të shkurtër janë kryer dhjetëra aksione policiore dhe kemi qindra të arrestuar.

E kjo ka rritur shpresat që Kosova tashmë të ketë liberalizimi të vizave gjatë këtij viti.

Liberalizimi i vizave për Kosovën është në krye të agjendës për Çekinë, e cila do të kryesojë Këshillin e Evropës deri në fund të vitit.

Ambasadori i Çekisë në Kosovë, Pavel Bilek ka deklaruar se liberalizimi i vizave do të jetë prioritet gjatë kryesimit të Këshillit të Evropës nga Çekia.

“Presidenca çeke do të përpiqet të arrijë progres konkret me negociatat e zgjerimit të BE-së dhe të mbështesë procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Presidenca çeke do t'i kushtojë vëmendje të veçantë normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Presidenca çeke ka në krye të agjendës së saj liberalizimin e vizave për Kosovën dhe në planet tona është një debat i hershëm i vendeve anëtare të BE-së për këtë çështje të rëndësishme. Zonja dhe zotërinj, lufta brutale dhe agresioni na ka treguar gjithashtu qartë se do të duhet të gjejmë guximin për të vlerësuar shumë nga qasjet dhe premisat tona aktuale. Prandaj Evropa ka një detyrë, ka një mundësi për të reflektuar së bashku dhe për të bërë thirrje për veprim të vendosur bazuar në vlerat tona, nëse duam të përmbushim pritjet e këtij momenti historik, atëherë sfida jonë e përgjithshme është të rimendojmë dhe rindërtojmë Evropën”, ka thënë Bilek.

Kurse, presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se Kosova mbetet e palëkundur në rrugën drejt integrimit evropian.

“Vlerat e BE-së janë në strukturën e shoqërisë sonë dhe agjenda evropiane është parimi udhëheqës i veprimit dhe politikë-bërjes sonë të përditshme, dhe ka ardhur koha që ne të bëjmë një hap të madh përpara. Këtë vit Republika e Kosovës synon të aplikojë zyrtarisht për statusin kandidat për anëtarësim në BE. Ne jemi shumë krenarë që kjo do të ndodhë gjatë presidencës së Republikës Çeke. Ky padyshim do të shënojë një hap historik për vendin tonë, duke riafirmuar edhe një herë vullnetin e popullit të Kosovës për t'iu bashkuar familjes evropiane, ku realisht përkasim”, ka thënë Osmani.

Për këtë është deklaruar edhe kryeministri Albin Kurti, i cili ka pritje nga Republikën Çeke në gjashtë muajt e ardhshëm.

“Realiteti i ri pas 24 shkurtit të këtij viti është gjithashtu një mundësi e re për Bashkimin Evropian që të udhëhequr me një ndjenjë urgjence në sigurimin e paqes në Ballkanin Perëndimor duke përshpejtuar reformat dhe duke përmbushur premtimet e tij. Populli i Kosovës ka pritshmëri të mëdha nga Republika Çeke dhe lidershipi i saj për të mbyllur çështjen e kahershme të liberalizimit të vizave dhe për t'i dhënë fund izolimit të qytetarëve të Kosovës, në Evropë. Si i vetmi kandidat potencial për BE-në që nuk ka aplikuar ende për anëtarësim në BE, ne gjithashtu presim me padurim të punojmë së bashku, nga afër në gjashtë muajt e ardhshëm ndërsa përgatitim aplikimin tonë për anëtarësim në BE. Gjashtë muajt e ardhshëm janë një moment vendimtar për kontinentin tonë, vlerat tona të përbashkëta për të cilat kemi luftuar shumë për t'i arritur, liria, liritë individuale, demokracia e të drejtave të njeriut, dhe shteti i së drejtës janë të gjitha në rrezik nga agresioni rus i paprovokuar dhe i pajustifikueshëm në Ukrainë, prandaj ne jemi përgjigjur kolektivisht duke vendosur sanksione kundër Federatës Ruse dhe duke treguar solidaritet dhe mbështetje për Ukrainën dhe popullin e saj. Kosova është rreshtuar me sanksionet e BE-së dhe me politikën e BE-së kundër Federatës Ruse”, ka deklaruar ai.

Në anën tjetër raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka qenë më e drejtpërdrejtë në kritikat e saj duke bërë me gisht kah Franca dhe Holanda.

“Për fat të keq, Bashkimi Evropian ka dështuar t’i përmbushë premtimet e veta për të mundësuar lëvizjen pa viza për qytetarët e Kosovës. Unë vërtet shpresoj se ky do të jetë raporti i fundit, i cili përmend këtë dështim. Sa i përket Këshillit - dhe në këtë drejtim dua t’i drejtohem direkt Francës dhe Holandës - koha për miratimin e vendimit është tash”, ka thënë von Cramon.

Edhe ambasadori dhe diplomati italian Antonello De Riu, mbështet fuqishëm Kosovën.

Dy ditë në parë ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, ka thënë se nën presidencën çeke do të jepet hapi i parë për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Antonello De Riu, ka qëndruar gjithëmonë pozitivë për largimin e regjimit të vizave. Po ashtu edhe Italia si shtet vazhdon të mbështes fuqishëm Kosovën.

“Qëndrimi i Italisë për liberalizimin e vizave është i qartë që nga fillimi. Italia përkrahë liberalizimin e vizave edhe ngase Kosova ka mbet i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që i nënshtrohet kësaj disipline. Qytetarët kosovarë e njohin edhe natyrën e procedurave brenda BE-së, por sigurisht e dinë se Italia do të vazhdojë të mbështesë qëndrimin e Kosovës me partnerët evropian, duke u munduar që t’i bindë partnerët e fundit të cilët ende s’kanë marrë një vendim sa i përket kësaj. Shpresojmë se me presidencën çeke, do të mund të jepet një hap i parë i rëndësishëm për të nisur këtë proces, fatkeqësisht deri tash të bllokuar”, ka thënë ai.

Se Kosova ka gjasë që deri në fund të vitit t’i liberalizohen vizat po pretendon edhe ish-zëvendësministri i MPB-së, Hajrullah Tërnava.

Image
Hajrullah Tërnava

Sipas tij, pas një pritje shumë të gjatë, tani ka shpresë që mbase gjatë këtij viti, t’i vjen fundi pritjes tepër të gjatë dhe shumë zhgënjyese të qytetarëve të Kosovës për liberalizimin e vizave, duke i dhënë fund kësaj bllokade dhe njohjen e së drejtës për lëvizje të lirë edhe për Kosovarët, më së voni deri në fund të vitit.

Tërnava thekson se tashmë janë shtuar zërat pro liberalizimit dhe kritikat për zvarritjen janë duke u bërë gjithnjë e më aktive te zyrtarët e lartë te shumica e vendeve të BE-së që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Në mbështetje të qytetarëve të Kosovës për heqjen e regjimit të vizave në zonën shengen, është duke u nënshkruar edhe peticioni online, iniciativë kjo që e ka marr përsipër dhe po e qon përpara zyrtarja e BE-së me shtetësi gjermane, Kati Schneeberger, këshilltare lokale e Bashkimit Evropian. Duke kërkuar që të ndalet izolimi i Kosovës ajo ka thënë se ka ardhur koha që liberalizimi të ndodhë dhe kosovarët të ndjehen të barabartë me qytetarët evropianë. “Mos e izoloni Kosovën. Tani është koha. Të drejta të barabarta për qytetarët e Kosovës si për qytetarët e BE-së. Të drejta të barabarta për të gjithë evropianët”, ka shkruar ajo në llogarinë e saj në Tvitter, citon Tërnava.

Sipas tij, zyrtarja e BE-së ka thënë se ajo ka lindur në Gjermaninë Lindore dhe e di se si është te jetosh pa liri për të udhëtuar, prandaj më shumë se disa nga politikanët në Evropën Perëndimore, e kupton dhimbjen e popullit të Kosovës se si është të jesh i izoluar, prandaj edhe ka vendosur që të filloj këtë fushatë për liberalizimin e vizave gjatë vizitës së sajë të fundit që e kishte zhvilluar në Kosovës.

“Tani gjithsesi është ky një moment i ri të cilin duhet ta shfrytëzon edhe MPJ për një fushatë lobimi për t’i bindur edhe ato shtete që kanë hezituar deri më tani dhe e kanë kundërshtuar këtë proces, që ta kenë për bazë rekomandimin pozitiv të Komisionit Evropian, Rezolutën e miratuar pro liberalizimit të vizave, dhe kërkesat e shumta individuale të eurodeputetëve, që më në fund të miratohet propozimi dhe kosovarët të nxirren nga izolimi i pa drejtë që po e vuajnë për shkak të pa pajtueshmërisë dhe mos koordinimit brenda për brenda vendeve të BE-së”, thekson Tërnava.

Ai pohon se, me liberalizimin e vizave qytetarët tonë nuk do ta ndiejnë veten si deri më tani të izoluar.

Kjo sepse duheshin për një vizitë të të afërmit e tyre në diasporë të kërkojnë viza në ambasadat e atij shteti që donin të udhëtonin, prandaj e drejta për të udhëtuar gjithandej shteteve të Evropës, shpresat janë se do t’iu mundësohet gjithsesi në këtë vit, prandaj mbetet për tu vërtetuar në këtë vite kjo e drejtë e udhëtimeve pa viza për qytetarët e Kosovës”, thotë Hajrullah Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat