Vrasja e Ahmet Krasniqit, Ali Ukës, Ilir Konushevcit/ Ja thirrja për Albin Kurtin, akuza të rënda për Edi Ramën

Politika

Vrasja e Ahmet Krasniqit, Ali Ukës, Ilir Konushevcit/ Ja thirrja për Albin Kurtin, akuza të rënda për Edi Ramën

Nga: P.R Më: 27 korrik 2022 Në ora: 21:18
Edi Rama dhe Albin Kurti

Në ditën kur u njoftua se kryeministri i Republikës së Kosovës, bashkë me presidenten Vjosa Osmani do të priten në takim nga Sekretari i SHBA-së, Antony Blinken, disa media dhe persona të klanit Pronto, drejtuan sulme ndaj Kurtit, pasi ky i fundit ka zgjedhur të mos prononcohet lidhur me miratimin e një rezolute nga Kuvendi i Shqipërisë në mbrojtje të Hashim Thaçit, mikut të Edi Ramës, i cili ndër tjerash akuzohet edhe për vrasjen e anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe bashkëpunëtorëve të presidentit historik, Ibrahim Rugova.

Po ashtu, njerëzit e PDK-së sulmuan edhe presidenten Osmani, e cila e rikujtoi se ishte pikërisht Thaçi ai që insistonte për formimin e Speciales, duke besuar se vet nuk do të ishte cak i saj.

E sipas analistit politik, Gani Qarri, Kosova duhet urgjentisht që t’i kërkojë Shqipërisë zbardhjen e vrasjes së kuadrove të larta të Ushtrisë së Kosovës të cilat kishin ndodhur në territorin e Shqipërisë.

Image
Gani Qarri

“Në fakt shteti i Kosovës para se të heshtë duhet t’i përgjigjet urgjentisht, me një kundër rezolutë Kuvendit monist të socialistëve të Shqipërisë, që në vend të lojërave të Edi Ramës me rezoluta për raporte të skaduara të Dick Martit, të hedhura poshtë edhe nga vet Gjykata Speciale e Hagës, të kërkojë nga Edi Rama zbardhjen e vrasjes së kuadrove të larta të Ushtrisë së Kosovës, që nga vrasja e zëdhënësit të parë të UÇK-së Ali Ukës, udhëheqësit të logjistikës Ilir Konushevcit dhe ministrit të Mbrojtjes Kolonel Ahmet Krasniqit, tani kur ka kaluar gati një çerek shekulli nga vrasja e tyre dhe nga shteti shqiptar, nuk është ndërmarrë asgjë në këtë drejtim”, thotë Qarri, duke shtuar se Edi Rama, është e keqja e Shqipërisë.

“Edi Rama është e keqja më e madhe që ka mundur t’i ndodhte Shqipërisë dhe shqiptarëve, madje ai e ka futur edhe luftën e bandave anë e mbanë Shqipërisë, ndaj sot marrë parasysh numrin e popullsisë, më shumë njerëz vriten brenda një dite në Shqipëri se sa në Ukrainë, e cila është në luftë për jetë a vdekje me Rusinë. Kështu që, nëse Qeveria moniste e Shqipërisë nuk i përgjigjet pozitivisht rezolutës së Kosovës për zbardhjen e vrasjes së kuadrove të saj më të lartë ushtarak, atëherë Kosova duhet ti drejtohet BE-së, që zbardhjen e këtyre vrasjeve, ta vendos si kusht, për hapjen e kapitujve për integrim të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, shprehet analisti Gani Qarri.

Më tej, Qarri deklaron se Kuvendi i Shqipërisë në vend që të miratojë rezoluta në mbrojtje të Thaçit, do duhej t’i dënonte krimet dhe gjenocidin shtetëror të Serbisë kundër shqiptarëve.

“Kuvendi i Shqipërisë si organi më i lartë legjislativ i vendit amë, sikur të mos ishte parlament njëpartiak dhe të përbëhej nga deputet të njëmendtë e serioz, do duhej t’i dënonte krimet dhe gjenocidin shtetëror të Serbisë kundër shqiptarëve të pambrojtur në Kosovë si dhe të nxirrte një rezolutë të veçantë, me të cilën do ti bëhej thirrje për ndihmë BE-së dhe SHBA-ve, që Serbia fashiste përfundimisht ta bëjë kthimin e mbi 1643 trupave të shqiptarëve të vrarë e të kidnapuar në Kosovë dhe jo të humbiste kohë koti me aranzhimin e rezolutave farsë të Edvin Kristaq Ramës, i cili ka për qëllim talljen me hallet e Kosovës dhe mbulimin e vrasjeve të kuadrove të UÇK-së në Shqipëri edhe 23 vite pas mbarimit të luftës në Kosovë”, thekson Qarri.

“Për aq më tepër, është jo vetëm turp, por edhe krim i llojit të vet, që përderisa krimineli Vuçiq, mik për kokë i Edvin Kristaq Ramës, tash e gati një çerek shekulli i mban peng në Serbi mbi 1643 trupa të shqiptarëve, Edvin Kristaq Rama, pa fije turpi të kërkojë publikisht harrimin e tyre, sikur ata të kishin qenë vetëm një grumbull gurësh dhe në anën tjetër, i njëjti njeri të miratoj një kuazi “rezolutë”, për diçka të rënë nga fuqia dhe dalë nga përdorimi, si pretendimet e Dick Martit të cilat ka vite që i ka hedhur poshtë vet Gjykata Speciale”, shpjegon Qarri.

Analisti Gani Qarri hedh akuza në drejtim të kryeministrit Rama, për të cilin thotë se ka heshtur për zbardhjen e vrasjeve politike që kanë ndodhur në Kosovë.

“Së dyti Edi Rama do duhej të bënte thirrje edhe për zbardhjen e mbi 1600 vrasjeve të pasqaruara të shqiptarëve të Kosovës, veçanërisht për kuadrot e larta të ushtrisë së Kosovës të vrarë në Kosovë dhe Shqipëri, vrasje që tash e atëherë, mjerisht kanë mbetur të pa hetuara dhe të pazbardhura asnjëherë, e të mos flasim edhe për burgosjen dhe dënimin e dorasëve, persona që do duhej të sanksionoheshin, pikësëpari nga vet ligji dhe drejtësia inekzistente e Shqipërisë, gangster që tash e gati një çerek shekulli shëtisin të lirë dhe pa asnjë breng, të cilët ndoshta gëzojnë edhe mbrojtjen e sistemit shtetëror të Edvin Kristaq Ramës për mos ndjekje nga ligji, përkundër akteve të tyre makabre”, nënvizon Qarri.

Qarri i jep të drejtë kryeministrit Kurti për të mos u prononcuar për miratimin e rezolutës nga Kuvendi i Shqipërisë.

“Prandaj duke pasur parasysh faktin se Kosova, ka halle shumë më të mëdha se sa talljet e pa krip, të Edvin Kristaq Ramës dhe kuptuar hilet dhe jo seriozitetin e skajshëm të veprimeve fyese të tij në raport me Kosovën, Kryeministri Kurti, me plot të drejtë nuk është prononcuar fare dhe nuk e ka thënë asnjë fjalë të vetme, për të ashtuquajturën rezolutë që bëri sikur u miratua në Kuvendin e Shqipërisë kundër raportit te Dick Martit, raport që edhe Gjykata Speciale, ka disa vite që e ka hedhur poshtë, gjë që e bënë plotësisht absurd qëllimin e Edvin Kristaq Ramës dhe tërësisht të pakuptueshme domethënien e kësaj të ashtuquajture rezolutë!”.

“Madje ajo që habit edhe më tepër qytetarët e Kosovës, janë reagimet e medias së paguar nga SHIK-u dhe sulmet ndaj kryeministrit Kurti prej njerëzve të Pronto-s, bëmat e të cilëve ua kanë gërditur edhe të jetuarit në Kosovë, qytetarëve të këtij vendi, ata që pa fije turpi, për dy dekada me radhë kanë bashkëpunuar edhe me udhëheqësit e bandave kriminale në veri, ndaj futja e Milan Radoiçiqit e Zvonko Veselinoviqit në listën e zezë të SHBA-ve, pas paralajmërimit nga ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, për grupe personash të cilët janë përfolur në raporte të shërbimeve ndërkombëtare, të KFOR-it e të BND-s, duhet të jetësohet dhe autorët e vrasjeve të pasluftës e nxitësit e tyre, kriminelët, si dhe të ashtuquajturit të fortët e politikës së inkriminuar, përfundimisht, duhet të vendosen në Listën e Zezë të SHBA-ve dhe të shkojnë në burg”, shton analisti Qarri për “Bota sot”.

Për fund, Qarri deklaron se është koha e fundit, që kryeministri Kurti të kërkojë ndihmën e BE-së dhe të SHBA-ve për hetimin e vrasjeve të para dhe pasluftës të kryera në Shqipëri e Kosovë, si dhe të izolojë kryeministrit e Shqipërisë, Edi Rama.

“Një gjë duhet të jetë e qartë për të gjithë, se Kryeministri Kurti përveçse nuk guxon t’i përkrah Komandantët të cilët akuzohen për vrasjen e shqiptarëve, është koha e fundit që ai si kryeministër i vendit, ta kërkojë edhe ndihmën e BE-së dhe të SHBA-ve për hetimin e vrasjeve të para dhe pasluftës, të kryera në Shqipëri e Kosovë, si dhe të kërkojë izolimin e Edi Ramës si mbështetës i të keqes dhe inspirues i destabilizimit të Kosovës, akte prapa të cilave dyshohet se qëndron vet SHIK-u dhe shteti shqiptar, nga të cilët, për t’i mbuluar gjurmët e vrasjeve dhe tradhtive të para dhe pas luftës, të orkestruara nga SHIK-u, në Shqipëri, i behet presion sistematik kryeministrit Kurtit edhe nga eksponentët e SHIK-ut, në Kosovë, të fshehur nën petkun e OVL-së së UÇK-së dhe PDK-së, për Gjykatën Speciale, të cilën nuk e ka miratuar Kurti, por vet Thaçi & Co i përkrahur fuqishëm edhe nga Edi Rama”, përfundon për “Bota sot” analisti politik, Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat