U shfaq përkrah Vuçiqit/ Vjen ‘goditja’ për Edi Ramën: A do të pritej Albin Kurti në Beograd me...

Politika

U shfaq përkrah Vuçiqit/ Vjen ‘goditja’ për Edi Ramën: A do të pritej Albin Kurti në Beograd me...

Nga: P.R Më: 1 shtator 2022 Në ora: 20:50
Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq dhe Dritan Abazoviq

Në ditën kur në Kosovë filloi zbatimi i marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për dokumentet për hyrje/dalje pas një sërë tensionesh, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është shfaqur midis Beogradi përkrah presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Edi Rama bashkë me kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq dhe atë të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacevski kanë qëndruar në Beograd në kuadër të një samiti që po organizohet për “Open Balkan”.

E sipas Ramës, “OpenBalkanWineVision” do të zhvillohet çdo vit nga njëri kryeqytet në tjetrin, “duke u kthyer hap pas hapi në një instrument të rëndësishëm ekonomik e turistik”.

Lidhur me shfaqjen e Edi Ramës në Beograd përkrah Aleksandër Vuçqiti, për gazetën “Bota sot”, ka folur profesor, doktor, Enver Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

“Sot në Beograd u organizua panairi i verërave nga tri vendet e iniciativës së Open Balkan. Ishin të pranishëm tre liderët e tri vendeve, Serbi-Shqipëri-Maqedoni e Veriut. Nuk mungoi keci i Malit të Zi! Ishte dhe dikush nga BH. Por morën pjesë edhe ministrat e dy vendeve autokratike, Turqisë dhe Hungarisë! Çka do të thotë se iniciativa është krijesë e autokratëve të Ballkanit, sepse ndryshe do të ishin aty ministrat e Jashtëm të Bullgarisë, Rumanisë, Kroacisë e Greqisë, të katër këto vende pjesë e gadishullit ballkanik. Ndërsa Hungaria nuk bën pjesë në Ballkan dhe Turqia është pjesërisht e shtrirë në gadishullin tonë”, thotë Bytyçi.

Sipas tij, takimi i sotëm në Beograd ishte një show i radhës nga Rama dhe Vuçiq.

“Megjithatë le të shpjegojmë pak shoun e radhës në këtë panair verërash dhe që do të vazhdojë edhe nesër me fjalime dhe predikime fallco. Fjalimet që mbajtën kishin në përmbajtje mesazhin se Open Balkan është i suksesshëm. Por po bëhen tri vite që është themeluar (tetor 2019) dhe askush nuk e di cili është e çfarë përmban traktati i themelimit. Edhe një OJQ të themelosh ka një akt-themelimi e një statut të caktuar. Open Balkan thuhet se është themeluar bazuar në një dokument 700 faqesh, por askush nuk e di se çfarë thuhet në atë dokument. A ka veto p.sh në vendimmarrje? Kjo është themeli i së drejtës në një Asociacion. Nëse nuk ka veto, atëherë del se vendimet i marrin të fuqishmit. Dhe të fuqishmit krijojnë protektorat mbi të dobëtit. Askush nuk e shpjegon këtë fakt”, shprehet Bytyçi për “Bota sot”.

Më tej, Bytyçi thekson se Edi Rama ofendoi të gjithë shqiptarët midis Beogradit.

“Për këtë duhet të këmbëngulin jo vetëm ata që e kontestojnë Open Balkan, por ehe ata që e përkrahin, nëse nuk janë të paguar për ta përkrahur. Ka gjithnjë pak në marrëdhëniet edhe midis njerëzve. Vëllezërit e një shtëpie kur ndahen ose bashkëpunojnë e përcaktojnë kriterin e njëjtë për të dy. Pastaj veprojnë. Ndërsa Rama dhe Vuçiq u thotë liderëve të vendeve ballkanike: "Në hypëm në tren, po të doni hajdeni edhe ju, po mos doni nuk na plasi ne"! Kjo lloj arrogance e bën Ballkanin e Hapur jo të dyshimtë, por të rrezikshëm. Sot Edi Rama në Beograd ofendoi edhe gjuhën shqipe, kur tha se do ta fliste në gjuhën e tij "të çuditshme"! Pse na qenka e çuditshme gjuha shqipe? Sepse e bëri ai të tillë me fjalimet e tij fyese prej një rrugaçi në parlament, në tëiter e kudo! Sepse i dha gjuhës shqipe një trajtë jo tradicionale, jo etike, jo historike me fjalorin e tij banal e të pakontrolluar! Tani i duket e tmerrshme, sepse pas nëntë vitesh kanë filluar t'ia kthejnë me të njëjtën monedhë! Është normale të ndodhte kësisoj. madje ende ka ndrydhje e mungesë guximi për t'ia kthyer Ramës gjithçka me gjuhën që ai vetë përdor”, deklaron Bytyçi.

Sipas profesor Bytyçit, “Open Balkani” mundëson realizimin e ëndrrës hegjemoniste të Serbisë.

“Sot u tha se Open Balkan është iniciativë e paqes. Madje zoti Rama kur e përmendi këtë anatemoi kundërshtarët e tij, duke thënë sikur ata janë për luftën. Jo, or jo! Askush nuk e akuzon Open Balkan se është organizim lufte. Por ne themi se kjo iniciativë, kështu si është nis, do të çojë në luftë. Sepse plotëson ëndrrën hegjemoniste të Serbisë. Dhe hegjemonia serbe ka sjellë historikisht luftë në rajonin tonë. Kështu ka ndodhur midis serbëve e kroatëve, midis serbëve e boshnjakëve, midis serbëve dhe shqiptarëve, madje edhe midis serbëve e bullgarëve si dhe maqedonasve e po ndodh kjo tashmë më malazezët”, shpjegon Bytyçi.

Profesor, doktor Enver Bytyçi deklaron se është pikërisht Serbia, ajo që po refuzon paqen në rajon.

“Ka njerëz që refuzimin për të qenë pjesë e Open Balkan e quajnë problematik. Madje dalin e thonë se Prishtina është problemi. Këta njerëz ose kanë memorie në baza ditore, ose janë të paguar ta transferojnë të keqen nga Beogradi në Prishtinë. Nuk është problemi në Kosovë, por qëndron në Serbi. Ajo refuzon paqen. Refuzon bashkëpunimin e barabartë. A do të pritej Albin Kurti sot në Beograd me flamujt e shtetit të Kosovës?! Sigurisht që duhet të jesh naiv ose i shitur të mendosh se po. Atëherë si do të shkonte kryeministri i Kosovës në një samit, në të cilin nuk i respektohen simbolet e shtetit?!”.

“Arsyetimi se kryeministri i Kosovës nuk u prit me simbolet e shtetit ne NATO është bajat, në mos qëllim-keq. Sepse kur nuk pritet aty pse 4 vende të NATO-s nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës, si do të pritej me flamur në Serbi, e cila ende thërret me emrin e Rankoviçit Kosovo-Metohi?! Ngado që ta marrësh Open Balkan është dhe do të jetë një iniciativë e përkohshme. nëse merr jetë Procesi i Berlinit kjo iniciativë do të shuhet shpejt. Por nëse jo, BE ka për ta shpejtuar integrimin evropian të rajonit dhe për pasojë iniciativa mbetet si ajo e vendeve të Vishegradit! As më shumë, as më pak! Sepse liritë e lëvizjes i garanton Brukseli!”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat