Zbardhet prapavija e panairit të verës në Beograd/ “Irrituese dhe fyese dollia e kryeministrit shqiptar me ata që na vranë historikisht”

Politika

Zbardhet prapavija e panairit të verës në Beograd/ “Irrituese dhe fyese dollia e kryeministrit shqiptar me ata që na vranë historikisht”

Nga: A.SH. Më: 4 shtator 2022 Në ora: 17:30
Takimi në Beograd

Panairi Ndërkombëtar “Eine Vision Open Balkans”, i cili u zhvillua në Beograd në kuadër të Samitit të Ballkanit të Hapur ka përfunduar sot.

Ky panair u hap më 1 shtator nga presidenti serb Aleksandër Vuçiq, kryeministri shqiptar Edi Rama dhe ai maqedonas Dimitar Kovaçeski.

Përveç vendeve anëtare të Ballkanit të Hapur, kishte ekspozues edhe nga Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Franca, Kili, Argjentina, Italia, Rumania, Moldavia, Afrika e Jugut dhe vende të tjera.

Analisti Skënder Mulliqi, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se Aleksander Vuçiq dhe Edi Rama po duan një Ballkan të hapur, e që shumica po pajtohen se ideja për Ballkan të Hapur është ide për një Jugosllavi pa Slloveninë dhe Kroacinë.

E kishim ish-Jugosllavinë, që për shqiptarët nuk ka vlerë. Tash Vuqiqi dhe Rama po dëshirojnë Ballkan të Hapur. Unë nuk pajtohem se disa po e quajnë këtë ide “Serbia e Madhe” dhe “Shqipëria e Madhe”. Shumica po pajtohen se ideja për Ballkan të Hapur është ide për një Jugosllavi pa Slloveninë dhe Kroacinë. Apo kjo ide është shumë afër idesë të botës serbe. Çfarë domethënie tjetër mund të këtë Ballkani i Hapur. Me i hapur kufijtë? Pse? Me i lehtësuar udhëtimet, të cilat veç po bëhen me letërnjoftime. Me i largu kufijtë për të bërë më lehtë kontrabanda me cigare e derivate te naftës e shumë çka tjetër? Apo për të lehtësuar eksportin dhe importin e shlivovicës serbe, apo mallrave të Serbisë, të cilat edhe ashtu po i kemi me bollëk, e që nuk ish dashur të lejohen, në tregjet shqiptare”, thotë ai.

Sipas tij, kjo ide është e kamufluar nga Rama dhe Vuçiq, me karakter krejt politik, gllabërues ndaj tokave shqiptare.

Unë mendoj së kjo ide, po kamuflohet mirë nga Vuçiq dhe Rama, se ka karakter krejt politik, gllabërues ndaj tokave shqiptare. Me këtë ide fshihen synimet e vjetra serbe të hartuara më elaborate dhe memorandume, për zhbërjen e qenies sonë kombëtare. Bota serbe dhe bota ruse atë e shprehin haptazi. Nuk e ka Serbia dert për lëvizje të lirë të mallrave dhe njerëzve, së kjo pak i intereson, Aleksander Vuqiqit. Ishte irrituese dhe fyese për shqiptarët, pamja nga Samiti i Open Ballkan në Beograd, ku një kryeministër shqiptarë ngre dolli, me ata që na vranë historikisht dhe në luftën e fundit çlirimtare”, deklaron ai.

Ai thotë se Kosova nuk mund të ketë paqe me atë shtet ku vlon fashizmi e klerikalizmi luftënxitës, ta dijë këtë edhe Edi Rama, deri sa Serbia dhe serbët nuk e pranojnë kombin shqiptarë.

Po të kishte dashur marrëdhënie të mira me shqiptarët, Vuçiq do të kishte pranuar pavarësinë e Kosovës. Po të kishte dashur Serbia të riparon gabimet shumta historike, do të kishte kërkuar falje për gjenocid, dhe sigurisht se nuk do të figuronte Kosova, në preambulën kushtetuese serbe si pjesë përbërëse e saj. Kosova dhe shqiptarët nuk mund të kenë paqe me atë shtet ku vlon fashizmi e klerikalizmi luftënxitës. Nuk mund të këtë paqe me Serbinë, ta di edhe Edi Rama, deri sa Serbia dhe serbët nuk e pranojnë kombin shqiptarë. Nuk do të këtë paqe me Serbinë, deri sa po armatoset dhe pareshtur po e kërcënon me luftë Kosovën. Çka na nevojitet Open Ballkan atëherë? Asgjë. Dy shteteve shqiptare iu duhet struktura e BE-së, përmes Procesit të Berlinit, i cili do të asgjësojë pa vonuar idenë për Ballkan të Hapur. Serbia gjithmonë ka përfituar, nga shqiptarët, pa ofruar asgjë”, përfundon Mulliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat